Pandemia COVID-19 rriti tregtinë online, një në pesë shqiptarë bëjnë blerje

Shqiptarët po e përdorin gjithmonë e më shumë internetin, ndërsa pandemia COVID-19 i shtyu ata të provojnë edhe blerjet online.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se për vitin 2021, mbi një në pesë persona ose 21.4 për qind e popullsisë 16-74 vjeç bëri blerje përmes platformave në internet apo rrjeteve sociale. Kjo shënon një rritje të lehtës kundrejt 2020-së dhe dyfishim të tregtisë online krahasuar me nivelet para pandemisë.

Reklama e sponzorizuar

Shqiptarët shpenzojnë kryesisht për veshje, këpucë dhe aksesorë, por edhe për produkte të tjera si ushqimet në supermarkete apo produkte të tjera shtëpiake.

Lulëzimi i tregtisë online shoqërohet edhe me problematikën e informalitetit të lartë. Pasi shumë faqe që ofrojnë produkte janë tërësisht informale, të paregjistruara dhe pa një adresë, çka përbën rrezik për konsumatorët.

E-Commerce mbetet industria me potencialin më të lartë në Shqipëri. Kjo për faktin se ka qenë shumë pak e zhvilluar dhe shqiptarët kanë qenë tradicionale në blerjet e tyre, duke preferuar dyqanet fizike. Sipas INSTAT-it, vitin e shkuar vetëm 13.3 për qind e ndërmarrjeve realizuan shitje përmes faqes së internetit, rrjeteve sociale apo aplikacioneve të dedikuara. /A2News/