Kompanitë energjetike në Shqipëri morën mbi 81 milionë euro kredi për të blerë rrymën për dy muaj

Fotografi ilustruese

Vetëm në dy muajt e fundit të vitit të kaluar, kompanitë shtetërore të sektorit energjetik në Shqipëri morën rreth 10 miliardë lekë ose 81.5 milionë euro kredi nga sektori bankar.

Bëhet fjalë për kredi të marra në monedhën euro, në formën e ovedrafteve dhe kredive me kapital qarkullues. Nevojat për rritje të importeve të energjisë elektrike dhe shtrenjtimi i çmimeve që nisi në vjeshtë i ka vendosur në sprovë kompanitë e sektorit energjetik në vend.

Në muajin nëntor 2021, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike mori dy kredi në vlerë prej 30 milionë eurosh në sistemin bankar vendas, me qëllim mbulimin e nevojave për blerjen e energjisë elektrike. Për këto kredi, Këshilli i Ministrave miratoi dhënien e garancive sovrane, përkatësisht për një hua në vlerën e 20 milionë euro nga Banka OTP Albania dhe për një hua në vlerën 10 milionë euro nga Banka Amerikane e Investimeve.

Reklama e sponzorizuar

Gjatë muajit dhjetor, kompanitë e grupit OSHEE morën tre kredi të tjera, përkatësisht një kredi në shumën 20 milionë euro nga banka Intesa Sanpaolo Albania dhe dy kredi me vlerë 16.5 milionë euro dhe 15 milionë euro nga Raiffeisen Bank. Edhe këto kredi u mbuluan me garanci shtetërore, të lëshuar nga Këshilli i Ministrave. Veç fondeve të alokuara në mënyrë direkte, kriza e çmimeve të energjisë ka shtruar nevojën edhe për të përdorur mekanizmin e garancive sovrane për mbështetjen e kompanive.

Këto hua u mbështetën me disa lehtësi të veçanta edhe nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, që në muajin nëntor miratoi një vendim qarkullues për ndryshime të përkohshme në rregulloren për mjaftueshmërinë e kapitalit. Vendimi përcaktonte se, vetëm për vitin 2021, bankave do t’iu lejohet të ponderojnë me peshë rreziku zero kreditë në valutë të huaj për OSHEE, me kusht që ato të jenë të garantuara plotësisht nga qeveria shqiptare.

Vendimet e mësipërme kanë mundësuar jo vetëm financimin me hua të OSHEE-së, por edhe një çmim shumë më të ulët për huatë. Huamarrja në valutë të huaj ka shfrytëzuar bollëkun e likuiditetit që sektori bankar ka në valutë të huaj, duke iu mundësuar bankave të investojnë me një kthim të kënaqshëm dhe rrezik të ulët një pjesë të këtyre fondeve të lira. Nga ana tjetër, vendimi për të marrë direkt hua në monedhën euro prej bankave ka shmangur presionet në kursin e këmbimit të lekut. Nëse OSHEE do të blinte euro në treg, kjo do të sillte presione të rëndësishme nënçmuese për kursin e këmbimit të lekut kundrejt valutës europiane.

Statistikat treguan se për vitin e kalua se kredia e re për ndërmarrjet publike është rritur me 3.4 herë krahasuar me një vit më parë, për një shumë totale vjetore prej 14.5 miliardë lekësh. Ndikimin kryesor e kanë dhënë pikërisht kreditë e marra nga kompanitë e sektorit energjetik, me qëllim financimin e importeve të energjisë elektrike.

Për shkak të probleme të trashëguara historike dhe rreziqeve të mëdha të lidhura me aktivitetin e tyre, kompanitë e sektorit energjetik në vend nuk mund të sigurojnë dot hua nga sektori bankar pa ofrimin e garancisë sovrane nga qeveria shqiptare. Deri më sot, ky mekanizëm ishte shfrytëzuar kryesisht nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare. Në fund të tremujorit të tretë 2021, vlera e garancive të dhëna nga buxheti në favor të KESH për garantimin e huave bankare kishte vlerën e 4.1 miliardë lekëve. /Monitor.al/