A rrezikohet Kosova me shifra tronditëse të papunësisë të mbetet pa punëtorë?

Mehmet Gjata

Kosova me këtë trend të braktisjes së vendit nga pjesa më vitale e popullsisë dhe me këtë vrull të kërkesave aq të numërta për të ikur një orë e më parë nga vendi, shumë shpejtë do të mbetet pa punëtorë të nevojshëm dhe të domosdoshëm në shumë veprimtari dhe lëmi të zhvillimit ekonomik të vendit. Mbi 80 mijë të papunë janë të regjistruar në Agjencinë e Punësimit në Kosovë, por bizneset kanë zënë tashmë të ankohen për mungesë të fuqisë punëtore.

Mehmet GJATA

Megjithë varfërinë ekstreme që e dominon një numër jo të papërfillshëm të kosovarëve dhe megjithë numrat alarmantë dhe tronditës të papunësisë në vendin tonë, Kosova me këtë trend të braktisjes së vendit nga pjesa më vitale e popullsisë dhe me këtë vrull të kërkesave aq të numërta për të ikur një orë e më parë nga vendi, shumë shpejtë do të mbetet pa punëtorë të nevojshëm dhe të domosdoshëm në shumë veprimtari dhe lëmi të zhvillimit ekonomik, por edhe aq të domosdoshëm për shërbimet e shumta që bëhen për nevojat e vendit.

Reklama e sponzorizuar

Nuk është më frazë boshe as një alarm i rremë dhe i ekzagjeruar droja se Kosova po “tkurret” numerikisht, nga ikja e madhe e banorëve të vetë, nga braktisja e vendit të tyre nga kosovarët e shumtë dhe të moshave më vitale, pra nga të rinjtë e aftësuar dhe të shkolluar për shumë e shumë profesione. Po shkojnë ata, ose po ia mësyjnë Gjermanisë, Zvicrës, Italisë, shteteve të Beneluksit, atyre skandinave, pa zgjedhur shumë dhe pa menduar edhe aq. Në rastin e parë, ku u jepet mundësia dhe ku grishën më shumë, aty i ke të rinjtë tanë, para sporteleve të ambasadave të këtyre shteteve, në pritje të një interviste, bisede apo evidentimi për vizën e premtuar dhe të ëndërruar nga ta. Dhe tashmë, ka goxha do kohë dhe muaj që ata po grishen në mënyrat më të ndryshme, më joshëse dhe më atraktive nga punëdhënësit, agjencitë përkatëse dhe sekserët e angazhuar nga pronarë të pafund të kompanive e ndërmarrjeve nga këto shtete.

Po vijnë premtime legale dhe sosh jo edhe aq legale, gjithnjë e më shumë, për vende të mundshme të punës, për pagat shumëfish më të leverdishme se këto këtu në Kosovën e varfër, për kushtet e tjera komode dhe tërheqëse për kosovarët që me vjet kanë pritur për një vend pune, për një pagë dhe ca kushte modeste dinjitoze pune.

Joshja nga punëdhënësit perëndimor ka shkuar aq larg sa tani kanë dalë punëdhënës nga shtetet që kanë nevojë për shumë krah pune, që po paguajnë shuma të caktuara parash vetëm për të shkuar në intervista e biseda te ta. Më nuk po u qesin shumë “kajde” diplomave, që dikur as që donin t’ua hidhnin sytë. Tani këto shtetet kanë nevojë të madhe për punëtorë, dhe të shumë profilesh, dhe prandaj, kriteret për përzgjedhjen e tyre, janë zbutur, madje edhe si të tilla, po përfillen dosido, sa për të thënë.

Prandaj, shifrat për të ikur nga Kosova, duhet pranuar, po bëhen gjithnjë e më tronditëse. Siç raportojnë mediet kosovare, 105.601 qytetarë të Kosovës vetëm gjatë dy muajve, më saktësisht në dhjetor 2021 e janar 2022 (në dhjetor të vitit 2021 kanë aplikuar 56 mijë e 639 kosovarë e në janar të 2022-tës, 48 mijë e 962 veta), kanë aplikuar për vizë punë në Ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë.

Ndërkaq edhe një numër i madh i qytetarëve kanë aplikuar në ambasada të tjera. Të gjithë këta aplikues e theksojnë se këtë po e bëjnë në kërkim të një jete më të mirë e page më të dinjitetshme. Ata, madje shprehen se kanë më shumë se dy vjet që presin për një vizë pune.

“Qe dy vjet një djalë i imi është kah aplikon në Ambasadën gjermane. Me këtë llotarinë, që ka zënë ta aplikojë ambasada gjermane, shanset për ta marrë një vizë janë shumë të pakta”, ka thënë për medien një prind prishtinas.

Edhe te qendra e aplikimit për viza zvicerane situata është e njëjtë. Ndërkohë, mbi 12 mijë kosovarë, kanë aplikuar për viza në Ambasadën e Zvicrës në periudhën tetor-dhjetor 2021.

“Gjatë periudhës tetor – dhjetor 2021, Ambasada e Zvicrës në Prishtinë, e cila përfaqëson Zvicrën, Belgjikën, Francën, Austrinë, Holandën, Luksemburgun në çështjet e vizave C, i ka lëshuar 11 mijë e 474 viza dhe 644 viza kombëtare D”, thuhet në përgjigjen për medien vendore.

Vetëm gjatë vitit 2021 Ambasada e Zvicrës në Kosovë ka lëshuar 20 mijë e 259 viza, raportojnë mediat. Këto shifra, të ikanakëve potencial nga Kosova, që, gjithsesi nuk janë të vetmet, ka edhe më shumë numra të atyre që duan të ikin, edhe ilegalisht, edhe nëpërmjet garancioneve që ua dërgojnë të arfërmit gjithandej nga këto vende dhe të atyre që kanë viza të mëhershme dhe që vetëm përkohësisht janë kthyer në vendlindje. Dhe shi për këtë ngarendje për të ikur, tashmë nuk janë të paktë zërat e punëdhënësve kosovarë që ankohen për mungesë të fuqisë punëtore.

Kontradita dhe ç’rregullimi i tregut të punës bëhet edhe më e theksueshme kur kihet parasysh numri i madh, madje enorm i të papunëve, që janë të regjistruar në insitucionet zyrtare të punësimit në vend dhe numri edhe më i madh i atyre që për shkak të humbjes së shpresës nuk regjistrohen asnjeherë në këto institucione.

Mbi 80 mijë të papunë janë të regjistruar në Agjencinë e Punësimit në Kosovë, por bizneset vazhdojnë tashmë të ankohen për mungesë të fuqisë punëtore. Një zyrtar i lartë i i departamentit të punësimit në Agjencinë e Punësimit në Kosovë, ka thënë këto ditë se një numër i madh i të papunëve të regjistruar janë me përgatitje të lartë shkollore. Dhe, ka kohë, mbase edhe disa vjet që “truri” i Kosovës po e braktisë vendlindjen. Po lënë vendin edhe profesorë, mjekë, inxhinierët, teknikët, punëtorë të shumtë të ndërtimtarisë, muratorë, latues, instalues prej më të ndryshmëve, gastronomë me diploma dhe pa to, dhe të tjerë profilesh të ndryshme.

Infermierët e shumtë nga Kosova që ka vite ikën në vendet e ndryshme perëndimore, në numër të madh, janë rrëfim i veçantë dhe si i tillë duhet trajtuar. Ka vite që universitetet private në Kosovë kanë fakultete të infermierisë të licencuara dhe ato përgatisin infermierë për tregun perëndimor të punës. Numri enorm e tyre është lehtësisht i verifikueshëm, pasi që janë të regjistruara legalisht në këto fakultete dhe për këtë domosdo duhet të ketë evidencë.

Duhet thënë se si punëtorët e profileve më pak të shkolluara, si ata që kanë shkollim të lartë, po e lënë Kosovën për një jetë më të mirë, më të dinjitetshme, për paga më të mira dhe për kushte pune më të favorshme.

“Problemi i ikjes, sipas analizave, janë kushtet e punës dhe pagat e ulëta”, theksojnë në Agjencinë e Punësimit të Kosovës. Duhet theksuar se një nga problemet është edhe papunësia e madhe dhe vështirësitë evidente për ta gjetur një vend pune këtu. Dhe prandaj është krijuar anomalia ”shumë të papunë në Kosovë dhe mungojnë punëtorët”.

Ndërsa, sipas hulumtimeve që janë bërë me qytetarët e Kosovës nga instituti GAP mbi motivet e migrimit, del se niveli i pagës, mundësitë e zhillimit në karrierë dhe kushtet më të mira për jetë, përmenden si shtytësit kryesor për të emigruar. Paraqet problem për tregun e punës këtu, pra për të gjetur një punë në Kosovë, edhe përgatitja e duhur profesionale për profesione të caktuara gjatë shkollimit, theksojnë njohësit e këtyre rrethanave. Sepse në Kosovë ka një mospërputhje të kërkesave të tregut me profilet e studimeve që nga shkollat e mesme profesionale dhe universitetet.

“Papunësia në Kosovë, sidomos në mesin e të rinjëve dhe grave mbetet mjaft e lartë. Shkalla e të papunëve të diplomuar është po ashtu e lartë. Ajo çfarë ne kemi vërejtur është se në vendin tonë shkalla e mospërputhjes mes arsimit dhe nevojave të tregut të punës është po ashtu mjaft e lartë. Kjo nënkupton se nuk kemi arritur të harmonizojmë arsimin me tregun e punës, nuk kemi ofruar mjaft programe për trajnim dhe aftësim për profesionet në kërkim nga tregu i punës, dhe nuk kemi arritur të vendosim meritokraci në punësimet publike” ka thënë për Buletinin Ekonomik drejtori për hulumtime në Institutin GAP, Jeton Mehmeti.

Sipas tij, janë disa industri dhe shërbime në Kosovë që rrezikojnë të mbeten pa punetorë të kualifikuar, nëse trendi i emigrimit vazhdon. Ato janë TIK-u, kujdesi shëndetësor, gastronomia dhe ndërtimtaria. Në fakt, disa prej këtyre industrive paraqesin edhe nevojën më të madhe për punëtorë në Gjermani, Slloveni e Kroaci, ku edhe trendi i emigrimit është më i madh.

Sido që të jetë, në disa asociacione që trajtojnë problemet e migrimet të kosovarëve mendojnë se Qeveria e Kosovës duhet t’i mbështesë ndërmarrjet kosovare për të krijuar degë në Gjermani dhe në vendet e tjera të BE-së, për të marrë përsipër punë në ato vende duke punësuar njerëz me kualifikime të larta ose me kualifikime të ulëta nga Kosova. Teprica e fuqisë punëtore e Kosovës duhet të shndërrohet në një aset për bizneset e Kosovës për të marrë projekte në vendet ku ka një deficit të punës ose për të tërhequr Investimet e Huaja Direkte (IHD). Qeveria e Kosovës duhet të hartojë një plan ose një strategji për të zvogëluar emigrimin e atyre nga profesionet që kanë deficite të fuqisë punëtore dhe produktivitet të lartë. Strategjia duhet të sjellë stimuj të ndryshëm siç janë grantet për bizneset fillestare (start-up) dhe/ose masa të tjera të politikave që do ta mbajnë fuqinë punëtore në Kosovë.

Edhe Marrëveshjet e punës sezonale mund të shihen si një mundësi për profesionet ku Kosova ka shkallë të ulët të papunësisë. Diçka duhet të ndërmerret për të zbutur këtë problem. Këtë po e kërkojnë të gjithë, aq më parë kur po shihet se me këtë vrull të ikjeve masive dhe paralajmërimeve të panumërta për ta lënë vendin një orë e më parë, ose në çdo rast kur t’u ipet edhe mundësia më e vogël, patjetër që rrezikohet Kosova të mbesë pa krahë pune dhe pa kuadro të nevojshme, që vet i shkolloi dhe i përgatiti profesionalisht. Të mbetet, pra pa mjekë, pa infermierë, pa njerëz të aftësuar dhe të ditur në fushën e teknologjisë informative, pa latues e muratorë… /Buletini Ekonomik/