Shumë zyrtarë të BQE-së nuk i besojnë parashikimit të inflacionit, pas qëndrimit të fundit të presidentes Lagarde

Një numër në rritje i politikëbërësve në Bankën Qendrore Europiane po humbasin besimin te parashikimi aktual i inflacionit nga ky institucion, duke bërë që ata të mbështesin rritjen e normave të interesit gjatë këtij viti.

Teksa kryeekonomisti Philip Lane ka dalë në mbrojtje të projeksioneve të BQE-së dhe këmbëngul se modelimi i stafit të tij është i saktë, disa guvernatorë kanë paralajmëruar se nuk duhet të bazohemi shumë te këto parashikime në rrethanat e një mjedisi të pasigurt që po ndryshon me shpejtësi, ku rritja e fundit e çmimeve ka turbulluar pritshmëritë.

Këto dyshime mbi procesin e parashikimit erdhën pas bisedave të shumta me zyrtarë të BQE-së në lidhje me diskutimet pas ndryshimit të papritur dhe të menjëhershëm të qëndrimit nga presidentja Christine Lagarde javën e kaluar.

Reklama e sponzorizuar

Vlera e euros u rrit me me 0.3%, duke u tregtuar me rreth 1.1445 dollarë. Obligacionet e qeverisë gjermane patën një rritje të tregtimit pas sesionit europian.

Qëndrimi i fundit i Lagarde, në kontekstin e intensifikimit të shtrëngimeve globale, ka hapur rrugën për një vendim më të ashpër në mars, periudhë në të cilën politikëbërësit mund të diskutojnë se kur duhet të ndalojnë me blerjet e bonove.

Parashikimet e reja do të marrin rëndësi në këtë takim, pasi projeksionet e fundit të BQE-së që datojnë më 16 dhjetor nuk janë më koherente pas rritjes së ҫmimeve të energjisë dhe dy parashikimeve rekord të inflacionit që nga ajo datë, duke përfshirë atë të fundit prej 5.1% në janar. Perspektiva e fundit ishte për një mesatare të përgjithshme prej 3.2% këtë vit.

Lagarde tha të hënën se këto parashikime do të ndihmojnë Këshillin Drejtues të “vlerësojë më mirë ndikimin” e shifrave aktuale të inflacionit në perspektivën afatmesme.

Një ide paraprake për përmirësimin e mundshëm të çmimeve të konsumit mund të krijohet të enjten, pasi Komisioni Europian të publikojë projeksionet e reja.

Si kryeekonomist, Lane është anëtari i Bordit Ekzekutiv përgjegjës për përgatitjen dhe prezantimin e parashikimeve të BQE-së. Roli i tij përfshin gjithashtu propozimin e çdo mase që mund të konsiderohet në vendimet e Këshillit Drejtues.

Dyshimet mbi aftësitë modeluese të BQE-së përbëjnë një linjë të sulmeve ndaj pikëpamjes së tij relativisht ekspansioniste për politikat monetare, sipas së cilës politikëbërësit nuk duhet të kenë frikë nga inflacioni që nuk del jashtë kontrollit, thonë zyrtarët, duke vërejtur se pozicioni i tij po merr gjithnjë e më pak mbështetje nga kolegët e tjerë.

Në vend të kësaj, zyrtarët përmendin shqetësimin në rritje midis anëtarëve të Këshillit Drejtues, jo vetëm mes gjermanëve dhe holandezëve që mbështesin tipikisht politikat kontraktuese, se çmimet nuk do të bien nën objektivin prej 2% vitin e ardhshëm, objektiv që është parashikuar në projeksionet ekzistuese të stafit. Ata thonë se parashikime të tilla mund të mos jenë një mjet i besueshëm në këto rrethana që po ndryshojnë me shpejtësi. /Bloomberg/