Regjistrimi i popullsisë, siç dihet ishte i planifikuar të bëhet më 2021, saktësisht 10 vjet pas regjistrimit të fundit të bërë në Kosovë. Por, regjistrimi nuk u bë më 2021. Ai u shty për shkak të përhapjes së pandemisë edhe në vendin tonë, por edhe për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme dhe atyre lokale, të cilat ishin të parapara të mbahen po në këtë vit. Vonesa e miratimit të Ligjit për regjistrimin e popullsisë e vë në pyetje realizimin e këtij procesi edhe sivjet.
Mehmet GJATA
A do të mbahet sivjet, procesi i regjistrimit të popullsisë, banesave dhe ekonomive familjare në Kosovë? Regjistrimi i popullsisë, siç dihet ishte i planifikuar të bëhet më 2021, saktësisht 10 vjet pas regjistrimit të fundit të bërë në Kosovë, por me arsyetime të ndryshme është shtyrë për sivjet.
Në Kosovë, sikundër në shumicën e vendeve të Ballkanit (Shqipëri, Mal të Zi, Kroaci dhe Serbi), regjistrimi i fundit i popullsisë është realizuar në vitin 2011. Sipas të dhënave të ASK-së të dala nga ky regjistrim, popullsia e përgjithshme rezidente e Kosovës në fund të vitit 2019, ka qenë 1.782,115 banorë. Në regjistrimin e vitit 2011 nuk ishin përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës (Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut), pasi që në atë kohë ata kishin refuzuar procesin.
“Regjistrimi i popullsisë do të realizohet në vitin 2022”, pati thënë për medie, ish- drejtori i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).
“Për shkak të pandemisë dhe zgjedhjeve lokale, regjistrimi optimal do të ishte në muajin prill 2022, por ende nuk është vendosur data e saktë”, ishte arsyetuar pak a shumë drejtori i ASK-së, për shtyrjen e këtij procesi të rëndësishëm për zhvillimet ekonomike-shoqërore të vendit.
Shtyrjen e regjistrimit të popullsisë e patën kontestuar ekspertët dhe njohësit e zhvillimeve demokrafike në vend. Sipas tyre, me vetë faktin se në kohë pandemie është lejuar mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, regjistrimi i popullsisë nuk mund të paraqesë rrezik për shëndetin e qytetarëve.
Sipas demografëve, vonesa e regjistrimit të popullsisë ka ndikim te të gjitha planet dhe planifikimet e institucioneve shtetërore. Së pari ka ndikim te buxheti, sepse numri i popullsisë sipas komunave ndikon në përcaktimin e grantit financiar qeveritar për nevojat e komunave të Kosovës.
Sidoqoftë, a do të bëhet sivjet regjistrimi i popullsisë, siç kanë premtuar zyrtarët e ASK-së?
Zyrtarët për informim të ASK-së theksojnë të bindur se stafi i kësaj agjencie është tërësisht i përgatitur dhe i gatshëm për të bërë regjistrimin edhe sivjet, në muajt në vazhdim. Sipas tyre, ata i kanë filluar përgatitjet për zhvillimin e këtij procesi, që më 2018-ën, duke menduar se regjistrimi do të bëhet më 2021, saktësisht 10 vjet nga regjistrimi i fundit i realizuar në Kosovë. Dihet, regjistrimi i fundit i popullsisë është bërë në vitin 2011. Mirëpo, regjistrimi nuk u bë me 2021. Ai u shty me rekomandime të asociacionave kompetente ndërkombëtare, siç është Eurostati, për shkak të përhapjes së pandemisë edhe në vendin tonë, por edhe për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme dhe atyre lokale, të cilat ishin të parapara të mbahen po në këtë vit.
Rëndom, kur ka kauza të rëndësishme, sikundër janë zgjedhjet, por edhe në rastet siç ndodhi me pandeminë, as nga ekspertë, as nga institucionet kompetente vendore, por edhe ndërkombëtare, nuk preferohet të mbahet regjistrimi i popullsisë. Në këtë mënyrë, vjet me një koncenzus, qoftë të heshtur, qoftë edhe të bërë publik, ndërmjet Qeverisë dhe ASK-së u shty procesi i regjistrimit dhe u planifikua të bëhet sivjet, më 2022.
Por, siç janë duke u zhvilluar proceset rreth realizimit të kësaj ndërmarrjeje kaq të rëndësishme statistikore për vendin, ka shumë gjasa që regjistri të mos mbahet as sivjet. Sepse, akoma nuk është miratuar ligji i domosdoshëm për regjistrimin e radhës. Në fakt, Qeveria e Kosovës e ka miratuar Ligjin për regjistrimin e popullsisë, banesave dhe ekonomive familjare në Kosovë, por ky ligj ende nuk ka kaluar nëpër duart e komisioneve përkatëse të Kuvendit, prandaj as që ka shkuar ende në Kuvendin e Kosovës, për t’u shqyrtuar dhe për t’u miratuar.
Ndërkohë që sipas rekomandimeve të institucioneve ndërkombëtare duhet që pas miratimit të Ligjit për regjistrim, të kalojë një periudhë rreth nëntëmujore për t’ia filluar regjistrimit. Po qe se bie fjala, ky Ligj do të miratohej në Kuvend gjatë marsit, që ka shumë pak gjasa, atëherë i bie që regjistrimi i radhës i shtyrë dhe i përcaktuar të mbahet më 2022, të realizohet në vitin 2023.
Megjithatë, siç i ka thënë Buletinit Ekonomik, zëdhënësja e ASK-së, Hazbije Qeriqi, stafi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës është fare i gatshëm që ta realizojë regjistrimin edhe gjatë këtij viti, po qe se rekomandohet nga institucionet ligjvënëse dhe ekzekutive të vendit. Planifikimi i regjistrimit tashmë është kyer, plani i aktiviteteve të pritshme është në proces, ndërsa po punohet për ta përgatitur sa më mirë edhe fushatën senzibilizuese.
Regjistrimi i popullisisë më 2011 ka zgjatur 2 javë, hiq disa komuna që për shkak të vështirësive konkrete, kjo kohë është zgjatur në një muaj. Tani, regjistrimi i radhës planifikohet të zgjasë një muaj, sado që ka ndryshuar goxha shumë metodologjia e regjistrimit. Edhe në regjistrimin e pritshëm do të aplikohet metodologjia tradicionale-derë më derë. Por, tani në vend të pyetësorëve me letër siç ishte bërë me 2011-tën, do të aplikohen pyetsorë elektronik. Secili regjistrues do ta ketë tabletin e vet për regjistrim dhe secili regjistrues monitorohet nga qendra monitoruese në ASK (GIS). Pos mbledhjes së të dhënave, në këtë regjistrim risi do të jenë edhe hartat digjitale të qarqeve regjistruese.
Regjistrimi i radhës do të jetë i fokusuar në regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe të banesave. Ndërsa, regjistrimi i zhvillimeve në bujqësi do të jetë më i gjithanshëm dhe më me detaje në regjistrimin enkas për bujqësinë e Kosovës, që planifikohet të mbahet pas publikimit të të dhënave nga regjistrimi i popullisë.
Zyrtarët për informim në ASK theksojnë se për realizimin e regjistrimit të popullsisë, pos stafit të ASK-së, që së bashku me zyrat rajonale ka rreth 150 punëtorë, planifikohet të angazhohen diku rreth 3500 – 3600 regjistrues dhe do të ketë edhe staf shtesë. Do të angazhohen qindra mbikqyrës (350-400 sish) dhe do të ketë edhe dhjetëra instruktorë – trajnues (40-50 sish). Gjithsesi, do të ketë edhe ekspertizë dhe konsulencë ndërkombëtare, sidomos nga ekspertë dhe kuadër të Bankës Botërore.
Kostoja e përgjithshme e regjistrimit llogaritet të jetë 11, 5 – 12 milionë euro, apo rreth 6.5 euro për person.
Me metodologjinë e re që do të aplikohet në regjistrimin e pritshëm, do të shkurtohet ndjeshëm publikimi i rezultateve paraprake dhe ato finale të regjistrimit. Mendohet, siç theksojnë zyrtarët për informim, që rezultatet finale të bëhen publike brenda disa muajsh, në vend të 1,5 vjet e më shumë sa ka zgjatur bërja publike e statistikave finale të dala nga regjistrimet e kaluara. /Buletini Ekonomik/