Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë, ka deklaruar se Kosova po preket nga ngritja e çmimeve për shkak të varësisë së saj të madhe nga importi.
Kurti përsëriti fjalën e presidentit amerikan Joe Biden, që tha se ngritja e çmimeve në gjithë botën për produktet elementare ushqimore, është kostoja e mbrojtjes së lirisë së Ukrainës.
“Sot po bëhen dy javë nga fillimi i agresionit në Ukrainë. Republika jonë ka treguar gatishmëri për pranimin e 5 mijë refugjatëve nga Ukraina dhe kemi ndarë 150 mijë euro për pranimin e gazetarëve nga Ukraina. Kujtojmë se Rusia është një prej eksportuesve ma të mëdha të gazit dhe naftës në Evropë. Energjia që mundëson prodhimin dhe nafta për transport, janë fillimi dhe fundi i zinxhirit. E di edhe kuptojmë shqetësimin e gjithsecilit prej jush për rritjen e çmimeve. Edhe pse kjo s’është shkaktuar nga ne, po na prek edhe ne. Kur para 12 ditëve iu bashkuam botës për sanksionet, një kosto e tillë ishte e pashmangshme. Por, kjo është kostoja e mbrojtjes së lirisë dhe demokracisë”, është shprehur ai.
Kryeministri Kurti gjithashtu ka paralajmëruar se pasdite së bashku me ministrin e Bujqësisë do të bëjnë një njoftim shumë të rëndësishëm për bujqit.