Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti është takuar me Kryesuesin e Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK), Ruzhdi Morina dhe Drejtorin Menaxhues, Adrian Zalli.
Sipas komunikatës për media, temë kryesore e takimit ishte informimi i drejtuesve të BQK-së me gjendjen e aktuale të investimeve të FKPK-së në tregjet financiare pas ngjarjeve të fundit në Ukrainë.
Morina në takim bëri të ditur se këtë vit kanë pasur rënie investimet e FKPK-së rreth 4%, si pasojë e efekteve negative të pandemisë në zinxhirin furnizues, por edhe sidomos nga lufta në Ukrainë.
Po ashtu, ai e njoftoi Guvernatorin Mehmeti me masën e dytë që Bordi Drejtues e ka vendosur, duke e lansuar portofolin Konservativ për kontribuuesit e moshës 63.5 vjeçare e më të moshuar. Sipas kësaj mase, mjetet e tyre do të përllogariten të investuara në Bonot e Thesarit të Republikës së Kosovës dhe asnjë kontribuues 18 muaj e më pak afër pensionimit nuk do të preket nga lëvizjet e tregjeve financiare.
Kurse, Mehmeti në takim theksoi nevojën e takimeve të rregullta mes të dyja institucioneve, në mënyrë që situata të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe që të sigurohet reagimi i duhur institucional në shërbim të mbrojtjes së interesave të kontributdhënësve.









