Me 513 vota për, 22 kundër dhe 19 abstenim deputetët e Parlamentit të Evropës kanë votuar për ta ndaluar importin e gazit dhe naftës nga Rusia.
Ky vendim është marr pas një seri sanksionesh ekonomike të vendosura kundër regjimit të Vladimir Putinit, pas agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë.
“Eurodeputetët votojnë me shumicë dërrmuese në favor të ndalimit të importeve të gazit dhe naftës ruse për shkak të agresionit ushtarak në Ukrainë. Qeveritë e BE-së nuk kanë gjasa ta bëjnë këtë. Raundi i pestë i sanksioneve që është në proces ndalon vetëm importet e qymyrit që përbën 4 për qind të energjisë së bllokut që vjen nga Rusia”, njofton korrespondenti Jack Parrock.
Për shkak të nisjes së pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur ndalesë në importet e gazit dhe naftës ruse.
Por, thirrjet që BE-ja të vendosë sanksione të tilla janë shtuar këtë javë, pas njoftimeve për vrasjen e civilëve në Ukrainë, që disa shtete i kanë cilësuar si krime lufte.
Nafta dhe produktet e Rusisë siguruan një të tretën e energjisë bruto të BE-së më 2020 dhe këtë produkt blloku evropian e ka përdorur për prodhimin e energjisë elektrike, si dhe për transport dhe prodhim të kimikateve.