Davos 2022: Jemi në mes të krizës së parë globale të energjisë

Bota po përjeton krizën e parë globale të energjisë. Përgjigjja nuk mund të jetë shtimi i lëndëve djegëse fosile, por përkundrazi, rritja e përpjekjeve për tranzicionin energjetik, sipas Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.

Fatih Birol tha për panelin e “Energy Outlook: Overcoming the Crisis” në mëngjesin e hapjes së Davos 2022, se bota duhet të bëjë investime në fushën e energjisë duke parë nga e ardhmja.

Peizazhi global i energjisë është riformuluar rrënjësisht që nga pushtimi rus i Ukrainës më 24 shkurt, duke nxitur qeveritë, bizneset dhe organizatat e tjera që të reduktojnë varësinë e tyre nga energjia ruse. Tani, ata duhet të kenë prioritet ndalimin e krizës energjetike, si dhe ofrimin e sigurisë dhe të qëndrueshmërisë energjetike.

Reklama e sponzorizuar

“Jemi në mes të krizës së parë globale të energjisë. Në vitet shtatëdhjetë, po përballeshim me krizën e naftës, ndërsa tani kemi një krizë të naftës, një krizë të gazit natyror, një krizë të qymyrit – të gjitha çmimet po shkojnë në stratosferë dhe siguria e energjisë është një prioritet për shumë qeveri, nëse jo për të gjitha”, tha Birol në panel.

“Sigurisht, ne nuk po jetojmë në një botë ëndrrash. Bota duhet të zëvendësojë naftën dhe gazin nga Rusia, fillimisht me naftë dhe gaz dhe më pas me teknologji të tjera. Jam plotësisht dakord që përgjigjja e menjëhershme duhet të përfshijë shtimin e naftës dhe të gazit në tregje. Por, do të preferoja që përgjigjja jonë e menjëhershme të mos bazohet tek infrastruktura energjetike e lëndëve djegëse fosile për shumë vite.”

Çelësi për zbutjen e krizës aktuale energjetike, tha ai, është që të përfitohet sa më shumë nga fushat ekzistuese të naftës dhe të gazit, duke llogaritur përdorimin e naftës dhe të gazit argjilor, sepse ato mund të dalin më shpejt në treg, si dhe zvogëlimi i sasisë së emetimeve të metanit nga operacionet me karburante fosile dhe sigurimi që terminalet e gazit natyror të lëngshëm janë ndërtuar për të ruajtur amoniak ose hidrogjen në të ardhmen.

“Por, sipas mendimit tim, pjesa më e madhe e përgjigjes vjen nga vendosja e theksit tek energjia e pastër, burimet e rinovueshme, efikasiteti i energjisë dhe, në vendet me kapacitet bërthamor, te rritja e prodhimit të energjisë bërthamore”, shtoi ai.

“Nuk kemi pse të zgjedhim midis krizës energjitike dhe asaj klimatike – ne mund t’i zgjidhim të dyja ato me investimet e duhura.”

Gjermania është një nga vendet që është goditur më rëndë nga varësia ndaj gazit rus. Robert Haback, Ministri Federal për Çështjet Ekonomike dhe Masat Klimatike, pranoi se ky kishte qenë një gabim strategjik dhe tha për panelin se vendi i tij është gati të përballet me krizën energjetike dhe tani po kërkon të diversifikojë importet e karburanteve fosile me një shpejtësi të jashtëzakonshme – me procese që më parë kërkonin dekada, ndëtsa tani po bëhen brenda disa muajve.

“Ne po përmirësojmë aftësinë tonë për t’i kryer punët, gjë e cila nuk është bërë aq mirë në të kaluarën. Ne po ndërtojmë infrastrukturën energjetike dhe po përpiqemi që të lidhemi me furnizues të rinj për naftën dhe qymyrin”, tha Haback.

“Por kjo është vetëm në planin afatshkurtër, sigurisht. Është vetëm një hap për t’u bërë jo thjesht të pavarur nga lëndët djegëse fosile të Rusisë, por edhe nga lëndët djegëse fosile në përgjithësi. Në këndvështrimimin tim, kujdesi për një siguri të re të furnizimit me energji nuk bie aspak në kontradiktë me qëllimin për t’u bërë të pavarur nga lëndët djegëse fosile.”

Haback shtoi se siguria globale është tronditur nga të paktën katër kriza të ndërthurura – inflacioni i lartë, kriza e energjisë, varfëria nga rritja e ҫmimeve të ushqimeve dhe kriza klimatike. “Dhe nuk mund t’i zgjidhim këto probleme nëse fokusohemi vetëm te njëri prej tyre,” paralajmëroi ai.

“Por, nëse asnjë nga këto probleme nuk zgjidhet, jam vërtet i shqetësuar se do të kalojmë në një recesion global, me një efekt të jashtëzakonshëm në ҫështjet klimatike, por edhe në stabilitetin global. Imagjinoni që një pjesë e botës mund të vdesë nga uria vitin e ardhshëm. Kjo nuk ka të bëjë thjesht me urinë, e cila në vetvete është shumë e tmerrshme, por ka të bëjë me stabilitetin global.”

Ai shtoi se komuniteti ndërkombëtar duhet t’i përmbahet tregjeve globale. Nëse vendet kujdesen vetëm për furnizimet e tyre me ushqime dhe me energji, kjo do të ketë efekte katastrofike për çmimet në vendet e tjera, paralajmëroi Haback./ WEF