Oda Amerikane tregon arsyet pse s’duhet të tërhiqen para nga Trusti

Trusti
Investimet në Trust shënuan rënie për rreth 90 milionë euro

Në kohën kur iniciativa për ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës është vënë në agjendën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka përsëritur shqetësimin e saj lidhur me aprovimin e mundshëm të ndryshimeve të propozuara të cilat do të bënin të mundur tërheqjen e një pjese të kursimeve të kontribuuesve pensionalë.

“Duke mirëkuptuar shqetësimin e iniciuesve dhe ithtarëve të ndryshimeve të propozuara për sa i përket ngritjes së kostos së jetesës, Oda Amerikane rikujton se tkurrja e kursimeve pensionale në llogari të përballimit të sfidave aktuale cenon prospektet për jetë të dinjitetshme pas moshës së pensionimit”.

Po ashtu, OAK thotë se duke pasë parasysh që një pjesë e fondeve të kursimeve pensionale janë të investuara në bonot e thesarit, tkurrja e mundshme e fondeve do të cenojë edhe mundësitë e shtetit për realizim të investimeve kapitale, e cila në anën tjetër do të ngadalësojë edhe rritjen ekonomike.

Reklama e sponzorizuar

“Përfitimet afatshkurta socio-ekonomike nga të mundësuarit e tërheqjes së kursimeve pensionale nuk do të tejkalonin në asnjë mënyrë pasojat negative të një mase të tillë. Prandaj, politikbërësit në Kosovë, shumica qeverisëse dhe opozita parlamentare, por edhe hisedarët e tjerë, duhet të përfshihen në dialog gjithëpërfshirës me qëllim të identifikimit të masave të duhura për tejkalim të krizës aktuale dhe asaj që mund të pasojë në muajt në vijim”.