Qeveria miraton draft koncept-dokumentin për themelimin e Fondit Sovran

Mbledhja e Qeverisë

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar, ka miratuar draft koncept-dokumentin për themelimin e Fondit Sovran.

Kryeministri Albin Kurti gjatë prezantimit të draftit për miratim, tha se me themelimin e Fondit Sovran synohet edhe mbyllja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Fondi në fjalë pas themelimit, do t’i ketë nën menaxhim të gjitha asetet strategjike të Kosovës dhe do ta mbajë përgjegjësinë për investimet dhe rritjen e vlerës së tyre.

Sipas Kurtit, me anë të Fondit Sovran gjithashtu synohet që të bëhet një transformim ekonomik, të ketë riorientim të investimeve dhe rritje të punësimit.

Reklama e sponzorizuar

Në bazë të paralajmërimeve të mëhershme të Qeverisë rreth themelimit të Fondit Sovran, ky i fundit pritet të jetë një mekanizëm i ri dhe efektiv për orientimin e investimeve, përmirësimin e qeverisjes korporative, ngritjen e konkurrueshmërisë dhe cilësisë, rritjen e shkathtësive dhe të punësimit, si dhe eliminimit të keqpërdorimit dhe korrupsionit në sektorin e ndërmarrjeve publike.

“Fondi Sovran do t’i japë një jetë të re shumë aseteve që qëndrojnë të mbyllura apo nënshfrytëzuara në fondin e AKP-së, përmes riorganizimit, rihabilitimit dhe rivitalizimit të tyre në forma të reja të funksionalizimit komercial dhe financiar”, thuhej në komunikatat qeveritare. /Buletini Ekonomik/