Çdo muaj shiten më shumë se sa prodhohen. Është kjo deklarata e Stephan Uinkelmann, president dhe CEO i Lamborghini. Ai shton se lista e pritjes për klientët që duan të blejnë automjet të kësaj marke është mbi një vit. Pasojat e luftës në Ukrainë apo ato të pandemisë së Kovid duket se nuk kanë ndikuar aspak. Vetëm një vit më parë Lamborghini dorëzoi 8.405 automjete tek klientë në të gjithë globin, 13% më shumë se një vit më parë, nga të cilat 5021 kërkesa ishin për Urus SUV, një sukses i jashtëzakonshëm që tërhoqi edhe klientelën femërore.
Në Sant’Agata Bolognese, ku ndodhet kompania, u regjistrua një xhiro prej 1.95 miliardë eurosh, me një fitim operativ prej 393 milionë euro, + 49% krahasuar me vitin 2020. Asnjë pasojë nuk ka pasur as nga mungesa e pajisjeve. Kjo pasi për shkak të marzhit të lartë dhe vëllimeve të ulëta, Lamborghini ka një korsi të privilegjuar brenda grupit Volkswagen – të cilit i përket. Për pasojë është pajisur me gjysmëpërçuesit e nevojshëm për të përshpejtuar zinxhirin e prodhimit në maksimum.
Kompania mund të përballojë të ardhmen e saj me vendosmëri, duke filluar nga rreth dy miliardë euro, plani më i lartë i investimeve në historinë e saj, për të vazhduar të rritet, me fuqi progresive. Përditësimi i gamës vazhdon, duhet të dalë në treg edhe një 4×4, së shpejti një version tjetër i Urus dhe motori legjendar V12 do të jenë ende në dispozicion të klientëve për pjesën më të madhe të dekadës.
Hapi i parë do të jetë hibridizimi i të gjithë gamës midis 2023 dhe 2024, për të reduktuar emetimet e dioksidit të karbonit me 50%, me premtimin se automjetet e gjeneratës së ardhshme do të jenë edhe më performuese se ato të sotme. Objektivi kryesor është që të prodhohen dy automjete hibride super sportive brenda vitit 2030 që falë benzinës sintetike do të kenë nivel shumë të ulët emetimesh.
Një ndryshim strategjie do të ketë edhe për sa i përket modës. Në vitin 2008 filluan të hidheshin në treg ngjyrat opake, edhe pse në terma industrializimi, fazat janë më komplekse. Sot Lamborghini ofron një panel të çdo nuance të mundshme, një mundësi që klientët e pëlqejnë shumë dhe është pjesë e personalizimit të makinës, e suksesit të programit të individualizimit./Scan TV/