Nga 1 euro e 54 sa ishte në fillim të marsit, në qershor çmimi i derivateve të naftës në Kosovë ka arritur tashmë vlerën 1 euro e 90 centë. Megjithatë, në këtë interval kohor, çmimi i naftës në vendin tonë, asnjëherë nuk gjeti stabilitet.
Më 31 mars, një litër naftë është shitur deri në 1 euro e 69 centë, ndërkaq benzina deri në 1 euro e 59 centë.
Nga fundi i marsit, çmimi i këtij produkti disa ditë kishte shënuar rënie deri në 1 euro e 49 centë.
Por vetëm përkohësisht.
Çmimi i naftës me pakicë në tregun e Kosovës gjatë majit dhe qershorit ka shënuar rritje rekorde.
Aktualisht, në disa pompa të derivateve, çmimi i naftës sillet rreth 1 euro 1 88 centë.
Nga ana tjetër, përfaqësues të naftarëve, çmimin e arsyetojnë për shkak se importi i këtij produkti nga kompanitë tregetare dhe furnizuese është blerë më herët, me çmim më të lartë.
Ndërkohë, nga përfaqësuesit e qeverisë, i gjithë inflacioni i çmimeve në vend, lidhet me luftën mes Rusisë dhe Ukrainës.
E me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve nga lëvizjet e mëdha të çmimeve, Qeveria e Kosovës, para disa jave, ka marrë vendim që të përcaktojë çmimet shitëse maksimale tregtare me shumicë dhe pakicë.
Ky vendim i qeverisë nuk po iu pëlqen Shoqatës së Naftarëve, të cilët para disa ditësh kanë dërguar në adresë të kryeministrit Kurti, një listë me kërkesa.
Ata kanë kërkuar nga Qeveria heqjen e akcizës dhe TVSH-së për produkteve të naftës.
Deri më tani, Kurti nuk iu ka kthyer përgjigje.
Megjithatë, nga kabineti qeveritar, naftarëve iu përgjigj ministri i Financave, Hekuran Murati.
Murati shkroi se thirrjet për ulje të akcizës së naftës janë thirrje për trashje të fitimit të tregtarëve.