Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot në seancë plenare ku në rend dite janë 20 pika.
Por më e rëndësishmja është pika tetë, apo shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-134 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 04/L-101 për fondet pensionale të Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr. 04/L-115, me Ligjin 04/L-168 dhe Ligjin nr. 05/L-116, që i hap rrugë tërheqjes së 30% të mjeteve të Trustit.
Lëvizja Vetëvendosje që udhëheq e vetme dhe ka numrin me të madh të deputetëve është shprehur kundër miratimit të këtij projektligji, duke thënë se është një ide politike dhe që kërkon tetë vite rikuperim.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bsilimi, deklaroi se rreth 800 mijë qytetarë, apo më shumë se 70 përqind e popullsisë në moshë të rritur, nuk mund të përfitojnë asgjë nga kjo skemë ose përfitojnë pjesa më e vogël e tyre, 337 mijë në mesatare diku ne shumë prej 120 euro.
“Tash për një fenomen, i cili është identifikuar si problem i madh, si ka mundësi që zgjidhja të gjendet në një instrument i cili siguron një tërheqje prej 120 eurosh dhe ky projekt mbështet nga një grupacion politik, i cili publikisht ka thënë se masa e Qeverisë për 100 euro, është asgjë. Pra, si ka mundësi që një masë e Qeverisë, e cila 800 mijë qytetarë u ndanë nga 100 euro është asgjë, ndërkaq masa e propozuar, e cila ta shkatërron sistemin pensional, të kërkon tetë vjet për të rikuperuar dëmin”, theksoi Bislimi.
Partia Demokratike e Kosovës, si sponsorizuese e këtij projektligji, ka kërkuar nga deputetët e të gjitha partive politike që në seancën e Kuvendit të Kosovës të votojnë pro pikës për tërheqjen e mjeteve nga Trusti, për t’i ndihmuar qytetarët e Kosovës të cilët nga fillimviti 2020 po përballen me krizën financiare.
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu u shpreh se janë bërë 100 ditë prej kur Projektligji për Trustin është dërguar në Kuvend, por trajtimi i tij është shtyrë nga pushteti i Albin Kurtit, sipas tij, me qëllim që të ushtrohet presion mbi deputetët që të mos e përkrahin këtë projektligj.
“Në emër të PDK-së i ftojmë të gjithë deputetët pa dallim pozitë dhe opozitë që të mbështesin me votë Projektligjin për Trustin. Ata janë të zgjedhur me votë të qytetarëve dhe duhet të votojnë për kërkesën e qytetarëve… E kemi parë që shumë politikanë dhe familjarë të vet kanë tërhequr mjete nga Trusti dhe është e pamoralshme që kjo të mos u mundësohet qytetarëve. Kur edhe vetë drejtori i Trustit ka tërhequr mjetet nga Trusti atëherë pse kjo t’u ndalohet atyre që kanë kursime”, deklaroi Haxhiu.
Për të lejuar tërheqjen e mjeteve të 30% të Trustit ditë më parë është organizuar edhe një protestë, ndërsa edhe sot për në mesditë është paralajmëruar një tjetër protestë që kërkohet të miratohet ky projektligj.
Para dy vitesh ishte lejuar tërheqja e menjëhershme dhe e parakohshme e 10% të kursimeve pensionale. Sipas të dhënave, asokohe janë tërhequr mbi 198 milionë euro nga 427,371 kontribues.