Në Kosovë, sado që ka mungesë evidente të energjisë elektrike dhe sado që ka rezerva marramendëse të qymyit ( rreth 12-13 miliardë tonelata rezerva të verifikuara), dhe sado që kjo sasi e këtij resursi natyror energjetik gjendet thuaja në sipërfaqe të tokës dhe te dera e termocentraleve të vjetëruara, mundësia e përdorimit të qymyrit si burim energjetik edhe në këtë kohë krize të madhe, pra edhe përkohësisht, është thuajse e eliminuar. Për rikthimin e qymyrit si mundësi dhe si përvojë e shumë shteteve të fuqishme europiane, nuk flet askush me dëshirë.
Mehmet GJATA
Qymyri është rikthyer sërish në përdorim të domosdoshëm kohët e fundit, sidomos te vendet e kamura, me ekonomi dhe industri potente dhe me kapital të imponueshëm. Kush, kishte me thënë që pas gjithë këtyre dokumenteve anti-qymyr, rezolutave dhe traktateve kundër karbonit, do të ndodhë rikthimi i qymyrit te shtetet industrialisht të fuqishme dhe të veçuara si luftëtare të paepura kundër përdorimit të tij si burim energjetik.
Deri para disa muajsh as që i ka shkuar ndokujt ndër mend, që kaq shpejtë dhe kaq lehtësisht do të mbylleshin sytë për t’u mos u parë pasojat e karbonit, për të cilat bota dhe shtetet e BE-së ‘ag e terr’ nuk pranin duke i alarmuar ato. Sikur u harruan përnjëherë dëmet dhe pasojat nga karboni dhe nga ndotja e ambientit, të publikuara dhe të shprehura gjithandej, në medie, në konferenca, në forume ndërkombëtare, të elaboruara deri në detaje, me shifra grafikone dhe dokumente obligative prej më të ndryshmeve që sanksiononin deri në shpërfaqjen e krizës së rëndë energjetike përdorimin e thëngjillit si burim energjetik me shekuj, thuaja i pazëvendësueshëm në shumë vende. Të fuqishmit i harruan afatet e përcaktuara për zëvendësimin e megavatëve të energjisë të prodhuar nga thëngjilli me megavatët e premtuar të energjisë së pastër-asaj të rinovueshme. Po i kthehen, pra qymyrit.
Lufta ruso-ukrainase dhe kriza e shkaktuar nga reduktimi drastik i furnizimeve me gaz nga Rusia, e bëri sërish qymyrin në mënyrë të papritur shumë të kërkuar në Austri dhe Gjermani.
Për të shmangur mungesën e energjisë, centrali i Melak në jug të qytetit të Graz-it në Austri, po përgatitet të prodhojë energji elektrike me qymyr. Hera e fundit që ky burim energjie u përdor në central, ishte në fund të marsit në vitin 2020.
Ministria austriake e Ambientit në një deklaratë për mediat sqaroi se centrali po rinovohet në mënyrë që të funksionojë sërish me qymyr, në rast se do të krijohet situatë emergjente për shkak të ndërprerjes së furnizimeve. Edhe Ministria gjermane e Ekonomisë synon që centralet elektrike të funksionojnë sërish me qymyr, të paktën përkohësisht. Nyk e fshehin fare tashmë këtë synim as Austria, as Gjermania, edhe pse një rikthim te qymyri ka shkaktuar zemërim tek ambientalistët në të dyja vendet, duke akuzuar qeveritë përkatëse se kanë braktisur objektivat për të ndaluar ngrohjen globale.
Berlini pranoi se rikthimi në përdorim i qymyrit është diçka e hidhur por shumë e domosdoshme në këtë situatë emergjence. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, investimet globale të energjisë do të rriten me më shumë se 8% në 2022 dhe do të arrijnë në 2.4 trilionë dollarë, me një rritje të dukshme për zinxhirët e furnizimit me qymyr, por do të kërkohen shumë më tepër ‘para’ nëse synimet e lidhura me klimën do të përmbushen.
Një numër i ekonomive të mëdha kanë formuluar plane për të reduktuar varësinë e tyre nga hidrokarburet ruse në muajt e fundit, dhe në këto plane gjithnjë e më shumë zë vend rikthimi i qymyrit. Në Europë, flukset e reduktuara të gazit rus kanë shtyrë, pos Austrisë dhe Gjermanisë edhe disa qeveri të konsiderojnë një rikthim në qymyrin. Më konkretisht, Gjermania, Italia, Austria dhe Holanda kanë treguar që të gjitha se termocentralet me qymyr mund të përdoren për të kompensuar një ulje të furnizimit me gaz rus. Holanda, këto ditë, madje tha se do të hiqte të gjitha kufizimet në termocentralet e ndezura nga karburantet fosile, të cilat më parë ishin të kufizuara në pak më shumë se një të tretën e prodhimit.
Në Kosovë, megjithatë, sado që ka mungesë evidente të energjisë elektrike dhe sado që ka rezerva marramendëse të qymyit (rreth 12-13 miliardë tonelata rezerva të verifikuara) dhe sado që kjo sasi e këtij resursi natyror energjetik gjendet thuaja në sipërfaqe të tokës dhe te dera e kapaciteteve të vjetëruara energjetike, mundësia e përdorimit të qymyrit si burim energjetik edhe në këtë kohë krize të madhe, pra edhe përkohësisht, është thuaja se e eliminuar. Për rikthimin e qymyrit si mundësi dhe si përvojë e shumë shteteve të fuqishme europiane, nuk flet askush me dëshirë. Madje, eksertët e shumtë të energjetikës në KEK dhe njohësit e zhvillimeve energjetike më me ëndje heshtin fare, se sa flasin publikisht për nevojat e domosdoshme për të investuar, qoftë në rindërtimin e kapaciteteve të stërvjetruara elektroenergjetike, qoftë në ndonjë kapacitet eventual të ri fare.
Me fjalë të tjera, rikthimi i mundshëm i qymyrit në Kosovë është i anatemuar pafundësisht dhe në njëfarë mënyre është bërë temë tabu.
Edhe në vizionet zhvillimore dhe në dokumentet që përmbajnë këto vizione, qymyi si resurs i deritashëm dhe mbi 90 për qind burim energjetik i vendit, është larguar thuaja tërësisht. Që në fillim të Strategjisë Energjetike 2022-2031, që këto ditë gjendet në diskutim publik, ku me shifra dhe afate, parashihet goxha sasi e gjeneruar e energjisë elektrike, bëhet fare pak fjalë për qymyrin.
Ky dokument për zhvillimet e ardhshme energjetike mbështetet kryekëput në prodhimin e energjisë së rinovueshme duke potencuar si objektiv strategjik dekarbonizimin dhe promovimin e energjisë së ripërtëritshme.
“Një sektor energjetik pa CO2 deri në vitin 2050, i integruar në tregun Pan-Evropian, që garanton siguri të furnizimit me energji elektrike dhe përballueshmëri për qytetarët”, theksohet që në fillim të Strategjisë.
Me fjalë të tjera, hartuesit e Strategjisë Energjetike, me gjasë, të ndikuar nga presioni ndërkombëtar i bërë para krizës globale energjetike për dekarbonizimin e sektorit energjetik, kanë anashkaluar thuaja fare përdorimin e qymyrit si burim akoma të nevojshëm. Kanë anashkaluar qymyrin edhe si resurs për të siguruar më shumë dhe më urgjentisht energjinë që na mungon, por edhe në periudha afatgjata, pa dhënë ndonjë sqarim se si do të sigurohet energji elektrike që i mungon konsumit kosovar më shpejtë, bie fjala gjatë këtij dimri dhe dimrave deri më 2025, kur është parashikuar të shtohet prodhimi i energjisë së rinovueshme në 500 megavatë.
“Vendimi për rinovimin e njësisë së dytë të Termocentralit Kosova A, do të merret më së voni në vitin 2024. Njësia (njësitë) e rinovuar(a) të termocentralit “Kosova” A” do të punojnë si rezervë strategjike nga viti 2028, që do të thotë se kjo (këto) njësi do të jetë (jenë) të disponueshme në sezonin e ngrohjes kur kërkesa për energji elektrike është më e lartë, ose në raste të jashtëzakonshme si kriza e fundit energjetike. Njësitë e Kosovës A të cilat nuk janë aktualisht në përdorim (A1 dhe A2) do të dekomisionohen, ndërsa njësia e tretë operuese e këtij termocentrali do të mbyllet përgjithmonë pasi të ketë përfunduar rinovimi i njësive të tjera të linjitit”, sqarohet në Strategjinë Energjetike 2022-2031, nga ku nënkuptohet se deri në vitin 2024, as që bëhet fjalë për investime eventuale në rindërtimin e ndonjë blloku të ‘Kosovës A’.
Dhe kjo nënkupton, se as që do bëhet fjalë për rikthim të vëmendjes te qymyri si resurs energjetik, pa të cilin Kosova realisht do ta ketë shumë të vështirë të ketë energji të mjaftueshme dimrave në vazhdim. Por, nënkupton edhe faktin e pakonstestueshëm se në këto vite, pa investime në rinovimin e disa njësive ekzistuese të termocentraleve ‘Kosova A’ dhe të dy blloqeve të ‘Kosovës B’, ose pa rindërtimin e tërësishëm të disa blloqeve të ‘Kosovës A’, Kosova nuk do të ketë rrymë të mjaftueshme të vetë as deri më 2025, kur parashihet që kapacitetet e energjisë së rinovueshme të arrijnë 500 megavatë. Sepse, edhe po qe se Kosova më 2025 do të kishte arritur të ketë 500 megavatë nga energjia e ripërtëritshme, kjo sasi është e barabartë sa prodhimi aktual i një blloku e gjysmë të ‘Kosovës A’.
Dihet se fuqia e instaluar e paneleve solare dhe të centraleve në bazë të erës, asnjëherë nuk mund të arrihet dhe ato rëndom prodhojnë diku te gjysma e fuqisë së instaluar, ndërsa në Kosovë edhe më pak, për shkak të mungesës së bollshme të erës dhe të diellit. Edhe një fakt tjetër tepër i rëndësishëm, dhe për shumë punonjës e ekspertë të KEK-ut, e i domosdoshëm, që po anashkalohet nga zyrtarët dhe vendimmarrësit, është rreziku shumë i madh që paraqesin blloqet e aktivizuara të stërvjetruara të ‘Kosovës A’, të cilat janë në prodhim që nga vitet e gjashtëdhjeta dhe sot e kësaj dite ato ende prodhojnë, por paraqesin rrezik permanent për punonjësit dhe popullsinë përrreth, nga vjetërsia dhe amortizimi i stabilimenteve të tyre. Dhe, për këtë shkak, këto blloqe të ‘Kosovës A’, ose duhet urgjentisht të rinovohen tërësisht, ose duhet t’ua vëmë dryrin. Tjetër zgjidhje nuk ka, potencojnë në unison ekspertët e KEK-ut.
“Termocentralet ‘Kosova A’ duhet ose të mbyllen fare, ose të rindërtohen. S’ka asnjë alternativë tjetër”, kjo ishte përgjigjja e prerë e Luigj Ymerit, një njohës i dëshmuar i zhvillimeve energjetike në vend dhe në botë, në interesimet e mëhershme të Buletinit Ekonomik për “fatin” e mëtejshëm të këtij kapaciteti elektroenergjetik të stërvjetruar tashmë, dhe si i tillë edhe jo pak i rrezikshëm për 700 punëtorët e angazhuar aty, por edhe më se i nevojshëm për stabilitetin e sistemit eketroenergjetik të vendit dhe për përmbushjen e mbi një të tretave të nevojave të konsumit kosovar për rrymë.
Dihet Kosova A, tre blloqet (A3, A4 dhe A5), edhe kështu si janë, në një gjendje të mjerueshme nga vjetërsia e tyre dhe larg çdo standardi sipas ligjeve në fuqi për prodhimin e energjisë nga termocentralet, janë më se të nevojshme për KEK-un dhe mbarë Kosovën për të kompenzuar mungesat e rrymës dhe për të mos u futur në ‘qorrsokak’, që pastaj vështirë t’i dilet mbanë nga importi me çmime stratosferike të rrymës. Sepse, ‘Kosova A’ akoma prodhon 35 për qind të energjië elektrike të vendit. Dhe kjo sasi është kolosale edhe për nga vlera financare, kur gjithnjë e më shumë kudo në botë po shpërfaqen përmasat dhe pasojat e frikshme të krizës energjetike, e cila e ka përfshirë tashmë jo pak edhe Kosovën.
Sidoqoftë, tani shtrohet pyetja, çka do të bëhet për ta kompenzuar mungesën e energjisë në vitet në vazhdim. A do të ketë Kosova paratë e bollshme për të importuar energji super të shtrenjtë në stinën e dimrit, kur gjithmonë ka qenë më e shtrenjtë energjia elektrike, dhe tani kur ajo mungon gjithandej në tregjet ndërkombëtare të energjisë, s’do mend që do të ketë çmime stratosferike.
Ekspertët që tani shprehen me pesimizëm edhe për arritjen e synimeve të shtetit që deri më 2025 të ketë 500 megavatë energji elektrike nga kapacitetet e rinovueshme. Si do të arrihet të prodhohet brenda 2-3 vjetësh kjo sasi, kur këto synime akoma janë vetëm vizione dhe projeksione pa asnjë veprim konkret për të nisur ndërtimin e ndonjë kapaciteti të energjisë së rinovueshme?
Sipas një inxhinieri të KEK-ut, njohës i mirë i zhvillimeve energjetike te ne, që e preferon anonimitetin, për të pasur kapacitetet e energjisë së rinovueshme që më 2025 do të arrinin 500 megavatë, do të duhej tani ndonjë central, qoftë me diell, qoftë me erë, që së paku aktualisht të ishin në fazën fillestare të ndërtimit.
Në kushtet optimale, sipas tij, ndërtmi i një kapaciteti të tillë zgjatë 2-3 vjet. Në Kosovë, gjithsesi kjo kohë gjithmonë ka qenë më e gjatë, prandaj do të jetë pikëpyetje e madhe nëse do të arrihen projeksionet e parashikuara me Strategjinë energjetike 2022-2031, për energjinë e ripërtëritshme.
“Strategjia jonë e energjisë është 100 përqind në përputhje me planet e BE-së. Ne si shtet duke qenë pjesë e proceseve të reformave dhe nënshkrues të traktatit të energjisë, mirëpo edhe për agjendën e gjelbër në Sofje, kemi marrë premtime për ta bërë Kosovën shtet neutral sa i përket emetimit të dioksidit të karbonit”, ka thënë edhe një herë së fundi, me rastin e diskutimit publik të Strategjisë energjetike, ministrja Artane Rizvanolli.
Por, me faktin e rikthimit kah qymyri të Gjermanisë, Austrisë, Holandës dhe Italisë, planet e BE-së kanë ndërruar pak.
Zyrtarët e Kosovës së pasur me qymyr, duhet ta kenë parasysh këtë fakt. Mos të anatemohet qymyri, as mos të bëhet tabu, siç është bërë në këto vitet e fundit. Duhet menduar dhe analizuar mirë e mirë, pastaj të vendoset a të flaket ky resurs tërësisht, apo të investohet në shfrytëzimin e tij. Tani, ka pajisje e pajisje shumë moderne, e të sofistikuara, që mundësojnë në përqindje të lartë të sigurojnë ambient më të pastër edhe nga djegja e qymyrit. Shtetet e BE-së që po e kthejnë këtë resurs, i kanë parasysh këto fakte. Duhet t’i kemi edhe ne.
Në asnjë mënyrë nuk duhet frikësuar skajshmërisht as nga taksa e karbonit, me të cilën deri tash është kërcënuar edhe Kosova si përdoruese e madhe e qymyrit për të prodhuar energji elektrike. Domosdo që është më lirë energjia e prodhuar këtu nga qymyri i bollshëm dhe që gjendet thuaja në sipërfaqe të tokës, se sa të sigurohet nga importi me çmimet tashmë të provuara, qoftë edhe me taksa të shtrenjta të karbonit. Të gjitha opsionet duhet menduar shtruar. Dhe, Kosovës i duhet energjia elektrike për nevojat e konsumit gjithnjë në rritje. /Buletini Ekonomik/