Rritja ekonomike e pamjaftueshme për punësim në Kosovë

Rritja ekonomike në Kosovë, pavarësisht që është me e larta në rajon, me 4.2 përqind, nuk po përkthehet në rritje të GDP-së. Kështu vendi ynë mbetet i vetmi në Ballkan që nuk shënon rritje në numrin e të punësuarve dhe i vetmi vend me rritje të boshllëkut të fuqisë punëtore mes femrave dhe meshkujve.

Ndërkohë që rritja ekonomike vjen kryesisht nga rritja e investimeve kapitale dhe rritjes së konsumit, si rezultat i rritjes së pagave dhe remitencave stabile, por nuk po përkthehet në vende të punës.

Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi thotë se gjendja është edhe më e rëndë, pasi që Kosova jo vetëm që nuk ka pasur rritje të punësimit, por ka shënuar rënie të numrit të të punësuarve.

Reklama e sponzorizuar

“Këto shifra, për ne janë të palogjikshme të rritjes ekonomike, duke marrë parasysh se Kosova jo vetëm se nuk ka pasur rritje të punësimit, por ka pasur zvogëlim të numrit të punëtorëve, do të thotë ka rreth 15 mijë veta më pak në vitin 2018 se në vitin 2017 dhe për 6 vitet e kaluara, Kosova e ka rritur numrin e të punësuarve për 7 mijë veta. Rreth 30 mijë veta çdo vit dalin në treg. Kjo është një gjendje shumë e rëndë në Kosovë dhe si rezultat i kësaj jo vetëm që nuk kemi rritje ekonomike, por kemi edhe rritje të importit dhe zvogëlim të eksportit”, shprehet ai, raporton kosovapress.

Krasniqi tregon edhe arsyet që sipas tij, e kanë sjellë ekonominë e vendit në një gjendje të tillë.

“Këto po vijnë si rezultat i mungesës të ofertës së të bërit biznes, ofertës praktike, mungesës së ligjeve të të bërit biznes, mungesës së funksionimit të gjykatave, sepse realisht ne e kemi pasur një Gjykatë ekonomike dhe e kemi hequr, dhe kjo e ka penguar dhe e ka rënduar të të bërit biznes. Detyrimi i shtetit që të paguajë dy paga pune dhe të gjitha këto kanë sjellë këtë gjendje në të cilën jemi, gjendje jo shumë ose hiq e mirë e të bërit biznes”, thotë ai.

Sipas tij, bizneset duhet të bashkohen më shumë për të bërë presion tek institucionet e vendit, për të përmirësuar klimën e të bërit biznes në praktikë.

Se përkundër rritjes ekonomike, vendi nuk ka shënuar ngritje në numrin e të punësuarve, thotë edhe profesori universitar Muhamet Mustafa.

“Kosova derisa nuk e arrin një ritëm të zhvillimit ekonomik në 7 përqind e mbi 7 përqind, nuk do të hetohen efektet pozitive as në krijimin e vendeve të punës, e as në uljen domethënëse të papunësisë, e as në zvogëlimin e deficitit tregtar. Kryesore është që ne të aftësohemi me prodhuar më shumë produkte dhe shërbime në treg edhe për tregun e brendshëm, por edhe për eksportin, sepse ajo gjeneron më shumë investime dhe më shumë vende të punës”, thotë ai.

E kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka e vlerëson pozitivisht rritjen ekonomike, por thotë se janë burimet e paqëndrueshme ekonomike që pamundësojnë krijimin e vendeve të reja të punës.

“Është pozitive që kemi pasur edhe vitin e kaluar një normë të tillë të rritjes ekonomike prej 4.2 përqind. Por, këtë vit është, sikur edhe vitin e kaluar. Kjo normë, nëse kemi parasysh burimet që ndikojnë në këtë rritje ekonomike, nuk mundëson krijimin e vendeve të reja të punës, për shkak se burimet janë goxha të paqëndrueshme. Bëhet fjalë për dërgesat e diasporës ose për remitencat, të cilat përfundojnë në konsum edhe nga investimet e sektorit publik”, shprehet Zeka.

Ai tregon për KosovaPress se çka duhet të bëhet në këtë situatë, dhe mbështetja e institucioneve për prodhuesit vendor, sipas Zekës duhet të ndodhë në mënyrë të vazhdueshme.

“Ajo që duhet të ndodhë është që institucionet të mbështesin edhe më tej prodhuesit vendor qoftë në ngritjen e cilësisë, qoftë në përmirësimin e infrastrukturës, ashtu që ata të mund të eksportonin produktet e tyre në BE dhe në tregjet e shteteve të tjera me të cilat ne kemi marrëveshje për tregti të lirë… Ajo çka duhet të ndodhë që të shohim një rritje të investimeve të huaja direkte dhe shtim të investimeve të sektorit privat në përgjithësi, edhe të investimeve të brendshme edhe të jashtme, që në periudhë afatgjatë do të ndikonin në krijimin e vendeve të reja të punës dhe në një zhvillim të përgjithshëm dhe të qëndrueshëm ekonomik”, thotë ai.

Sa i përket deficitit tregtar në anën tjetër, Zeka shprehet se mbyllja e vitit të kaluar me një deficit tregtar prej 2.7 miliardë euro, që është mbi 40 përqind e bruto produktit vendor, është reflektim i bazës prodhuese në përgjithësi dhe reflektim i politikave të gabuara fiskale prej vitit 1999 e tutje.