Deputeti Dreshaj: Rugova si komunë turistike do të përfitonte gjithanshëm

Pjesa dominuese e Parkut Nacional “Bjeshkët e Nemuna”, i takon Rugovës, përkatësisht 52.1% e hapësirës gjeografike të këtij parku, ose rreth 32,847 hektarë, zonë e banuar me shekuj, me 14 vendbanime të përhershme, i takojnë rajonit të Rugovës. Rugova si komunë turistike do të përfitonte shumë, pasi do t’i hapej mundësia të vëllazërohej edhe me komunat tjera turistike në rang rajoni, kontinenti dhe më gjërë. Kjo do të ofronte gjasa të mira tutje edhe për hartimin e projekteve zhvilllimore bazuar në nevojat dhe potencialet zhvillimore vendore.

 Buletini Ekonomik

“Rugova si komunë turistike do të përfitonte shumë, duke u vëllazëruar me komunat turistike në rang rajoni, kontinenti dhe më gjërë. Kjo do të ofronte gjasa të mira për hartimin e projekteve zhvilllimore bazuar në nevojat dhe potencialet zhvillimore vendore”, ka thënë Shemsedin Dreshaj, infektolog i njohur kosovar dhe deputet në Kuvendin e Kosovës, në një intervistë për Buletinin Ekonomik, duke e arsyetuar propozimin e tij të bërë në një nga mbledhjet e fundit të Kuvendit të Kosovës, që Rugova dhe rajoni i saj, të shpallet komunë turistike.

Sipas tij, termi “Komunë Turistike” nuk është term i ri, është i njohur për shumë shtete të botës. Në bazë të këtij termi, komuna ose regjioni do të menaxhohet bazuar në nevojat dhe kërkesat specifike që dalin nga popullata vendore.

Reklama e sponzorizuar

Dreshaj në këtë intervistë thotë se “arsyetimi se me shpalljen e kësaj zone “Park Nacional” nën preteksin e ruajtjes së diversitetit natyror dhe resurseve natyrore”, është i paqëndrueshëm.

Ai shtron pyetjen se “Kush e ruajti këtë diversitet dhe këtë pasuri kombëtare me shekuj, rugovasit, ligjet apo okupatorët ndër shekuj?”

Dreshaj në intervistën për Buletinin Ekonomik shprehet se nga viti 2012, kur Rugova u shpall pjesë e Parkut Nacional, dora e shtetit në mbështetje zhvillimore dhe në mbrojtje të resurseve ekzistuese në këtë zonë, ishte minore dhe individuale, pasi që ndërtimet e egra nuk u ndalën, pyjet nuk mirëmbahen, dhe shteti nuk ka hartuar asnjë plan strategjik të zhvillimit për këtë regjion.

Sipas tij, rikthimi i popullatës vendore në shtëpitë dhe fshatrat e tyre, është i ndërlidhur me krijimin dhe ofrimin e një infrastrukture premtuese, gjë që për 10 vjet nuk ka ndodhur.

“Modeli i deritashëm i menaxhimit të zonës së Rugovës është dëshmuar jo efikas, dhe si i tillë nuk i ka kontribuar ruajtjes së diversitetit dhe rikthimit të shpresës për një të nesërme më të mirë. Mungesa e shkollave, shërbimeve shëndetësore, infrastrukturës së mirëfilltë, e ka stimuluar shpërnguljen e asesi rikthimin”, ka theksuar Dreshaj.

 

Intervistën e plotë të Buletinit Ekonomik me deputetin e Kuvendit të Kosovës, Shemsedin Dreshajn, mund ta lexoni në vijim:

Buletini Ekonomik: Zoti Dreshaj, në mbledhjen e fundit të Kuvendit të Kosovës, ju keni propozuar që Rugova dhe rajoni i saj, të shpallet komunë turistike. A mund të na tregoni se cili ishte motivi dhe shtysa për të bërë këtë propozim goxha interesant dhe mbase unik në vendin tonë?

Shemsedin Dreshaj: Pjesa dominuese e Parkut Nacional “Bjeshkët e Nemuna” i takon Rugovës, përkatësisht 52.1% e hapësirës gjeografike të këtij parku, ose rreth 32,847 hektarë, zonë e banuar me shekuj, me 14 vendbanime të përhershme gjë që nuk mund të thuhet edhe për pjesën tjetër të PK “Bjeshkët e Nemuna”. Llogaritet se rreth 60% e kësaj sipërfaqeje është në pronësi private, të trashëguar brez pas brezi, ose është në proces kontestues ligjor që ende nuk është i përfunduar.

Buletini Ekonomik: Çka do të përfitonte Rugova po të shpallej komunë turistike? Sipas jush, përfitimet më të shumta do të ishin në ruajtjen e Rugovës nga “ndëshkimet” e mëtejshme të kësaj zone, apo nga zhvillimi turistik?

Shemdedin Dreshaj: Termi “Komunë Turistike” nuk është term i ri, është i njohur për shumë shtete të botës. Komuna ose regjioni menaxhohet bazuar në nevojat dhe kërkesat specifike që dalin nga popullata vendore. Arsyetimi se me shpalljen Park Nacional nën preteksin e ruajtjes së diversitetit natyror dhe resurseve natyrore, është i paqëndrueshëm. Bëj pyetjen: Kush e ruajti këtë diversitet dhe këtë pasuri kombëtare me shekuj, rugovasit, ligjet apo okupatorët ndër shekuj?

Rugova si komunë turistike do të përfitonte shumë, duke u vëllazëruar me komuna tjera turistike në rang rajoni, kontinenti dhe më gjërë. Kjo do të ofronte gjasa të mira për hartimin e projekteve zhvilllimore bazuar në nevojat dhe potencialet zhvillimore vendore.

Buletini Ekonomik: Në Kuvendin e Kosovës, ju keni theksuar se “dora e shtetit në këtë zonë është ndëshkuese. Shteti i mbylli shkollat dhe stacionet shëndetësore dhe në mungesë të kushteve, rugovasit u detyruan të shpërngulen nga trojet e tyre. Dhe, nga 2.000 banorë rezidentë sa ishin në vitin 2000, sot në këtë zonë të vendit janë vetëm 400”. Pse mendoni se shpallja komunë turistike, do të ndikonte që rugovasit të mos dynden më nga shtëpitë e tyre?

 Shemsedin Dreshaj: Nga viti 2012, kur Rugova u shpall pjesë e parkut nacional, dora e shtetit në mbështetje zhvillimore dhe në mbrojtje të resurseve ekzistuese, ishte minore dhe individuale, pasi që ndërtimet e egra nuk u ndalën, pyjet nuk po mirëmbahen, dhe shteti nuk hartoi plan strategjik të zhvillimit për këtë regjion. Pyetja juaj lidhur me rikthimin e popullatës vendore, nënkupton krijimin dhe ofrimin e një infrastrukture premtuese, gjë që për 10 vjet nuk ka ndodhur. Ky model i menaxhimit është dëshmuar jo efikas, nuk i ka kontribuar ruajtjes së diversitetit dhe rikthimit të shpresës për një të nesërme më të mirë. Mungesa e shkollave, shërbimeve shëndetësore, dhe infrastrukturës së mirëfilltë, stimulon shpërnguljen e asesi rikthimin.

Buletini Ekonomik: Statusi i komunës turistike, sipas jush, a do të ndalonte apo së paku a do ta zbuste problemin e kahershëm prezent në Rugovë, prerjen ilegale të pyjeve të këtushme dhe me këtë degradimin e natyrës së mrekullueshme të këtij rajoni dhe shkaktimin e dëmeve të tjera të shumta?

Shemsedin Dreshaj: Keqbërës dhe dëmtues ka kudo. Prerjen ilegale e rregullon ligji për pyje, e jo ligji i parkut nacional. Dëmtuesit dhe keqbërësit i përgjigjen legjislacionit aktual, madje mendoj se ky ligj duhet të jetë më i detajuar dhe më ndëshkues për ata që e dëmtojnë perspektivën e së nesërmes.

Buletini Ekonomik: A mendoni se ndërtimet e panumërta ilegale që po vazhdojnë përditë e më shumë, sidomos në fshatrat më atraktive të Rugovës, do të stopoheshin në njëfarë mënyre dhe me këtë edhe shëmtimi dhe shkatërrimi i këtyre pikave turistike me statusin e propozuar nga ju?

Shemsedin Dreshaj: Kjo pyetje është shumë përmbajtësore. Ndërtimet ilegale dhe mungesa e legalizimit të ndërtimeve të cilat nuk dëmtojnë planet komunale hapësinore, në mbarë vendin e poashtu edhe në Rugovë, favorizojnë që kjo dukuri të vazhdojë. Pa dyshim kjo duhet të jetë alarm për shtetin që të veprojë në rang vendi. Flas për Rugovën, së pari duhet vlerësuar situata aktuale ndërtimore, ajo që është konform me planin hapësinor të shtetit për këtë rajon, të legalizohet, ndërsa ndërtimet e reja të bëhen konform planeve zhvillimore.

Buletini Ekonomik: Ju në Kuvendin e Kosovës shpërfaqët edhe shqetësimin për bizneset në Rugovë, të cilat sipas jush, nuk po pajisen me leje ndërtimi të mirëfilltë nga shteti. Pse në Rugovë të gjtha bizneset, përkundër pagesës së takasave të kërkuara, qenkan gjysmëlegale, sipas jush?

Shemsedin Dreshaj: Problem i veçantë janë ivestimet e bëra në biznese turistike, ku biznesi është legal, bëhen pagesat e rregullta për shërbime komunale dhe shtetërore, por ndërtimi ende nuk është i legalizuar. Keto biznese duhet te legalizohen plotësisht dhe të jenë perfitues të projekteve zhvillimore që ofron legjislacioni vendor dhe ai ndërkombëtar. Ju perkujtoj se asnjë objekt biznesor e asnjë objekt familjar, i ndërtuar mbi Patriarkanë, qoftë i ndërtuar në pronën private ose kontestuese, ende nuk është i legalizuar.

Buletini Ekonomik: Pse kërkuat që prona private në zonën e Rugovës të shfrytëzohet sipas ligjeve në fuqi, përkatësisht si është shfrytëzuar deri tash toka në Rugovë dhe sipas cilave ligje?

Shemsedin Dreshaj: Rugovasit respektojnë ligjin, për këtë kanë luftuar me shekuj. Kosova është shteti dhe vendi i tyre. Menaxhimi i derisotëm, pa marrë parasysh si është bërë, nuk do të thotë se duhet bekuar e mira, duhet mbështetur dhe promovuar, ndërsa veprimet e këqija duhet ndalur.

Buletini Ekonomik: Po kështu, keni kërkuar që edhe prona pyjore të menaxhohet në mbështetje të ligjeve. Si janë menaxhuar deri më tani pronat pyjore në këtë rajon?

Shemsedin Dreshaj: Ka periudha dhe modele të ndryshme se si është menaxhuar regjioni i Rugovës. Periudha e okupimit otoman dhe serb, ishte model ndëshkimor, me shumë pak influencë, pasi që Rugova ishte rezistuese dhe nuk pranonte ligjet e tyre. Nga viti 1918 e deri në vitin 1976, vetë-administrohej me dy qendra lokale administrative, njëra në Kuçishte e tjetra në Drelaj. Pyjet çdo herë janë menaxhuar bazuar në ligjin për pyje. Dhe kështu duhet, ligji është ligj si për pushtetin lokal e po ashtu edhe atë qendror. Sot është një situatë anarkike, pasi pyjet si në pronësinë private e poashtu edhe në atë publike, nuk mirëmbahen në emër të ruajtjes së tyre.

Buletini Ekonomik: Çka nënkupton kërkesa e juaj që “zonimi hapësinor të bëhet në mënyrë korrekte”?

Shemsedin Dreshaj: Kjo është pyetje tejet e ndjeshme dhe shumë përmbajtësore. Përderisa zonimi deri diku i ka përfillur pronësitë private në vendbanimet e 14 fshatrave të Rugovës, pjesa në të majtë te Lumbardhi i Pejës, prej bjeshkëve të Lumbardhit, Neqinatit të Drelajve dhe Neqinatit të Kuçishtes, janë zona 1 dhe 2, ndërsa në këtë pjesë mbi 60% janë prona private. Për këtë kërkoj që kjo të respektohet, pasi që prona private është e shenjtë. Kjo pjesë edhe më herët është menaxhuar nga komuna me ligjet për shfrytëzimin e pyjeve dhe kullotave.

Buletini Ekonomik: Po pushteti komunal, në gjithë këto propozime dhe probleme të evidentuara dhe të shpërfaqura nga ju ku qëndron, cila do të duhej të ishte detyra e komunës së Pejës në zgjidhjen e këtyre çështjeve?

Shemsedin Dreshaj: Së pari qytetarit duhet t’i mundësohet jetë më e mirë dhe më e lehtë. Veteadministrimi lokal do të mundësonte që problemet lokale të kësaj treve të menxhohen më shpejtë. Problemet e kësaj treve më së miri i dinë rugovasit. Shteti është për të ndihmuar qytetarin e jo për t’ua pamundësuar jetën, duke vendosur ligj mbi ligj, duke vështirësuar proceset e aplikimit dhe fitimit eventual të granteve të ndryshme. Vetë-administrimi do të mundësonte që këta banorë të aplikojnë për mbështetje materiale përmes granteve qeveritare dhe atyre ndërkombëtare. Dikur Rugova kishte pika grumbulluese për shumë produkte vendore, ndërsa sot këto aktivitete janë ndërpreë pothuajse krejt. Nuk ka më as blegtori. Projekti i shume promovuar nga qeveria dhe komuna e Pejes, “Borea”, ka afro 10 vjet që është vetëm në letër, ndërsa për projekte tjera as që bëhet fjalë. Me një fjalë, ky regjion jo vetëm që është lën krejt pasdore nga shteti, por më keq, rugovasve iu është pamundësuar shfrytëzimi i trashëgimisë shekullore me futjen në “Parkun Nacional- Bjeshkët e Nemuna”. /Buletini Ekonomik/