Ngritja enorme e çmimeve përditë e më shumë, është bërë tronditëse dhe shqetësuese për shoqërinë kosovare. Qytetarët ndihen të pafuqishëm dhe të papërfillshëm në këtë kaos dhe anarki ngritjesh çmimesh, ndërkohë që zyrtarët, institucionet shtetërore, po shihet që nuk kanë as fuqi dhe as ide se si ta zbusin gjendjen e acaruar sociale si pasojë kryekëput e rënies së fuqisë blerëse të kosovarëve dhe stagnimit me muaj të tërë të pagave të tyre, por edhe i të hyrave në përgjithësi të shtetasve të Kosovës.
Mehmet GJATA
Pavarësisht se ecuria e çmimeve në Kosovë në përmasa të mëdha kushtëzohet nga lëvizja e çmimeve në tregun global, për shkak të importit të madh të të gjitha mallrave dhe të atyre bazike ushqimore, lëkundja e çmimeve dhe ngritja enorme e tyre përditë e më shumë është bërë tronditëse dhe shqetësuese për shoqërinë kosovare.
Qytetarët, të ballafaquar thuaja mëngjes për mëngjes me çmime të reja të stërngritura, sidomos të produkteve bazike ushqimore ndihen të pafuqishëm dhe të papërfillshëm në këtë kaos dhe anarki ngritjesh çmimesh, ndërkohë që zyrtarët, institucionet shtetërore, po shihet që nuk kanë as fuqi dhe as ide se si ta zbusin gjendjen e acaruar sociale si pasojë kryekëput e rënies së fuqisë blerëse të kosovarëve dhe stagnimit me muaj të tërë të pagave të tyre, por edhe i të hyrave në përgjithësi të shtetasve të Kosovës. Sepse, përditë ka rritje çmimesh, edhe të produkteve të domosdoshme ditore ushqimore, në anën tjetër, nuk ka fare ngritje pagash në asnjë sektor, pos ngritjes së pagës minimale, të bërë kohë më parë. Në këto rrethana, zyrtarët i kanë goxha të limituara mundësitë për të bërë diçka në favor të ndonjë zgjidhjeje, ose së paku të zbutjës së gjendjës, në radhë të parë për mungesë të parave, por edhe të rregullativës ligjore që e determinon ekonomia e tregut, të cilën tani e 23 vjet me kushtetutë, por edhe me të gjitha ligjet e tjera, Kosova është e detyruar ta zbatojë.
Në anën tjëtër, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, thotë se janë duke analizuar çmimet bazike të tregut.
“Për më shumë, Grupi Punues i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka analizuar çmimet me evidencë nga tregu, për produktet bazë: gruri, mielli, buka, orizi, pastat nga gruri i fortë, vaji ushqimor i lulediellit, qumështi, kripa e kuzhinës, vezët, mishi i pulës, sheqeri, sapuni, detergjenti dhe pecetat higjenike, duke konstatuar se: marzha tregtare e produkteve bazë të shumicës së operatorëve ekonomik, ka ndryshime nga 8% deri në 19.40% varësisht nga produkti.
Sipas saj, disa operatorë ekonomik tregtojnë me marzhën tregtare nën 5% për produktet bazë. Mirëpo, njohës të zhvillimeve ekonomike potencojnë marzha shumë të larta tregtare që aplikojnë tregtarët e ndryshëm kosovarë edhe te disa produkte ushqimore.
Ismet Mulaj, ish-ministër në detyrë i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka thënë këto ditë në një televizion të vendit se “ka artikuj ushqimor që tregtarët i shesin me marzhë të fitimit deri në 130 për qind”.
“Janë artikuj bazë ushqimor. Në mungesë të efikasitetit të institucioneve ka dakordancë për çmime dhe kjo nuk po luftohet”, ka thënë Mulaj.
Sidoqoftë, ministrja Hajdari, në këtë situatë kaosi në fushën e çmimeve, ka paralajmëruar se do të caktojnë marzhën e fitimit në produkte bazike.
“Prandaj, bazuar në evidencë, do të propozojmë masa direkte për të minimizuar manipulimet në çmimet e produkteve bazë, në koordinim të afërt me Inspektoratin e Tregut në nivel qendror dhe komunal, Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, Autoritetin e Konkurrencës dhe Komunitetin e Biznesit”, ka thënë ajo.
Por, dorën në zemër, është jo pak diskutabil paralajmërimi shumë i vonuar i ministres Hajdari për propozimin e “masave direkte për të minimizuar manipulimet në çmimet e produkteve bazë”.
Mirëpo, ish-ministri Mulaj konteston paralajmërimin e ministres Hajdari, duke shtuar se “tendenca e Qeverisë që me ligj të rregullohet tregu i lirë nuk i përngjanë ekonomisë së lirë dhe është në kundërshtim me frymën kushtetuese të Kosovës.
Ai ka thënë se ajo që mund të bëjë ekzekutivi është të identifikojë shkaktarët e rritjes enorme të çmimeve dhe të marrë masa ndaj tyre.
“Pos në ligjin për derivatet e naftës që është e përcaktuar në rast krizash, Qeveria mund të ndërmarrë masa ku mund ta përcaktoj çmimin tavan, ndërsa në fusha tjera nuk ka rregullativë ligjore, Kjo tendencë që përmes legjislacionit të rregullohet tregu, nuk i përngjan një ekonomie të lirë të tregut dhe është në kundërshtim me Kushtetutën. Ajo që ka mundësi Qeveria dhe nuk po arrin ta realizojë me sukses është t’i identifikojë shkaktarët dhe të marrë masa ndaj tyre”, ka thënë ai.
Sipas Mulajt, ndërhyrja e Qeverisë është e drejtë vetëm kur krijohet panikË, sikurse ka ndodhur me gjobitjen e disa kompanive me rastin e vajit ushqimor, kur u hoqën produktet me qëllim të panikut, që më pas të shitet ky produkt me çmim të fryrë.
Njohësi i ekonomisë e ka akuzuar Ministrinë e Tregtisë se ka problem me monitorim.
“Një bashkëpunim jo i mirë me komunat e Kosovës bën që të jetë edhe më i vështirë monitorimi i tregut të Kosovës të karburanteve edhe i produkteve tjera. Ministria e Tregtisë po i nënshtrohet një presioni publik dhe nuk po ulet me kokë të ftohtë t’i analizojë dhe t’i marrë vendimet”, ka thënë ai.
Në mënyrë që të përballohet më lehtë kriza, Mulaj ka thënë se Qeveria ka mundësi që përmes mekanizmave t’i stabilizojë çmimet, t’i rrisë pagat, ose të ulë akcizën dhe TVSH-në në produktet e ushqimit.
Megjithatë, Mulaj asnjë fjalë nuk e tha se si do të siguronte Kosova paratë e nevojshme për rritje pagash, as se si do të kompenzoheshin paratë e munguara në buxhetin e vendit në rast të uljes së akcizës dhe TVSH-së në produktet ushqimore.
Por, në bazë të ecurive të pandalshme të ngritjes së çmimeve dhe pasojave që po krijon në ç’ekuilibrimin e paqes sociale të kosovarëve, por edhe në degradimin e verejtshëm të mirëqenies sociale të shumicës absolute të qytetarëve të vendit, detyrimisht shtrohet domosdoja e ndërmarrjes së ndonjë mase për të frenuar shpërthimin kaq të egër të çmimeve dhe për të sanuar paksa pasojat nga çmimet e ngritura përditë.
Vetëm në muajin qershor, inflacioni në Kosovë ka arritur në 14.1%, shifër rekorde kjo dhe që i atribuohet kryesisht rritjes së çmimeve në produktet kryesore siç janë: buka, drithërat, mishi, vajërat, vezët etj.
Raporti më i ri i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) rreth Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për muajin qershor 2022, thekson se inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 1,4% në muajin qershor 2022, krahasuar me muajin maj 2022.
“Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin qershor 2022 me muajin qershor 2021 ishte 14,1%”, thuhet në raport.
Ky inflacion mujor i matur nga ASK-ja, shpjegohet me ngritjen e çmimeve të konsumit kryesisht të nëngrupet e COICOP-it, siç janë: buka dhe drithërat që shënuan rritje për 1,1%, mishi me 1,4%, pemët 3,0%, sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat me 2,2%, kafja, çaji dhe kakao 2,3%, pijet alkoolike 1,5%, lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet me 6,0%, si dhe mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake me1,8%. Por, nga të gjitha produktet, rritjen më të madhe e patën, si rëndom në këta muaj, karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal që shënuan një rritje enorme prej 15,4%, pastaj shërbimet për transport u rritën me 5,9%, pushimet e organizuara me 4,1%, shërbimet hoteliere me 2,3%, kurse kujdesi personal me 1,5%.
Rritje e lartë e çmimeve përgjatë kësaj periudhe një vjeçare, është shënuar edhe në sektorë të tjerë si: tek mirëmbajtja dhe rregullimi i vendbanimit me 11,0%, gazi me 39,3%, lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. kanë shënuar rritje për 33,6%, mobiljet dhe orenditë, qilimat dhe mbulesa të tjera dyshemeje me 5,7%, pajisjet shtëpiake për 8,9%, veglat dhe pajisjet për shtëpi dhe kopsht me 12,1%, mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake për 9,5%, produktet farmaceutike për 4,0%, blerja e automjeteve me 6,8%, kurse pjesët e këmbimit dhe pajisjet shtesë për pajisjet e transportit personal me 6,7%.
Së fundmi ka ndodhur ngritje marramendëse çmimesh edhe te shumë produkte të tjera, por, gjithsesi bie në sy, ngritja mbi 100 për qind e një tonelate pelet që tashmë ka arritur në 400 euro nga 179 sa ishte në vitin 2021. Ndërsa dihet, kosovarët e shfrytëzojnë goxha shumë peletin për ngrohje.
Por, a do të mund t’u bëjnë ballë kosovarët e varfër këtij trendi të egër ngritjesh çmimesh?
Në bazë të të dhënave që flasin për rënien e fuqisë blerëse të qytetarëve tanë, vështirë se ata do t’ia dalin për ta fituar betejën e stërgjatur me ngritjen e vazhdueshme të çmimeve dhe me tregtarët që mezi presin krijimin e këtyre situatave për shtuar profitet e tyre. Dhe kjo situatë, siç tashmë e di secili kosovar, po zgjatë dhe po stërzgjatet.
Që nga fundi i vitit 2021 dhe fillimi i këtij viti, çmimet e produkteve bazë ushqimore, e veçmas të atyre të shportës, nga muaji në muaj, javë pas jave dhe nga dita në ditë, janë ngritur. Janë bërë kështu çmime atipike, në raste boll të shpesha të “fryra” – të ngritura tej mase, dhe, gjithsesi, ndër më të lartat karshi fqinjve më të fuqishëm ekonomikisht dhe financiarisht.
Çmimet e ngritura të naftës dhe benzinës në Kosovë, të rritura edhe më shumë se njëherë brenda ditës, tashmë janë bërë histori, sikundër që patjetër do të bëhet çmim atipik dhe do të zë vend në analet historike që çmimi i peletit brenda më pak se një viti është i ngritur mbi 100 për qind.
Tani kur është krijuar kaosi dhe anarkia totale në zhvillimet e ecurive të çmimeve, dhe kur pasojat e gjendjes së krijuar nga çmimet enorme të ngritura po paralajmërojnë rrezikun e ç’ekilibrimit të paqes sociale të kosovarëve të varfër, ka logjikë të mos jetë fortë e rëndësishme a është kushtetuese, apo kundërligjore ndërmarrja e masave të domosdoshme që nënkupton intervenim urgjent në treg. Ndërmarrja e masave për ta frenuar ngarendjen e ngritjes së çmimeve dhe kaosin e krijuar nga pasojat e kësaj ngarendjeje po shtrohet si imperativ. Ndryshe, nëse vazhdojnë të ngriten edhe më tutje çmimet dhe dalja totale jashtë kontrollit të çmimeve, do të bëhet edhe më keq se kaq. /Buletini Ekonomik/