Të dhënat e bëra publike të mërkurën dhe të enjten për mungesat e energjisë elektrike në konsumin e Kosovës, vetëm me rënien e një blloku të Kosovës A dhe për çmimet e energjisë së importuar për të plotësuar nevojat e konsumit të vendit edhe gjatë këtyre ditëve verore, tregojnë shumë qartë dhe për të satën herë edhe për konsumatorët e energjisë elektrike edhe për zyrtarët se Kosova nuk ka rrymë të mjaftueshme për nevojat e konsumit të vet dhe nuk do të ketë as gjatë dimrit që vjen. Dhe, pasojat e rënda, egërsisht të shfaqura, të mungesës së rrymës u panë në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti, kur u aplikuan reduktimet e gjata dhe u shpenzuan qindra miliona euro për ta importuar energjinë me çmime rekorde të shtrenjta. A do të përsëritet edhe sivjet e njëjta gjendje?
Mehmet GJATA
Pavarësisht se KEK-u, përkatësisht shërbimi për informata i Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës, dje, nëpërmjet një njoftimi të shpërndarë për mediat të vendit, në njëfarë mënyre, ka përgënjeshtruar një informatë të një dite më parë të plasuar në shumicën e portaleve aktuale kosovare, në të cilën thuhej se “njëra njësi e termocentralit Kosova A (bëhet fjalë për bllokun A5) është larguar nga prodhimi pa planifikim”, dhe pavarësisht se njësia e Kosovës A ka rënë nga prodhimi pa planifikuar, apo me planin për riparimet e blloqeve të A-së, shihet, që tani, edhe në muajt e verës, se sistemi elektroenergjetik i Kosovës me stabilimentet e stërvjetruara energjetike është shumë i brishtë, i pasigurtë dhe nuk premton ndonjë stabilitet të padiskutueshëm elektroenergjetik në muajt vijues, e sidomos gjatë dimrit të pritshëm.
Rënia e një blloku të termocentralit të Kosovës A, qoftë me plan, qoftë pa plan, të këtij termocentrali tashmë të stërvjetruar, automatikisht shkakton mungesë të ndjeshme të energjisë elektrike për nevojat e konsumit kosovar. Sepse, me rënien e bllokut A5 të Kosovës A nga prodhimi, sidoqoftë pa planifikim, siç raportuan të mërkurën shumica e medieve kosovare, ose “me plan për shkak të riparimeve të rregullta të paralajmëruara”, siç thotë KEK-u, të mërkurën dhe të enjten Kosova ka pasur minus 140 megavat-orë energji elektrike. Kur, t’i shtohet mungesave edhe sasia e energjisë elektrike e bllokut të tjetër të A-së, që gjendet akoma në remont (përafërsisht 140 megavat-orë) dhe sasia që do ta prodhonte blloku B1 i Kosovës B (rreth 250 megavat-orë), që poashtu gjendet në remont të planifikuar, pak a shumë fitohet përshtypja e mungesave të këtoditëshme të rrymës që nuk e ka pasur në dispozicion sistemi elektroenergjetik i vendit. Ose, për të kompenzuar këtë mungesë, Kosova detyrimisht ka importuar përafërsisht këtë sasi të munguar të rrymës, por me çmime astronomike.
Të mërkurën, sipas të dhënave që ka siguruar Buletini Ekonomik, një megavat-orë në tregun hungarez energjetik, klient goxha i shpeshtë i të cilit është Kosova, është tregtuar me 432.4 euro, ndërsa gjatë pikut edhe 471. 25 euro (1 vit më parë ka kushtuar 100 euro).
Të mërkurën dhe të enjten, siç është raportuar, rreth 250 megavat/orë janë prodhuar nga njësia B2 e termocentralit Kosova B, dhe rreth 140 tjera prodhohen nga njësia A4 e A-së. Gjithsesi, sasia prej rreth 400 megavatëve sa është prodhuar dje dhe pardje nga kapacitetet energjetike të vendit nuk kanë mjaftuar për t’i plotësuar nevojat e konsumit të Kosovës, edhe pse, siç dihet, gjatë ditëve të verës kërkesa për energji elektrike është më e ulët.
Sipas inxhinierëve të KEK-ut, konsumi i Kosovës edhe këtyre ditëve të verës, në kohën e pikut ka tejkaluar 600 megavat orë.
Pasiguria e termocentraleve të stërvjetruara të vendit, e kushtëzuar nga gjeneratorët dhe stabilimentet e vjetra të KEK-ut, ka bërë që tani të importohet energji me çmime enorme të larta. Po ndodhë kjo gjatë verës, ndërsa, dihet dhe nuk ka diskutim se edhe gjatë muajve të dimrit, në këtë vit të krizës globale energjetike, çmimet e energjisë së importuar do të jenë akoma të frikshme.
Njohës të lëvizjeve të çmimeve energjetike paralajmërojnë se në dimër pritet të sillet madje nga 600 deri në 1000 euro çmimi për një MËh. Këto shifra të kalkuluara më lartë në këtë tekst, tregojnë goxha bindshëm për brishtësinë e sistemit elektroenergjetik të Kosovës, pasigurinë evidente të pasjes së energjisë së bollshme nga kapacitetet vendore të prodhimit, në rast të të papriturave eventuale (dhe të papriturat te termocentralet e stër-amortizuara i kemi në prag të derës dhe ato mund të ndodhin në çdo çast).
Pokështu, këto të dhëna duhet të jenë ‘bollshëm’ alarmuese për KEK-un dhe KEDS-in në radhë të parë, se po qe se nuk ndërmerren urgjentisht masa, pasi është shumë e mundshme që Kosovën e presin ditë të ngrysura energjetike, ditë krize, por edhe ditë ku do të dominojë terri në shtëpitë e kosovarëve. Sepse Kosova, dihet që është e varfër, me shumë mungesa financiare dhe si e tillë nuk do të ketë paratë e nevojshme për të importuar rrymën super të shtrenjtë të munguar.
Dhe po e përsërisim, shifrat dhe të dhënat e sipërpërdorura në këtë tekst, po ua tregojnë në mënyrën më trasparente, edhe konsumatorëve të energjisë elektrike edhe zyrtarëve, se Kosova nuk ka energji elektrike të mjaftueshme për nevojat e konsumit të vet dhe nuk do të ketë as gjatë dimrit që vjen. Dhe, pasojat e rënda, egërsisht të shfaqura, të mungesës së rrymës u panë në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti, kur edhe Kosovën, sikundër shumicën e vendeve të botës, e kaploi kriza e ashpër energjetike, reduktimet e gjata dhe shpenzimi i qindra miliona eurove për ta importuar energjinë me çmime rekorde të shtrenjta.
Kapacitetet e blloqeve të stërvjetëruara, por akoma, kushtimisht, aktive në termocentralet e Kosovës (dy blloqet e “Kosovës B” dhe tri blloqet e “Kosovës A”- A3, A4 dhe A5), janë diku mbi 1, 000 megavatorë (saktësisht 1. 070 megavatorë).
Blloqet e termocentraleve “Kosova B” bashkarisht kanë kapacitet mbi 600 megavatë në gjenerator, ndërsa në rrjet kapaciteti i tyre është 520 megavatë. Secili bllok, pra ka kapacitetin në rrjet 260 megavatorë.
Në anën tjetër, “Kosova A” që nga pas lufta ka operuar me tri blloqe: A3, A4 dhe A5, të cilat bashkarisht kanë kapacitet në rrjet prej 550 megavatësh. Këto janë kapacitetet aktuale në termocentralin “Kosova A”, tashmë të stër-stërvjetëruar dhe në “Kosova B”- i vjetëruar bukur shumë. B-ja, siç dihet, ka nisur prodhimin më 1979.
Kësaj sasie të energjisë elektrike, duhet shtuar edhe diçka mbi 200 megavatorë të energjisë së rinovueshme që gjenerohet aktualisht në Kosovë. Sasia e energjisë së gjelbër në këta numra, është arritur pas nisjes së prodhimit në parkun e energjisë me erë në Shalë të Bajgorës, me kapacitet prej 105 megavatësh.
Megjithëkëtë, Kosova prap do të ketë mungesë të rrymës dhe kjo mungesë do të nisë të ndihet në muajt e vjeshtës dhe sidomos në stinën e dimrit, kur shtohet ndjeshëm konsumi i energjisë elektrike në Kosovë, përkatësisht gjatë pikut dhe në raste kur konsumi shkon edhe në 1280-1300 megavatorë.
Kjo situatë elektroenergjetike e përshkruar sipër, është e paraparë për rrethanat e funksionimit thuaja ideal të stabilimenteve aktuale të të gjitha blloqeve të termocentraleve kosovare. Ndërkaq, në rast të ndodhjes së ndonjë të papriture eventuale, ndonjë defekti teknik të paparashikuar, që te termocentralet e stërvjetëruara, siç u tha më lartë, mund të ndodhë në çdo çast, mungesat e energjisë elektrike bëhen ndjeshëm më të mëdha, shpërfaqen pasojat evidente të kësaj mungese, sikundër që shumëfishohen edhe vështirësitë rreth sigurimit (importit) të rrymës me çmime stratosferike.
Prandaj, qysh gjatë ditëve të krizës së ashpër energjetike, në shumë raste, nga njohësit e rrethanave dhe ekspertët u tha dhe u shtrua nevoja për zgjidhje urgjente të problemit, i cili nëse përsëritet edhe në dimrin e pritshëm, do të jetë goxha i komplikuar dhe, gjithsesi, me pasoja trishtuese për Kosovën e varfër.
Por, ç’është bërë në këtë ndërkohë, në radhë të parë nga institucionet përgjegjëse dhe vendimmarrëse, që mos të na zë të papërgatitur të ftohtit, që jo rrallë di të jetë i pamëshirshëm në këto vise? A është bërë diçka konkrete, së paku, aty ku ka paksa mundësi reale për ndërmarrjen e ndonjë veprimi më urgjent, siç është, bie fjala, kontraktimi tani, i importit të ndonjë sasie të energjisë elektrike, kur çmimet janë ndjeshëm më të ulëta? Ose, nisja e punëve përgatitore për të siguruar dhe për të ngritur impiantet e deponimit të energjisë elektrike gjatë muajve të verës, kur kemi relativisht boll rrymë për ta ruajtur për kohën e acart! Ose, ç’është bërë në këta gjashtë-shtatë muajt e parë të këtij viti për të nisur ndërtimin e ndonjë kapaciteti më të efektshëm të energjisë së rinovueshme, qoftë me erë, qoftë me energji solare, sado që tashmë janë goxha të njohura potencialet për energjinë e gjelbër, madje janë të identifikuara edhe vendet e mundshme për të ngritur këto kapacitete?
Për sa dihet, dhe për sa është bërë e njohur publikisht, thuaja asgjë nga këto çështje të shtruara, nuk është bërë nga institucionet përgjegjëse dhe nga pushteti aktual, të obliguara dhe kompetente për ta siguruar rrymën e nevojshme për qytetarët e vendit.
Përveç retorikës dhe fjalamanisë shabllone për “ëndrrat energjetike”, nuk doli një person as nga qeveria, as nga mjediset e tjera zyrtare, që ta thotë një të dhënë konkrete se çka është bërë, apo cilat nga masat e mundshme janë ndërmarrë për ta zbutur mungesën e rrymës në Kosovë gjatë sezonit të sivjetshëm të dimrit.
Qeveria, ministrat përkatës të saj, në këta muajt e pas krizës së fundvitit të kaluar dhe fillimvitit të sivjetshëm, sikur janë bërë monoton në përsëritjet e tyre se ”jemi duke punuar në finalizimin e draft-strategjisë afatgjate të dekarbonizimit, përmes së cilës do t’i hapim rrugë tranzicionit drejt një ekonomie të qëndrueshme dhe konkurruese, në të cilën rritja ekonomike arrihet me emetime të ulëta të gazrave serrë”.
Ata më shumë kanë përsëritur monologun se “strategjia jonë do të jetë mjaft ambicioze në vendosjen e caqeve të burimeve të ripërtëritshme të energjisë”, ose “ sa i përket zhvillimit të kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë, konsumi i energjisë nga burimet e ripërtëritshme të energjisë do të rritet nga 5% sa është aktualisht në deri në 30% në vitin 2031, dhe deri në 50% deri në vitin 2050”.
Por, ministrat kosovar, e as kryeministri vet, nuk e thanë asnjë fjalë të vetme se çka ka ndërmarrë qeveria për të pasur kosovarët rrymë gjatë dimrit të sivjetshëm, dhe se si do të sigurohet sasia e rrymës që mungon nga prodhimi i kapaciteteve vendore të energjisë elektrike.
Por, edhe në arritjen e caqeve për burime të ripërtëritshme, Kosova, së paku deri sivjet, ka shënuar rezultate tepër modeste dhe me ndikim fare të pavërejtshëm në stabilizimin e sistemit elektroenergjetik të vendit. Kur e themi këtë, kemi parasysh rezultatet e arritura në fushën e energjisë së gjelbër në shumë shtete të varfëra dhe të vogla edhe përtej Kosovës. Ndërkohë, që as që bëhet fjalë krahasimi eventual me shtetet e zhvilluara.
Për të arritur synimet që energjia nga burimet e rinovueshme të bëhet me ndikim dhe efekte më të shpejta konkrete në stabilizimin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës dhe për të pasur më shumë energji nga prodhimi vendor, nuk mjaftojnë vetëm vizionet afatgjate, qofshin ato mrekullisht të mira. Për Kosovën e ballafaquar me mungesa, në raste edhe goxha ekstreme të rrymës, duhet ndërmarrë edhe hapa urgjent, për zgjidhje më të shpejtë.
Prandaj, është edhe i pakuptueshëm dhe i diskutueshëm ngurrimi kaq i gjatë për t’ia nisur ndërtimit të ndonjë kapaciteti të ri energjetik, qoftë në bazë të erës, qoftë me panele solare. Ekzistimi i dy-tre kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtëritshme me 100-120 megavat-orë secili, do të ishte një zgjidhje premtuese. Por, këto kapacitete për t’i pasur, duhet nisur së ndërtuari ato.
Kosova ka vendet e identifikuara tashmë për ndërtimin e tyre, por edhe nuk i ka të mbyllura të gjitha dyert për të kërkuar dhe siguruar mjetet e nevojshme financare për këto projekte. Duhet përgatitur projektet dhe duhet bindur institucionet ndërkombëtare financiare për vlefshmërin e këtyre “fabrikave’ të rrymës. Ministria e Ekonomisë duhet më në fund të hartojë ligjin për burime të ripërtëritshme të energjisë si dhe vendosjen e afateve konkrete të ndërtimit të kapaciteteve të planifikuara të energjisë së ripërtëritshme.
Sa më shumë të vonohemi, më shumë do t’ia zgjasim vetës agoninë që do të krijohet nga mungesa e rrymës. /Buletini Ekonomik/