Magjistralja Podujevë- Prishtinë, e bërë tash e sa vjet realisht “rruga e mortit”, pos me rastin e aksidenteve tragjike, kur bëhej temë e medieve kosovare, për vite të tëra nga zyrtarët sikur nuk dihej që ekziston. Për vjetë të tëra pas luftës, praktikisht, pra nuk u kujtua kurrë asnjë nga qeveritë e atëhershme, as ndonjë ministër kosovar kompetentë, as ata të infastrukturës, që e patën edhe obligim edhe detyrë të bashkëndjejnë edhe për viktimat e çdoditshme që pësonin në rrugën e ngulfatur nga trafiku i dendur, por edhe të preokupohen nga nevojat reale të qarkullimit në këtë rajon të vendit.
Mehmet GJATA
Magjistralja Podujevë-Prishtinë, ose Prishtinë-Podujevë, nuk është se tani është bërë “rrugë e vdekjes”, “rrugë e mortit”, “rrugë e fatkeqësive tragjike”. Kjo rrugë është shumë e rrezikshme që nga vitet e para të pasluftës, përkatësisht tash e 23 vjet, qëkur qarkullimi në këtë magjistrale është bërë ndjeshëm i dendur, përtej qarkullimeve pak a shumë të dendura, dhe për pasojë, që nga viti 2000 e këtej, rruga ka “paguar” haraqin në njerëz, në udhëtarë të përditshëm, por edhe në të rastit, duke marrë shumë jetë njerëzish, natën dhe ditën dhe në pjesën më të madhe të gjithë gjatësisë 30 kilometrash, por më shumë në disa pika të vlerësuara nga ekspertët e komunikacionit si “nevralgjike”.
Dhe në dhjetvjetëshin e parë, pas luftës pra, kurrë, thuaja në asnjë rast, asnjë zyrtarë, as i nivelit qendror, por as i atij komunal, nuk e qau fortë kokën për haraqin e pandalshëm të rrugës së tejmbushur me vetura dhe me udhëtarë, dhe në këtë mënyrë, aksidentet sa vinin e shtoheshin. E bashkë me to shtoheshin edhe viktimat.
“Rruga e mortit”, pos me rastin e aksidenteve tragjike, kur bëhej temë e medieve kosovare, në këtë periudhë nga zyrtarët sikur nuk dihej që ekziston. Për dhjetë vjetë të tëra, pra nuk u kujtua kurrë asnjë nga qeveritë e atëhershme, as ndonjë ministër kosovarë kompetentë, as ata të infastrukturës, që e patën edhe obligim edhe detyrë të bashkëndjejnë edhe për viktimat e çdoditshme që pësonin në rrugën e ngulfatura nga trafiku i dendur, por edhe të preokupohen nga nevojat reale të qarkullimit në këtë rajon të vendit.
Asnjëherë, së paku publikisht nuk u dëgjua nga përfaqësuesit e llapjanëve në Kuvendin e Kosovës, asnjë kërkesë e vetme për ta zgjeruar dhe për të ripërtërirë këtë rrugë. Nuk mbahet mend që të jetë përmendur në foltoren e Kuvendit të Kosovës nevoja për ta ndërtuar këtë rrugë, as nga komandant Remi – Rrustem Mustafa, e as nga Latif Gashi, që të dy deputetë të zgjedhur nga vota e llapjanëve.
Nuk u dëgjua ndonjëherë të flasë për nevojën e rindërtimit të magjistrales Podujevë-Prishtinë as Agim Veliu, kryetar shumëvjeçar i komunës së Podujevës dhe as nga përfaqëues të tjerë të zgjedhur nga kjo anë në legjislatura të ndryshme në dhjetëvjetshin e parë të pasluftës.
Rruga Prishtinë-Podujevë u anashkalua edhe nga ndërtimet e autostradës së Kombit, me ç’rast vendimmarrësit e atëbotshëm, në krye me ministrin e Infrastrukturës, Fatmir Limajn, pa shumë shpjegime e lanë rajonin e Llapit, si “zorr qorre’ në kuptimin e modernizimit dhe ndërtimit të infrastrukturës rrugore. Dhe, pikërisht, para 10 e më shumë vjetësh, dikush u kujtua se është i domosdoshëm intervenimi në këtë magjistrale kaq jetike për një rajon të tërë të vendit, por edhe për qarkullimin ndërkombëtar, pasi që nëpër këtë rrugë kalojnë mbi 80 për qind të automjeteve nga Serbia, që vijnë dhe sjellin mallra anembanë Kosovës, por edhe shumica absolute e mërgatës sonë në ardhje-vajtje në vendlindje.
Por, edhe pse për të gjithë, edhe për zyrtarët, edhe për publikun, dihet që rruga Podujevë – Prishtinë, është një ndër arteriet e rëndësishme dhe jetike të qarkullimit rrugor (të njerëzve dhe të mallrave) në vendin tonë, dhe të ndërlidhjes së qendrave të ndryshme me botën, edhe pse po bëhen 6-7 vjet qëkur është nisur zgjerimi i kësaj rruge, pakuptimisht dhe pashpjegueshëm po vonohen punimet, po prolongohen afatet dhe në këtë mënyrë qarkullimi po vazhdon të mbetet i vështirësuar dhe siç u pa me rastin e aksidentit të fundit fatal, ku humbën jetën çifti nga Malisheva dhe u lënduan rëndë të dy fëmijët e tyre, jo në pak raste edhe i rrezikshëm.
Tashmë janë vonuar pabesueshëm shumë punët në Magjistralen Podujevë – Prishtinë dhe këto vonesa janë jashtë çdo logjike investimesh e ndërtimesh, qoftë edhe rrugore. Dhe, çuditërisht, për këto prolongime, zvarritje afatesh dhe zhagitje punësh, në institucionet zyrtare kompetente nuk shprehet ndonjë shqetësim, merakosje ose edhe ndonjë premtim më bindës për përfundimin e kësaj rruge në ndonjë afat të pritshëm. Nuk ka ndonjë përgjigje të pranueshme dhe të përshkruar me ndonjë të dhënë të besueshme as në Ministrinë e Infrastrukturës, as nga ministri aktual i kësaj ministrie, Liburn Aliu, i cili, së paku deri tash, as që e ka parë të nevojshme të sqarojë për shkaqet reale të këtyre vonesave.
Tanimë janë të pakuptueshme fjalimet e shpjegimet e përsëritura të ministrit Aliu në fajësimin e qeverive të deritashme për dështimet për finalizimin dhe përmbylljen e punimeve në këtë rrugë, ose në problemet që janë paraqitur rreth shpronësimit të tokave ku kalojnë rrugët e nisura. Nuk është se nuk kanë përgjegjësi për vonesat e ndërtimit të kësaj maqjistraleje, edhe qeveritë e kaluara dhe minsitrat e kaluar të infrastrukturës, por doemos kjo qeveri, dhe ministry aktual i saj Aliu, duhet ta marrin njëherë e mirë përgjegjësinë për përfundimin e kësaj rruge, që vazhdon të shquhet për vonesa, por edhe për shumë të panjohura rreth vazhdimit të punimeve në këtë arterie, që për shkak të dendësisë së qarkullimit dhe numrit të aksidenteve, vazhdon të quhet në opinion edhe “magjistralja e vdekjes”.
Siç dihet, punimet për zgjerimin e magjistrales Podujevë-Prishtinë, kanë nisur para më shumë se gjashtë-shtatë vjetëve dhe jo vetëm që nuk kanë përfunduar ende, por as që dihet se kur do të përfundojnë, apo ç’është edhe më keq, a do të përfundojnë ndonjëherë.
Deri tash, brenda këtyre 6 vjetësh janë ndërtuar, por jo edhe finalizuar, vetëm diku rreth 10 kilometra të kësaj magjistraleje. Ose, më konkretisht, deri tash kjo magjistrale është zgjeruar nga Podujeva vetëm deri afërsisht në hyje të fshatit Lluzhan. Pjesa tjetër, që është traseja dominuese prej 18 kilometrash, deri në Prishtinë, as që dihet kur do të fillojë së ndërtuari.
Ministri Liburn Aliu, në një nga seancat e mbajtura në fillim të muajit prill në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se “për pjesën e mbetur të magjistrales Prishtinë-Podujevë, pjesa nga Lluzhani deri në Besi është në projektim e sipër”.
“Pjesa e mbetur prej Prishtinës deri në Podujevë, pra nga Lluzhani deri në Besi është në projektim e sipër dhe planifikohet që të ndahet në dy lote, e cila do të bëhet e tëra, ose për arsye financiare të fillohet me lotin e parë, e pastaj me të dytin. Pjesa e hyrjeve duhet të vazhdoj duke i vazhduar edhe shpronësimet ashtu siç janë”, ka thënë ministri Aliu, pa caktuar ndonjë datë apo afat për këto punë.
Dhe, banorët e këtyre trevave, bizneset e llapjanëve dhe udhëtarët e çdoditshëm që frekuentojnë këtë rrugë, e që janë të shumtë, vazhdojnë të vuajnë pasojat e zvarritjes së zgjerimit të kësaj rruge. Vuajnë nga vështirësitë që u dalin si pengesë e pazgjidhshme për shkuarje-ardhjen në kryeqytet, me të cilin janë aq shumë të ndërlidhur, nga vështirësitë që u shkakton rruga tepër e ngarkuar me qarkullim për të transportuar lëndën e parë dhe pastaj produktet nga bizneset e tyre, por edhe nga vështirësitë që ua kanë shkaktuar tash e një kohë kompanitë ndërtuese në dëmtimin e gypave të ujësjellësit, që asnjëherë më pastaj nuk i kanë riparuar.
Problem shumë i ndjeshëm nga zvarritja e zgjerimit të kësaj magjistraleje dhe rrezik permanent kjo rrugë është edhe për nxënësit e shumë shkollave të kësaj ane. Ata, qarkullimin shtëpi-shkollë dhe anasjelltas, edhe për shkak të ngarkesës tejmase të rrugës, asnjëherë nuk e kanë të sigurtë.
“Me një bager, me një lopatë dhe dy punëtorë” nuk mund të ndërtohet kjo magjistrale”, shprehet një banor i kësaj ane, duke shtuar se “mendjen gjithnjë e ka te fëmijët, që duhet të shkojnë në shkollë dhe rrezikun që u kanoset përditë atyre”.
Deputetja Ganimete Musliu, pas aksidentit të fundit tragjik të ndodhur në këtë magjistrale, në Kuvendin e Kosovës tha se “kjo magjistrale është bërë rrugë e vdekjes”, prandaj, sipas saj, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, duhet të dalë në terren dhe të sinjalizojë urgjentisht këtë rrugë.
“Apeloj ministrin Liburn Aliu dhe të gjithë stafin që të dalin në teren dhe të sinjalizojnë urgjentisht rrugën Podujevë-Prishtinë, e cila është bërë rrugë e vdekjes. Sot kur po flasim, ne i kemi humbur dy mërgimtarë tanë në atë rrugë, vetëm në mungesë të sinjalizimit të rrugëve. Është e dhimbshme, është tragjike që qytetarët tanë të kalojnë mijëra kilometra për t’i kaluar pushimet dhe të humbin jetën në aksin rrugor Podujevë-Prishtinë, pak kilometra para se të mbërrijnë në familjet e tyre”, theksoi ajo.
Sinjalizimi i kërkuar në këtë rrugë, gjithsesi do të ishte një masë urgjente për ta lehtësuar sadopak qarkullimin në këtë arterie jetike për mërgimtarët dhe për llapjanët. Por, pa zgjerimin e tërësishëm të rrugës në tërë gjatësinë e saj prej afërsisht 30 kilometrash, sikundër që është bërë tashmë në gjatësinë Podujevë-Lluzhan, nuk ka zgjidhje të problemit. Pa zgjerimin e planifikuar të rrugës edhe më tutje do të ketë aksidente, edhe më tutje do të ketë viktima. Prandaj, më nuk duhet të “pijnë ujë” arsyetimet dhe fajësimet e MMPHI-së për pengesat rreth shpronësimeve, gabimeve në projektet kryesore dhe mospagesave të pronave me kohë, përkatësisht shpronësimeve të deritashme si dhe buxhetit të mangët ndër vite për këto projekte.
Rruga duhet ndërtuar. Dhe duhet gjetur paratë e nevojshme për finalizimin e kësaj magjistraleje, këto para nuk janë edhe aq shumë sa të mos ketë asnjë mundësi Kosova që t’i sigurojë ato. Dy-tre kilometra të autostradave të deritashme, që Kosova i ndërtoi me mjete të veta, pra me paratë e taksapaguesve të vendit, kaq pak a shumë është kostoja e kësaj rruge.
Ndërsa, vështirësitë, qofshin edhe fakte, që në disa raste i potencoi ministri Liburn Aliu, kanë qenë të ditura edhe para se të fitojë bindshëm pushtetin koalicioni aktual qeveritar. Premtimet, në saje të të cilave fituan gjithë ato vota, duhet përmbushur. Dhe përmbushja ka një emër: të përfundojnë dhe të finalizohen të gjitha projektet rrugore të reja dhe të atyre të trashëguara nga pushtetet e mëparshme. Mosrealizimi i premtimeve është edhe zvarritja e pafund e finalizimit të magjistrales Prishtinë-Podujevë. /Buletini Ekonomik/