Dy anëtarët e Bordit të BQK-së, Bashkim Nurboja dhe Nora Latifi-Jashari, kanë votuar që t’ia rrisin kompensimin vetes. Këtë e kanë bërë në mbledhjen e 25 marsit 2022, kur është votuar Komiteti për Auditim në kuadër të Bankës Qendrore të Kosovës. Kjo pasi dy anëtarë të Bordit, janë edhe anëtarë të këtij Komiteti. Gazeta Nacionale ka siguruar dokumentacionet, dhe sjell detaje.
Nga 500 euro sa kompensoheshin anëtarët e Komitetit për Auditim, kompensimi ka hipur në 750 euro në periudhën për tre muaj. Propozimi ka dalë për votim në Bordin e BQK-së dhe është votuar në mënyrë unanime, përfshirë nga vetë anëtarët që do të ishin subjekt i rritjes së kompensimit. Kjo pasi sipas ligjit për BQK-në, anëtarë të Komitetit të Auditimt, janë dy anëtarë të Bordit të BQK-së!
Bashkim Nurboja dhe Nora Latifi-Jashari janë dy anëtarët e Bordit të BQK-së që u përzgjodhën të jenë pjesë e Komitetit të Auditimit në Bankën Qendrore të Kosovës. Paraprakisht, ata kishin votuar pro që kompensimi i anëtarëve të këtij komiteti, të bëhej 750 euro bruto, në secilën periudhë tremujore të raportimit.
Nurboja kishte qenë kandidat për kryetar të Pejës dhe kandidat për deputet nga Vetëvendosje. Ai bashkë me Nora Latifi-Jasharin ishin votuar me shumicë votash në mbledhjen e Kuvendit në nëntor të vitit 2021, të përkrahur nga shumica parlamentare që i takon pikërisht Vetëvendosjes.
Gazeta Nacionale ka siguruar vendimin e mbledhjes që është marrë më 25 mars 2022. Për ekspertin e jashtëm në kuadër të Komitetit të Auditmit, kompensimi është rritur nga 1 mijë në 1 mijë e 200 euro. Kurse për anëtarët, nga 500, në 750 euro.
Nacionale gjithashtu ka siguruar edhe dy vendimet e vitit 2011 dhe 2012, kur përcaktoheshin kompensimet për anëtarët e këtij Komiteti të Auditimit. Sipas vendimeve, kompensimi për anëtarin e Komitetit të Auditmit ishte 500 euro, kurse për ekspertin e jashtëm 1 mijë euro.
Një burim i gazetës Nacionale ka bërë të ditur që dy anëtarët e Bordit të BQK-së, Nurboja dhe Latifi-Jashari, bashkë me eksperten e jashtem Edona Përjuci, janë kompensuar edhe për periudhën janar – mars, pavarësisht se vendimi për rritjen e kompensimit ishte marrë më 25 mars 2022. Pra, për pak ditë punë, ata janë kompensuar në mënyrë të plotë.
Nacionale ka mësuar se në mbledhjet e këtij Bordi të BQK-së, është shtruar si temë edhe mundësia e rritjes së pagave për stafin. Por që anëtarët e njëjtë, kanë refuzuar. Këtë e ka konfirmuar për gazetën guvernatori Fehmi Mehmeti.
Nurboja e gjuan topin te Guvernatori, ky i përgjigjet
Për të gjitha këto, Nacionale ka kontaktuar me personin që votoi pro rritjes së kompensimit dhe anëtarin e Bordit të BQK-së, Bashkim Nurboja. Ky i fundit fillimisht tha se e ka të ndaluar me ligj të tregojë për çka është diskutuar në mbledhjen e bordit. E më vonë, tha se propozimin për kompensim e ka dhënë Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti.
Megjithatë, Nurboja e konfirmoi se ka votuar pro këtij propozimi.
“Nuk është vlerësuar kurrë a është rritje apo nuk është rritje. Komiteti i Auditimit nuk ka pasur vendim për kompensim. Vendimet e kaluara kanë qenë për emrat e përveçëm. Gurvenatori e ka propozuar, dhe pastaj ka dalë në votim”, ka thënë Bashkim Nurboja për gazetën Nacionale.
“Kanë qenë për emra të përveçëm. Guvernatori ka thënë kaq duhet të jetë kompensimi, ka dalë në votim. Por, ta kemi të qartë, kompensimi është për periudhën 3-mujore”, shtoi ai.
Sipas Nurbojës, kushdo që i ka nxjerrë dokumentet në publik, ka bërë shkelje ligjore.
“Ndoshta i ke marë në kanalet që ke marrë e kryen punën tënde, kush t’i ka jep’ e ka shkelë ligjin. Nëse do me marrë informatën në mënyrë legale, të jepet qasja. Por unë s’e shkeli ligjin. Unë jam pjesë e Komitetit të Audimit”, deklaroi në fund Bashkim Nurboja.
Pretendimet e Nurbojës i ka mohuar kategorikisht guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti. Ky i fundit i ka thënë Nacionales se nuk ka propozuar asnjëherë që anëtarëve të Komitetit t’u rritet kompensimi.
Mehmeti ka bërë të ditur se kanë qenë pikërisht anëtarët e Bordit, që e kanë votuar këtë propozim. Madje, ai thotë se dy anëtarët e Bordit, kanë qenë në dijeni për këtë rritje.
“Janë incizimet krejt, unë nuk kam propozuar. Po du me eliminu këtë gjë. Nuk e kam dhënë propozimin unë. Bordi atë kohë është përbërë prej 4 vetëve. 3 kanë qenë joekzekutiv, dhe unë ex officio. Propozimi nuk ka shkuar prej meje. Kaq është. Nuk ka ndodhur propozimi nga unë. Në fund të fundit, pak ka rëndësi kush e ka propozuar. Me rëndësi është që pa votat e juve dyve si anëtarë, dhe pjesëmarrës në Komitetin, nuk kishin mundur me u rritë këto”, deklaroi Fehmi Mehmeti për gazetën Nacionale.
“E ke votuar (rritjen), sepse mos me votu nuk kishim mujt me miratu. Pak ka rëndësi kush e propozon. Aty mos të thotë që nuk e kam ditur. Së pari, në diskutim është propozuar nga kushdo qoftë, me u rritë prej 500 në 750. Nuk mundesh me thanë nuk e di që m’u ka rritë, kur është votuar pro rritjes prej 500 në 750. Si ke ardhë në mbledhjet e para është aprovuar kjo”, thekson Guvernatori Mehmeti.
Mehmeti ia ka konfirmuar Nacionales se pagesa për anëtarët e Komitetit është bërë e plotë për 3 muajt, edhe pse vendimi ishte marrë më 25 mars. Ai gjithashtu ka thënë që ndërkohë ishte diskutuar edhe rritja e pagave për stafin, por që të njëjtit anëtarë nuk e kishin përkrahur.
“Komplet stafit (për rritje pagash) ka qenë propozimi im. Në mbledhjen e parë kur e kemi aprovuar buxhetin për vitin 2022. Nuk ka pasur vullnet prej Bordit. Kur ka ardhur te Komiteti, kanë votuar ndryshe”, bëri të ditur Mehmeti.
“Keni qenë anëtarë të Komiteti dhe dy anëtarët e Komitetit janë anëtarë të Bordit, dhe vendimi është marrë në Bord, dhe vendimi është marrë unanimisht. Pak është me rëndësi propozuesi, unë nuk jam propozuesi”, përfundoi guvernatori i BQK-së.
Në anën tjetër, anëtarja tjetër e Bordit të BQK-së dhe e Komitetit për Auditim, Nora Latifi-Jashari ka kërkuar që komunikimi të bëhet me zyrën për media.
“Pak më gjatë kohë po merrka. Vazhdo atje më së miri, në zyrën për media. Është departamenti që përgjigjet”, theksoi ajo.
Gazeta ka dërguar pyetje zyrtare edhe në Emailin e BQK-së, por që deri më tash nuk pati përgjigje.
Pas emërimit të Bashkim Nurbojës dhe Nora Latifit-Jasharit në bordin e BQK-së, Vetëvendosja u kritikua se po e ‘kap’ bordin e këtij institucioni, duke votuar persona që edhe zyrtarisht kanë qenë të lidhur me këtë parti politike. Pas të dyve, Kuvendi dhe shumica parlamentare, e votuan për bordin e BQK-së edhe Nexhat Kryeziun, që gjithashtu kishte qenë kandidat për deputetë nga Vetëvendosje.
Përveç kompensimit në Komitetin e Auditimit prej 750 eurosh në tre muaj, Bashkim Nurboja e Nora Latifi-Jashari paguhen si anëtarë të Bordit të BQK-së në vlerë 1 mijë e 570 euro bruto.