Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli sot ka prezantuar masat detyruese për kursim të energjisë në institucionet e nivelit qendror, lokal dhe në ndërmarrje publike.
Sipas Rizvanollit, fokusi i ministrisë është përmirësimi i kapaciteteve gjeneruese vendore për të garantuar siguri energjetike dhe uljen e konsumit të energjisë në vend, për të përballuar sa më lehtë krizën gjatë muajve të dimrit, përcjell Buletini Ekonomik.
“Pas shpalljes së masave emergjente për energji në vend, e me rekomandime të Komisionit Teknik Emergjent, si Minsitri e Ekonomisë jemi duke marrë të gjithë hapat e domosdoshëm për minimizim të ndikimit të krizës energjetike botërore tek qytetarët e vendit”, ka thënë sot ministrja para kabinetit qeveritar.
Ajo shtoi tutje se bashkërendimi i të gjitha insitucioneve e ndërmarrjeve publike është i domosdoshëm për t’u përballur me situatën e rënduar energjetike, e që së bashku do të lehtësohet barra për secilin qytetar e biznes të vendit.
Rizvanolli tha se masat e vendosura, fillimisht do të fillojnë të zbatohen në sektorin publik për të vazhduar pastaj edhe me sektorin privat.
Disa nga masat janë edhe ndërrimi i poçave elektrikë me poça led, gjatë orarit standard të punës temperatura e hapësirave të mos jetë më e lartë se 19 gradë Celsius, si dhe ndalimi i përdorimit të bojlerëve në vendet ku nuk është i domosdoshëm uji i ngrohtë, ndalimi i përdorimit të dritave ditën etj.
“Të gjitha masat në vijim kanë të bëjnë me kursimin e energjisë në sektorin publik. Të zëvendësohen poçat standard me poça led në institucione publike, të ndalohet ngrohja në zyre apo objekte ku nuk ka prezencë fizike, të ndalohet përdorimi i bojlerëve përveç në institucione si spitali dhe entitete tjera ku uji i ngrohtë është i domosdoshëm, të ndalet pajisjen elektrike përfshirë ato të Teknelogjisë Informative në rastet kur nuk do të përdoren për periudhën më të gjatë se 10 minuta, të ndalohet përdorimi i klimave përveç rasteve kur nuk ka alternativa tjera për ngrohje, ndalohet përdorimi i ngrohëseve me energji elektrike, të mos përdoret ndriqim gjatë periudhës kur ka dritë natyrore, të ndalen të gjitha reklamat që shfrytëzojnë energjinë elektrike, të ndalet ndriqimi dekorativ në të gjitha objektet, të ndalet të gjithë ndriqimi që s’është i domosdoshëm për siguri fizike të objektit gjatë natës, të sigurohet që gjatë orarit të punës 08:00-16:00 temperatura për ngrohjen e hapësirave të jetë jo më e lartë se 19 gradë celsius, të sigurohet që pas orës 16:00 deri në 07:00 në mëngjes temperatura të zbritet në minimum ku ngrohja bëhet me energji elektrike, të sigurohet që të gjitha dritaret e objektit të jenë të mbyllura”, ka shpjeguar Rizvanolli. /Buletini Ekonomik/