Kreu i Ekonomisë, në Maqedoninë e Veriut, Kreshnik Bekteshi, është duke kërkuar zgjidhje që të tejkalohet kriza energjetike në këtë vit duke bashkëpunuar me Bullgarinë e Turqinë.
Ministri i Ekonomisë atje, Kreshnik Bekteshi, të martën e 20 shtatorit, ka zhvilluar takim virtual me homologun e tij nga Republika e Bullgarisë.
“Bisedimet për çmimin e blerjes së energjisë elektrike nga Bullgaria nuk kanë përfunduar. Unë shoh vullnet të mirë për të arritur një marrëveshje nga e cila do të përfitojnë të dyja vendet”, ka sqaruar Bekteshi.
Më tej, ai ka treguar se çfarë kanë biseduar me homologun e tij bullgar, ku temat e diskutimit sipas tij, ishin çështjet teknike për të përballuar së bashku krizën energjetike.
“Politika është lënë mënjanë. Të enjten nisemi për në Turqi. Atje do të diskutohet kryesisht për sektorin e energjisë. Nëse do të ketë diçka konkrete do t’ju informojmë pasi të kthehem”, ka theksuar ai.
Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, të enjten do të vizitojë Turqinë me drejtorin e AD ESM Vasko Kovaçevski dhe drejtorin e Burimeve Kombëtare të Energjisë (NER) Bajram Rexhepi ku, siç paralajmëroi ai, fokusi do të jetë energjia.