Sipas ASK-së, papunësia në Kosovë bie në 17.7 për qind

Papunësia në Kosovë, sipas matjeve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, për tremujorin e tretë të vitit 2021, ka rënë në 17.7 për qind, krahasuar me mbi 20 për qind sa ka qenë në tremujorin e dytë.

“Sipas tremujorit të tretë të AFP-së 2021 në Kosovë ka pasur 89,171 persona të moshës 15-64 vjeç, që ishin të papunë, 55,662 nga të cilët ishin meshkuj dhe 33,509 femra. Shkalla e papunësisë ishte 17.7 %, më e lartë ishte tek femrat me 23.9% se sa te meshkuj, 15.3 %”, thuhet në raportin e ASK-së për fuqinë punëtore.

Krahasuar me tremujorin paraprak, sipas ASK-së kemi rënie të shkallës së papunësisë me 2.8  për qind, ku kjo rënie te meshkujt ishte me 4.6%, përderisa te femrat kemi rritje me 1.8%.

Reklama e sponzorizuar

“Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (TM3-2020) të AFP-së në Kosovë, kemi rënie të shkallës së papunësisë me 6.9%, ku kjo rënie te meshkujt ishte me 6.2% përderisa te femrat kemi rënie të shkallës së papunësisë me 9.2%”, thuhet në raport.