Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, i ka propozuar Qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse, që të pezullojnë akcizën dhe TVSH-në për importin e naftës në vend, për shkak se siç thotë ai, këto kosto, po e bëjnë çmimin e naftës në Kosovë ndër më të lartin në rajon.
Sipas tij, në qoftë se Qeveria do ta largonte, ose pezullonte përkohësisht akzicën e naftës, çmimi këto ditë në vend do të ishte diku 1.26 euro për litër, përcjell Buletini Ekonomik.
Gjithashtu, edhe në rastin e ngritjes së TVSH-së prej 18 për qind për importimin e naftës, e të mbetej akciza prej 0.36 euro për litër, Gërxhaliu thotë se atëhere çmimi në shitje sipas këtyre kalukulimeve, do të ishte 1.49 euro për litër.
“Është koha për reflektim konkret e të mos shëndrrohet Kosova në shtet social! Zgjidhja egziston por duhet guxim politik për veprim.”, shkruan ndër tjerash Gërxhaliu.
Në bazë të të dhënave që shpalos Gërxhaliu në postimin e tij në facebook, çmimi i naftës sot në portin e Durrësit “Porto Romano”, është 1235 euro për tonë.
“Transporti, çmimi deri në kufi për doganim, akciza, TVSh-ja dhe kostoja operative në Shqipëri po e bëjnë çmimin e naftës në Kosovë ndër më të lartin në rajon!”, përfundon Gërxhaliu. /Buletini Ekonomik/