Xhiroja e pasurive të paluajtshme në BE – Mbizotërojnë ndjeshëm aktivitetet e menaxhimit të pronave dhe objekteve

Në dhjetë vitet e fundit, një “revolucion” i madh ka ndodhur në ekonominë europiane. Motori i ekonomisë (me gati 10% të PBB-së) ishte ndërtimi. Megjithatë, tashmë ky sektor nuk i kalon 6%, ndërkohë që aktivitetet janë të përqendruara në botën e shërbimeve të pasurive të paluajtshme.

Nga menaxhimi, te vlerësimi, te menaxhimi i projekteve: një zinxhir i tërë aktivitetesh që ishte margjinal në shekullin e kaluar dhe që sot përfaqëson mbi 13% të PBB-së.

Për më shumë se dhjetë vjet zinxhiri i shërbimeve të pasurive të paluajtshme ka qenë vazhdimisht në inovacion për t’iu përshtatur nevojave dhe kërkesave të reja të shoqërisë. Aftësitë janë rritur, asetet e menaxhuara dhe të përpunuara janë shumë më të gjera, numri i shërbimeve të ofruara është rritur, cilësia gjithashtu.

Reklama e sponzorizuar

Në vitin 2021, xhiro e aktiviteteve të shërbimeve të pasurive të paluajtshme në pesë vendet kryesore europiane vlerësohet në rreth 345 miliardë euro, në rënie me 1.2% krahasuar me vitin 2020. Gjermania konfirmohet si tregu me performancën më të mirë, me më shumë se 125 miliardë euro dhe një nivel të lartë stabiliteti krahasuar me vitin 2020 (+0.3 për qind). Nga ana tjetër, Franca shënoi një rënie prej 10.8% të xhiros, e cila në vitin 2021 e mbylli me 76 miliardë euro.

Nga ana tjetër, Italia shënoi një rënie krahasuar me vitin 2020, me gati tre pikë përqindjeje dhe një volum prej 36 miliardë euro. Parashikimi është të arrijë rreth 40 miliardë euro xhiro deri në fund të vitit 2023.

Mbretëria e Bashkuar regjistroi një rritje të fortë të xhiros prej rreth 8.6% (79.6 miliardë euro, nga 73.3 në 2020). Spanja karakterizohet gjithashtu nga një rënie e xhiros me 2.4% nga 29.2 miliardë euro në 2020, në 28.5 miliardë në 2021.

Përsa i përket punësimit, sektori i shërbimeve të pasurive të paluajtshme ka një peshë më të ulët në fuqinë punëtore totale sipas vendeve të ndryshme, me një mesatare të qëndrueshme europiane në 1.3%, që korrespondon me 3.23 milionë të punësuar. Këtyre u shtohet një numër pak më shumë se 1.2 milionë punonjës me kohë të pjesshme. /Scan tv/