Një në katër europianë e cilësojnë pozicionin e tyre financiar si të pasigurtë, ndërsa më shumë se gjysma parashikojnë një rrezik serioz gjatë muajve të ardhshëm. Ndërkohë 80% janë të detyruar të kryejnë zgjedhje të vështira për sa i përket shpenzimeve të tyre, sipas një sondazhi të publikuar së fundmi.
Në një kohë që kriza e kostos së jetesës, nxitur nga cmimet e larta të energjisë, inflacioni i shfrenuar dhe lufat e Rusisë në Ukrainë, forcon kontrollin e saj, sondazhi në gjashtë vende në Europë, nga një organizatë jo qeveritare franceze kundër varfërisë, dha një panoramë alarmante të kontinentit.
Më shumë se gjysma – 54% – e më shumë se 6 mijë banorëve në Francë, Gjermani, Greqi, Itali, Poloni dhe Mbretërinë e Bashkuar u shprehën se fuqia e tyre blerëse kishte rënë gjatë tre viteve të fundit, kryesisht për shkak të rritjes së cmimeve të ushqimeve, karburantit, ngrohjes dhe faturave të qirasë.
Vendi më i prekur rezulton të jetë Greqia, ku 68% e të intervistuarve u shprehën se fuqia e tyre shpenzuese kishte rënë shumë, apo ndjeshëm që nga viti 2019. 63% në Francë, 57% në Itali, 54% në Gjermani, 48% në Britania dhe 38% në Poloni dhanë të njëjtën përgjgje.
Rreth 80% e të anketuarve thanë se tashmë ishin detyruar të bënin kompromise të rëndësishme, duke përfshirë reduktimin e udhëtimeve – 62% – ngrohjen – 47%, huamarrjen nga miqtë ose familja – 42%, gjetjen e një pune të dytë – 40% dhe anashkalimin e një vakti – 29%.
Në të gjashtë vendet, 64% thanë se tani “shpesh” ose “ndonjëherë” nuk ishin në gjendje të vendosnin se çfarë të reduktonin më pas, pasi ata tashmë kishin shkurtuar atë që mundnin, 28% thanë se ishin tërhequr shumë nga shpenzimet dhe 27% shpesh dhe se ndonjëherë kishin frikë të humbnin shtëpinë e tyre.
Mesatarisht, rreth 27% e të anketuarve në të gjashtë vendet thanë se gjendja e tyre financiare dhe materiale ishte “e pasigurt”, e përcaktuar se si “një shpenzim i papritur mund të ndryshojë gjithçka”, ndërsa 55% thanë se duhej t’i kushtonin vëmendje.
Megjithatë, e ardhmja dukej më e keqe për shumë njerëz: shumica e europianëve – 55% – thanë se mendonin se përballeshin me një rrezik shumë ose disi të rëndësishëm për të rënë në pasiguri gjatë muajve të ardhshëm – me një në pesë europianë – 17% – që e vlerëson mundësinë si shumë të lartë.
Italianët dhe grekët ishin më të shqetësuarit, me 70% dhe 68% respektivisht shumë ose disi të shqetësuar. Rreth 47% e të anketuarve në Britaninë e Madhe thanë se mendonin se rreziku i pasigurisë ishte i rëndësishëm, njësoj dhe 42% e atyre në Francë.
Prindërit në veçanti po ndjenin tensionin, sipas sondazhit. Pjesa më e madhe – 72% – në të gjashtë vendet thanë se kishin shkurtuar aktivitetet e tyre të kohës së lirë – 76%, trajtimet e flokëve dhe bukurisë – 72%, dhe buxhetin e rrobave – 72% për të ruajtur cilësinë e jetës së fëmijëve të tyre.
Pothuajse gjysma e prindërve (48%) në të gjashtë vendet thanë gjithashtu se reduktonin rregullisht ushqimin e tyre për të ushqyer fëmijët, ndërsa 66% thanë se ishin detyruar të frenonin aktivitetet e fëmijëve, duke përfshirë daljet dhe pushimet.