Qeveria e re e krahut të djathtë në Itali finalizoi buxhetin e saj të parë ditën e martë, një paketë e cila fokusohet te frenimi i rritjeve stratosferike në faturat e energjisë dhe ulja e taksave duke nisur nga viti i ardhshëm për të gjithë punonjësit dhe të vetëpunësuarit.
Kryeministrja Giorgia Meloni shpreson se rritja e shpenzimeve do të përshpejtojë rimëkëmbjen në ekonominë e tretë më të madhe të eurozonës, për të cilën Departamenti i Thesarit ka parashikuar se do të ketë një rënie në tremujorin aktual dhe në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm.
Projektligji i buxhetit u miratua rreth mesnatës së kaluar (23:30 me orën lokale), tha zyra e Melonit, pas një takimi tre-orësh të kabinetit. Tani projektligji do të shkojë në parlament, i cili duhet ta kalojë atë deri në fund të vitit.
Masat e qeverisë arrijnë në pothuajse 35 miliardë euro, ndërkohë që Roma planifikon të financojë rreth 60% të kësaj pakete, duke rritur deficitin buxhetor të vitit të ardhshëm në 4.5% të produktit të brendshëm bruto (PBB), nga 3.4% që ishte parashikuar në shtator.
Disa nga burimet e tjera të financimit përfshijnë një rritje në taksën e fitimeve për kompanitë e energjisë, të cilat kanë përfituar nga rritja e çmimeve të naftës dhe të gazit, tha Thesari në një deklaratë.
Me normën tatimore e cila do të rritet nga 25% në 35% deri në korrik të vitit 2023 dhe që do të llogaritet te fitimet, jo te të ardhurat, taksa e re ndjek kornizën e propozuar nga Komisioni Europian dhe zëvendëson skemën e kaluar që ka shkaktuar kritika dhe refuzime për ta paguar atë nga shumë firma të energjisë.
Buxheti shtrëngon kushtet e skemës “paga e qytetarëve”, e cila synonte të lehtësonte varfërinë për të papunët. Sipas koalicionit të djathtë, kjo skemë i dekurajon njerëzit që të kërkojnë punë.
Që nga viti i ardhshëm, personat e aftë për punë dhe në moshë pune do të mund të përfitojnë vetëm maksimumi tetë muaj nga “paga e qytetarëve”, përpara heqjes së saj të plotë duke filluar nga 1 janari i vitit 2024.
Buxheti do të shpërndajë mbi 21 miliardë euro vitin e ardhshëm për të ndihmuar firmat dhe familjet që të paguajnë faturat e energjisë elektrike dhe të gazit.
Për të shtuar pagat, në buxhet janë planifikuar rreth 4.2 miliardë euro të cilat do të synojnë të reduktojnë diferencën midis pagës që paguan një punëdhënës dhe pagës neto që merr një punonjës, duke sjellë kështu përfitime më të mëdha për punonjësit me të ardhura të ulëta.
Paketa prezanton gjithashtu stimuj fiskalë që synojnë inkurajimin e punësimit me kontrata pa afat për gratë nën moshën 36 vjeç, punësimin me kontrata me afat dhe punësimin e personave që aktualisht përfitojnë nga “paga e qytetarëve”.
Një ekonomi që po ngadalësohet
Me nivelet e larta të inflacionit, ekonomia e Italisë parashikohet të rritet me vetëm 0.6% vitin e ardhshëm pas një shifre prej 3.7% këtë vit, sipas vlerësimeve të fundit të Thesarit. Kjo shifër për vitin e ardhshëm është më optimiste se ato që ofrohen nga shumë parashikues të pavarur.
Duke zbatuar një nga propozimet kryesore fiskale të Melonit, buxheti e shtrin normën tatimore prej 15% për të vetëpunësuarit me të ardhura vjetore deri në 85,000 euro, krahasuar me tavanin aktual prej 65,000 euro.
Me synimin për të ndërtuar një urë të madhe që lidh Sicilinë me kontinentin italian, një projekt i favorizuar prej kohësh nga e djathta italiane, për të mbikëqyrur këtë projekt, projektligji parashikon rinisjen e punës së një kompanie të dedikuar, të mbështetur nga shteti, e cila ishte vënë në likuidim.
Një nga masat më të diskutueshme në buxhet është amnistia për taksat e prapambetura deri në shumën 1,000 euro që janë përpara vitit 2016. Kritikët thonë se amnisti të tilla, të cilat nuk janë të rralla në Itali, inkurajojnë njerëzit që të mos paguajnë taksat e tyre.
Buxheti gjithashtu ul me kusht edhe moshën e daljes në pension vitin e ardhshëm, duke përcaktuar se italianët do të mund të përfitojnë pensionin nga mosha 62 vjeç me kusht që të kenë paguar kontribute për të paktën 41 vite.
Sipas një rregulli të vendosur këtë vit nga paraardhësi i Melonit, Mario Draghi, italianëve u jepet një pension shtetëror që nga mosha 64 vjeç, me kusht që të kenë punuar për 38 vite.
Duke marrë në konsideratë koston e jetesës, buxheti ul TVSH-në nga 10% në 5% për disa produkte thelbësore të konsumit. /Reuters/