Hekuran Murati, ministër i Financave, Punës dhe Transfereve, ka deklaruar se “shumica e buxhetit për projektet e reja kapitale, është shpërndarë proporcionalisht dhe barabartë nëpër të gjitha komunat”.
Në këtë mënyrë Murati i është përgjigjur raportit të Institutit GAP, ku thotë se “52 për qind të buxhetit do të shkojnë në tri komunat që i qeverisë LVV-ja”.
“Shumica e buxhetit për projektet e reja kapitale, është shpërndarë proporcionalisht dhe barabartë nëpër të gjitha komunat, përmes grantit qeveritar”.
“Pjesa tjetër e buxhetit është alokim shtesë nëpër projekte ekzistuese që janë zvarritur me vite të tëra e nuk janë përfunduar kurrë, sepse qeveritë e kaluara i kishin nisur pa buxhetin e mjaftueshëm. As kjo nuk është reflektuar në këtë analizë”.
“Kushdo që është i interesuar të dijë më shumë për buxhetin, mund të na bashkohet në takimet që po mbajmë me qytetarë nëpër komuna, ku shpalosim shumë detaje e plane për vitin 2023”, përmbyllet postimi i Muratit në Facebook.