Qeveria miraton marrëveshjen nga e cila përfiton 75 milionë euro për energji

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbrëmshme elektronike, ka miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes Financiare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2023. Nga kjo marrëveshje, Kosova përfiton gjithsej 75 milionë euro, që do të përdoren për tejkalim të krizës aktuale energjetike.

“Nismën për lidhjen e Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2023. Bashkimi Evropian është zotuar se do të ndihmojë vendet e rajonit me një pako për energjinë në funksion të tejkalimit të krizës aktuale energjetike. Në këtë kuadër për Kosovën janë zotuar 75 milionë euro për përkrahje të drejtpërdrejtë buxhetore në kuadër të programit vjetor IPA 2023”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Gjithashtu, po në këtë mbledhje, Qeveria ka miratuar edhe Nismën për lidhjen e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në programin e BE-së ‘’Qytetarët, Barazia, të Drejtat dhe Vlerat’’.

Reklama e sponzorizuar

“Programi që njihet me shkurtesën në gjuhën angleze CERV, është vazhdimësi e programit të mëparshëm “Evropa për qytetarët”. Ky program synon mbështetjen dhe zhvillimin e shoqërisë së hapur, të barabartë dhe gjithëpërfshirëse të bazuara në të drejta demokratike dhe në shtetin e së drejtës”, thuhet në njoftim.