Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka marrë pjesë në takimet vjetore në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë në Vjenë. Ajo në një lidhje direkte nga kryeqyteti austriak për RTK-në, ka dhënë detaje nga ky takim, teksa ka folur edhe për masat që janë ndërmarrë nga ekzekutivi i vendit që kriza globale energjetike të kalohet sa më lehtë.
“Diskutuam dhe i votuam disa deklarata të rëndësishme. Fillimisht miratuam një deklaratë të përbashkët në kuadër të sanksioneve ndaj burimeve energjetike ruse në përkrahje të Ukrainës. Pastaj, votuam një akt procedural të rëndësishëm sa i përket integrimit rajonal të tregut të energjisë elektrike. Gjithashtu, miratuam edhe aktet e reja të cilat do t’i zbatojmë gjatë vitit të ardhshëm sa i përket efiçiencës së energjisë”, ka theksuar Rizvanolli.
Ajo ka bërë të ditur se nga viti i ardhshëm do të fillojë së zbatuari vendosja e etiketave për produktet shtëpiake.
”Ato do tregojnë efiçiencën e pajisjeve dhe kësisoj do t’i mundësojnë konsumatorëve që të zgjedhin produktet më efiçiente për shtëpitë e tyre, duke mundësuar uljen e shpenzimeve të energjisë”, ka shtuar ministrja.
Sipas ministres Rizvanolli, Qeveria e Kosovës që nga fillimi i krizës energjetike është kujdesur që qytetarët e vendit tonë të preken sa më pak.
“Masa a parë që kemi ndërmarrë ka qenë subvencionimi i tarifave për të gjithë qytetarët dhe të gjitha bizneset, e që është duke vazhduar që nga shkurti i këtij viti. Po ashtu i kemi pasur edhe dy masa tjera që kanë ndikuar drejtpërdrejt në uljen e konsumit të energjisë elektrike: Subvencionimi për ata që kanë kursyer energji elektrike, i cili po zbatohet nga Ministria e Financave, nëpërmjet të cilit qytetarët të cilët kanë ulur konsumin e energjisë për 5 përqind ose më shumë në krahasim me vitin e kaluar, janë shpërblyer me dyfishin e vlerës që e kanë kursyer dhe masa e tretë është subvencionimi i pajisjeve efiçiente për ngrohje, që është pritur shumë mirë nga qytetarët”, është shprehur ministrja.
Tutje e para e dikasterit të ekonomisë ka treguar se në muajin nëntor amvisëritë e kanë ulur konsumin për 15 përqind në krahasim me nëntorin e vitit të kaluar.
“Sa më shumë që qytetarët vazhdojnë ta shfrytëzojnë energjinë elektrike në mënyrë racionale dhe ta kursejnë atë gjatë muajve në vijim, kjo e bën jo vetëm më të lehtë tejkalimin e krizës, mirëpo e ruan edhe buxhetin e shtetit”, ka nënvizuar Rizvanolli.
Ajo i ka falënderuar qytetarët dhe bizneset që janë munduar dhe kanë kursyer energji elektrike gjatë kësaj periudhe dhe i ka ftuar ata që të vazhdojnë ta bëjnë këtë sidomos tani kur çmimet në treg po rriten tejmase. Rizvanolli ka thënë se tani situata është më e mirë se sa e kishin parashikuar, por se ende duhet të tregohemi racional.
“Çmimi i energjisë në tregun botëror është tetëfishtë më i lartë se çmimi në faturat që i paguajmë ne si qytetarë. Me uljen e konsumit në muajt e fundit që i kemi pasur tani parashikimet janë më të mira se sa para dy-tre muajsh. Mirëpo, situata vazhdon të jetë e rënduar dhe secili prej nesh mund të bëjmë diçka për ta përmirësuar situatën. Sa më shumë që ne bëjmë, aq më i lehtë do të jetë dimri. Të gjitha masat që janë ndërmarrë i kanë pasur efektet e tyre, por kjo nuk do të thotë që duhet të jemi të kujdesshëm gjatë javëve dhe muajve në vijim”, ka përfunduar Rizvanolli.
Evropa aktualisht është duke u përballur me një krizë të madhe energjetike si pasojë e agresionit të Rusisë në Ukrainë. Furnizimi me gaz për ngrohje, por edhe me energji elektrike është paralajmëruar se do të vështirësohet dukshëm gjatë muajve të dimrit. /RTKlive/