Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se po vazhdon rënia ekonomike në Kosovë.
Hoti rënien ekonomike në vend e ka bazuar këtë konstatim në të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave.
“Rënia ekonomike në Kosovë po vazhdon si rezultat i krizës globale, por është ndikuar shumë nga rënia e investimeve publike. Ja argumentet nga të dhënat e Agjencisë së Statistikave”, shkruan Hoti, duke e ndarë me figura.
“Bruto Produkti Vendor është në rënie të vazhdueshme nga tremujori i dytë i vitit të kaluar. Vitin e ardhshëm, kjo do të reflektohen në rënie të punësimit, të të ardhurave dhe fitimeve të firmave. Dhe në fund në rënie të të hyrat buxhetore”, ka shkruar Hoti.
E dhëna më shqetësuese sipas deputetit të LDK-së, është rënia në “Formimin e Bruto Kapitalit” nga fillimi i mandatit të kësaj qeverie.
“Në tremujorin e dytë të këtij viti rënia ishte tepër e madhe -16.81%, ndërkaq në të tretin -2.33%. Kjo do të përkeqësojë aftësinë prodhuese të ekonomisë së Kosovës në vitet në vijim”, ka nënvizuar ai.
Sipas tij, kësaj situate i ka “kontribuar rënia e shpenzimeve qeveritare nga fillimi i mandatit të kësaj qeverie”.
“Në tremujorin e parë të këtij viti shpenzimet qeveritare kanë rënë me -3.11%, në të dytin me -2.81% dhe në të tretin janë rritur me 0.52%. Kjo vjen si rezultat i rënies shumë të madhe të investimeve kapitale, si në nivelin qendror ashtu edhe në nivelin lokal”, ka theksuar ish-kryeministri i vendit.
Viti i ardhshëm, sipas Hotit, mund të jetë i vështirë.
“Duhet ristrukturim i madh i shpenzimeve publike për të parandaluar thellimin e krizës. Duhet nisur projekte madhore infrastrukturore për të gjeneruar aktivitet të shtuar ekonomik. Duhet të sigurohemi që sektori privat merr sinjale pozitive dhe fillojnë investimet e reja të jashtme dhe të brendshme”, ka përfunduar Hoti.