Njohës të fushës së ekonomisë në Kosovë thonë se një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë do të shmangte krizat e ngjashme me ato të fundvitit të kaluar në veriun e vendit që lanë pas vetes pasoja negative në aspekte të ndryshme ekonomike e posaçërisht në nxitjen e investimeve të huaja.
“Një sfidë që ne e shohim dhe urojmë të mos ndodhë është përsëritja e krizave të mundshme në aspektin e sigurisë siç i kemi parë në fund të vitit 2022 meqë ato pastaj ndikojnë edhe në gjendjen e përgjithshme edhe sa i përket konsumit e nivelit të besueshmërisë që qytetarët mund të kenë në përgjithësi por edhe në imazhin e vendit karshi investitorëve të jashtëm por edhe nxitjen ose pengimin e investime të jashtme”, tha kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka.
“Fundviti na gjeti me një problem tjetër, me një sfidë tjetër që ishte në Mitrovicë edhe që ndikoi edhe te biznesi sidomos te aspekti i investitorëve sepse Serbia në këtë drejtim kujdeset shumë mirë që të krijojë sa më shumë negativitet për Kosovën dhe pasiguri, ndërkohë që siguria ekziston në Kosovë për investime”, thotë Skënder Krasniqi nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë.
Zeka shprehet se përmbyllja e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë dhe rrjedhimisht eliminimi i krizave të brendshme do të pasqyronin qëndrueshmëri për investitorët e mundshëm të huaj në Kosovë.
“Për shkak se në rastin tonë një çështje e tillë e pazgjidhur natyrisht se ndikon edhe në aftësinë tonë për të bindur investitorët seriozë që të vijnë dhe të investojnë në Kosovë. Investitorët e sidomos kompanitë e mëdha globale përgjatë analizave të tyre natyrisht që marrin parasysh faktorët politik edhe çështjet e hapura të politikës së jashtme të Kosovës në këtë rast na pamundësojnë që të bindim investitorët seriozë që të vijnë”, shprehet ai.
Nxitja e investimeve të huaja në Kosovë vlerësohet si një nga sfidat ekonomike për vitin 2023, krahas problemeve me shkallën e lartë të inflacionit të nxitur nga agresioni rus në Ukrainë.
Ekspertët thonë se kriza ekonomike në vend pritet të vazhdojë edhe këtë vit, me gjithë parashikimet se shkalla e inflacionit pritet të bie nga fundi i vitit apo fillimi i vitit të ardhshëm.
“Ajo çfarë mund të presim të shohim edhe më tej është një vazhdim i normave të larta të inflacionit edhe përgjatë vitit 2023, sidomos në tre çerek mujorët e parë të vitit, pastaj ndoshta një fillim të stabilizimit të çmimeve nga fundi i këtij viti dhe ndoshta rregullim të plotë në fillim të vitit 2024. Kjo mund të jetë një nga sfidat më të mëdha, sfida pra e kostos së lartë të jetesës me të cilët qytetarët e vendit janë përballur edhe përgjatë vitit të kaluar”, thotë Zeka.