Serbia mori pjesë në importet e Kosovës me vetëm 0.9 për qind

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) sot ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin qershor  të këtij viti, në të cilat shihet një deficit më i ulët tregtar për 9.9%,  krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Deficiti tregtar gjatë vitit të kaluar për muajin qershor ishte 269,8 milionë euro, ndërsa këtë vit ky deficit ka shënuar një rënie në 243.1 milionë euro, përcjell Buletini Ekonomik.

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë se vetëm eksporti i mallrave në Kosovë, për muajin që lamë pas kishte vlerën e 32,1 milionë eurove, ndërsa importi  275,2 milionë euro, që shihet si një rënie prej 13.6% për eksport, si dhe rënie prej 10.3%  për import duke e krahasuar me periudhën e njëjtë  të vitit 2018.

Reklama e sponzorizuar

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 39.2% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 14.8% plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 11.3% përbëjne ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 8.4% produktet minerale, 4.8% artikujt e ndryshëm të prodhuar, 4.1% produktet bimore, 3.8% makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; si dhe tekstili dhe artikujt prej tij përbëjne rreth 2.5%  të këtij eksporti në vend.

Ndërsa, sa i përket importit, Kosova gjatë qershorit ka importuar: 15.2% produkte minerale, 12.3% ushqime të përgatitura, pije dhe duhan; 12.2% makineri, pajisje mekanike dhe elektrike, 10.5% metale bazë dhe artikuj prej tyre, 9.0% mjete të transportit, 6.7% produkte të industrisë kimike, 6.2% plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre etj.

Megjithatë, eksportet e Kosovës drejt vendeve të BE-së arritën deri në 9,6 milionë euro, edhe pse me një rënie prej 28.1%.

Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave nga Kosova në Bashkimin Evropian janë: Gjermania e cila kryeson me 7.6% të eksportit, Holanda me 4.8%, si dhe Britania e Madhe dhe Italia me 2.2%.

Ndërkaq, importet e Kosovës nga vendet e BE-së kapin vlerën e 136,8 milionë eurove, me një rënie prej (2.7%). Importet me pjesëmarje me të lartë ishin nga: Gjermania me 12.2%, Greqia me 7.3%, Italia me 5.4%, Sllovenia me 4.0%, etj.

Po ashtu, eksportet e Kosovës me vendet  e CEFTA-së arritën në 13,5 milionë euro, me partnerët kryesorë për eksport si: Shqipëria me  17.2%, Maqedonia me 10.7%, Serbia me 7.7%, si dhe Mali i zi me 5.0%.

Ndërsa, importet nga anëtaret e CEFTA-së, në muajin qershor arritën në 41,1 milionë euro. Vendet me pjesëmarje më të lartë për import ishin: Maqedonia me 7.3%, Shqipëria me 6.5%, dhe Serbia me vetëm 0.9 %.

Përvec këtyre, eksportet e Kosovës vazhduan edhe me vendet tjera si me Indinë dhe Zvicrrën, ku gjatë këtij muaji këto eksporte arritën ta kapin vlerën e 8,9 milionë eurove.

Kosova, gjithashtu importoi edhe në vendet e tjera si në Turqi dhe Kinë, import ky, që arriti deri në 97.2 milionë euro.

Agjencia e Statistikave të Kosovës, me këtë rast ka bërë të ditur se eksporti në vend e mbulon importin me 11.7%. /Buletini Ekonomik/