Brexit po i kushton ekonomisë britanike 100 miliardë paund në vit

Që nga largimi zyrtar nga Bashkimi Europian, tre vjet më parë, investimet brenda Mbretërisë së Bashkuar janë rritur 19% më pak se mesatarja e G7 dhe ekonomia ka rënë me 4%.

A ka kryer Britania e Madhe një veprim ekonomik vetë shkatërrues kur votoi për t’u larguar nga BE në 2016? Provat e deritanishme ende sugjerojnë se po.

Çështja kryesore është se shkëputja nga tregu europian mund të ketë ndikuar në ekonominë britanike më shpejt nga sa pritej. Performanca e dobët shpjegohet pjesërisht nga investimet e biznesit, pasi firmat kanë ndaluar shpenzimet për shkak të pasigurisë se çfarë do të thotë jeta jashtë BE-së.

Reklama e sponzorizuar

Brexit gjithashtu pati një ndikim negativ në punësim.

Por, kryeministri Rishi Sunak këmbëngul se Mbretëria e Bashkuar ka bërë “hapa të mëdhenj” në shfrytëzimin e mundësive të reja që vendi përfitoi me daljen nga BE.

“Dhe në 100 ditët e mia të para si kryeministër, nuk ka ngadalësime – ne po heqim burokracinë për bizneset, po përmirësojmë tregtinë nëpërmjet porteve të lira dhe po krijojmë sistemin tonë bujqësor për të mbrojtur fshatrat britanike,” tha ai.

Sipas ekspertit të sondazheve John Curtice, 57% e njerëzve në MB do të votonin për t’iu ribashkuar BE-së.

“E vetmja mënyrë që Brexit-i i paraqitur nga Boris Johnson do të funksiononte ishte nëse do të kishte një ndryshim tërësor të rregullave dhe politikave të MB dhe ne do të kalonim në një lloj utopie të Liz Truss si shteti i Singaporit por, kjo nuk do të ndodhte kurrë.” Tha Guy Hands, themelues dhe drejtor i kompanisë Terra Firma.

Më 31 janar 2020, Mbretëria e Bashkuar i dha fund 47 viteve si pjesë e Bashkimit Europian, menjëherë pasi Boris Johnson arriti një fitore të thellë të konservatorëve me premtimin e tij për të “përfunduar Brexit”. /Bloomberg/