Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka thënë se vendimi i Ministrisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për çmimin tavan të derivateve, është i dëmshëm për kompanitë e naftës.
Shahini ka thënë se Qeveria s’duhet të marrë vendime pa konsultim paraprak me bizneset në fjalë.
Shahini ka thënë se Qeveria duhet t’i bëjë publike emrat e kompanive që kanë keqpërdor me çmime, e jo të përfshihen të gjitha.
“Është një vendim i befasuar, është një vendim që i prekë bizneset, pavarësisht që arsyetimi është i Qeverisë dhe Ministrisë të Tregtisë dhe Industrisë se vendimi për përcaktimin e masës me afat 30 ditësh është një vendim për shkak të disa kompanive të cilat e kanë keqpërdorë situatën. Qeveria duhet të dalë me emra dhe mbiemra kush e ka keqpërdorë dhe qysh e ka keqpërdorë dhe ata të ndëshkohen, jo të ndëshkohen të gjitha kompanitë”, tha Shahini për EO.
Ai ka thënë se për vendime të tilla duhet të ketë negocim, e jo vendime që përfshijnë të gjitha kompanitë.
“Mendoj që ky vendim është i panegociueshëm por duhet Qeveria ta negociojë, pra Ministria e Tregtisë dhe Industrisë me naftëtarët me kompanitë veç e veç dhe nuk duhet të bien pre të gjitha kompanitë e keqpërdoruesve të një kompanie apo dy kompanie, pavarësisht kush janë ato, duhet të publikohen, duhet të ndëshkohen dhe jo të ndëshkohen të gjitha kompanitë private, kompanitë e naftëtarëve”, tha Shahini.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), gjatë ditës së mërkurë ka marrë vendim që t’i caktojë çmimet e naftës.
Sipas vendimit të marrë nga ministrja Rozeta Hajdari, marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy (2) eurocentë për litër, kurse marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është dymbëdhjetë (12) euro/centë për litër.