Rritet tregtia mes Shqipërisë dhe Kosovës – Pritet dyfishimi i saj në 2 vitet e ardhshme

Tregtia mes Shqipërisë dhe Kosovës është rritur me 54% në dy vitet e fundit, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, ndërkohë që pritet që dy vitet e ardhshme kjo tregti të dyfishohet.

Po sipas këtyre të dhënave për përiudhën 10 mujore, janar – tetor 2022 vihet re një ulje e shkëmbimeve të mallrave me shtetin fqinj në volum, ndërsa në vlerë për shkak të rritjes së çmimeve përgjatë disa muajve, regjistrohet rritje, ku në 10 mujor shkëmbimet prekën vlerën e 378 milionë eurove.

Ndër rreth 127 marrëveshjeve të shkruara mes dy vendeve në mbledhjet e përbashkëta të qeverive, spikasin bashkëpunimet në projektet e hekurudhës Durrës – Prishtinë, porti i Shëngjinit dhe perspektivat që hap porti i ri tregtar i Durrësit, por kryesisht bashkimi doganor.

Reklama e sponzorizuar

Vendi ynë importon nga Kosova rreth 143 milionë euro mallra në vit, kryesisht metalet bazë dhe artikujt e tyre, por dhe produkte bimore, ushqime, pije dhe duhan. Ndërsa eksportohen në Kosovë mallra me vlerë 326 milion euro në vit kryesisht si materiale ndërtimi, mjete transporti dhe produkte të ndryshme konsumi.

Por gjithësesi Kosova eksporton vetëm 7.4% të mallrave të saj në Shqipëri ndërsa ne eksportojmë vetëm 9.8% të mallrave tona. Në 15 vjet tregti Shqipëri – Kosovë janë regjistruar rreth 1.9 miliard euro në importet dhe eksportet e mallrave. /Scan tv/