Një lidhje e shkurtër në stabilimentet e KOSTT-it e dërgon jashtë funksionit bllokun A4

Siç ka njoftuar zyrtari i KEK-ut për marrëdhënie me mediet, Skënder Bucolli, defekti teknik që ka pësuar me rastin e lidhjes së shkurtër në stabilimentet e KOSTT-it, në bazë të të dhënave të Departamentit të Mirëmbajtjes në KEK, siç duket nga vrojtimi i parë, ende pa u bërë ndonjë analizë më e detajuar, nuk është i përmasave të mëdha dhe nuk do të ketë pasoja që do të zgjatnin kohën e kthimit të tij në punë.

Buletini Ekonomik

Një lidhje e shkurtër në stabilimentet e KOSTT-it, mbrëmë saktësisht rreth orës 00:00, ka qenë shkaktar i ndërprerjes së paplanifikuar të prodhimit në bllokun A 4 të termocentralit Kosova A të KEK-ut.

Reklama e sponzorizuar

Siç ka njoftuar sot zyrtari i KEK-ut për marrëdhënie me mediet, Skënder Bucolli, defekti teknik që ka pësuar me rastin e lidhjes së shkurtër në stabilimentet e KOSTT-it, në bazë të të dhënave të Departamentit të Mirëmbajtjes në Korporatën Energjetike të Kosovës, siç po duket nga vrojtimi i parë, ende pa u bërë ndonjë analizë më e detajuar, nuk është i përmasave të mëdha dhe nuk do të ketë pasoja që do të zgjatnin kohën e kthimit të tij në punë.

Besohet se shumë shpejtë blloku A 4, që ka kapacitetin 150 megavatë-orë në rrjet, do të rikthehet në procesin e prodhimit. Sidoqoftë, po pritet mendimi përfundimtar i ekspertëve të Departamentit të Mirëmbajtjes së KEK-ut për përmasat e defektit dhe për parashikimet më të sakta të kthimit të kësaj njësie të Kosovës A në operim.

Jo zyrtarisht sot flitej se pas lidhjes së shkurtër në stabilimentet e KOSTT-ut, në bllokun A4 janë dëmtuar ca pajime izolimi në stabilimentet e këtij blloku. Sot, po del të jetë i saktë konstatimi që zhurma e madhe që u dëgjua mbrëmë në orën 00:00 në Prishtinë e që kishte shqetësuar shumë banorë të kryeqytetit, ishte saktësisht rrjedhojë e defektit teknik në A4-shin e Kosova A, pas lidhjes së shkurtër që ndodhi në këtë kohë në stabilimentet e KOSTT-it.

Në fakt, që mbrëmë një zyrtar i KEK-ut ka thënë për mediet e vendit se rreth orës 00:00, ka pasur një avari në termocentralin A4, i cili edhe ka rënë nga sistemi. Sipas tij, kjo zhurmë është e zakonshme në këto raste.

Ndërsa, pse ajo është dëgjuar aq fortë deri në kryeqytet, mund të ketë ndodhur shkaku i kushteve të favorshme atmosferike. Pas avarisë së paparshikuar në njësinë A 4 të termocentraleve Kosova A, në punë janë dy njësitë prodhuese të Kosovës B (B1 dhe B2) me gjithsej kapacitet në rrjet 520 megavatë-orë dhe njësia A 3 e Kosovës A me kapacitet 150 megavatë-orë, përkatësisht po aq sa ka edhe A4, që tani gjendet jashtë funksionit. Kjo do të thotë se nga termocentralet e vendit, derisa të kthehet në prodhim A4, do të kemi diku rreth 670 megavatë-orë energji elektrike. Kësaj sasie të energjisë elektrike të prodhuar nga TC-të, duhet shtuar këtyre ditëve me të reshura dhe me erë goxha intensive plus më së paku rreth 100 megavatë nga kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme (hidrocentralet e vogla të Kosovës dhe nga parqet e energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Anamoravës).

Por, sasisë së energjisë elektrike të prodhuar në termocentralet e KEK-ut këtyre ditëve derisa do të mungojë rryma e A4-shit, duhet shtuar edhe një sasi të konsiderueshme të energjisë elektrike që po vie nga Shqipëria në bazë të marrëveshjeve të këmbimit të rrymës, gjegjësisht që KESH po ia kthen borxhin KEK-ut, që ky i fundit gjatë muajve të verës dhe në orët e natës ka deponuar në sistemin elektroenergjetik shqiptar.

Tani, Shqipëria ka goxha teprica të energjisë elektrike, që është mundësuar nga reshjet e shumta të javëve të fundit. Në sajë të ujërave të bollshme, sistemi elektroenergjetik shqiptar, qëkur u mbushën me ujë bazenet në kaskadën e Drinit, nisi edhe të eksportojë një sasi të mirë të rrymës, t’i kthej borxhet në rrymë dhe zuri ta përmirësojë gjendjen financiare, të rënduar nga importet në sasi të mëdha të rrymës për nevojat e veta gjatë kohëve kur nuk kishte ujë të mjaftueshëm.

KEK-u, siç ka raportuar disa herë Buletini Ekonomik, gjatë ditëve të verës dhe sidomos gjatë orëve të natës, kur nevojat e Kosovës ishin më të vogla se konsumi, i ka dhënë hua, ose ka deponuar në KESH diku afro 150 mijë megavatë-orë. Nga KESH-i, Kosova gjatë muajve të dimrit ka marrë, qoftë si kthim borxhi, qoftë si hua një sasi të madhe të energjisë elektrike thuaja gjatë secilës ditë, që ka shërbyer për nevojat e konsumit të ngritur të vendit. Një sasi e konsiderueshme e rrymës pritet që të vie nga Shqipëria edhe ditëve në vazhdim. /Buletini Ekonomik/