Kompania “Rezonanca”, prej vitesh, shfrytëzon një parcelë prej gati katër hektarësh në Komunën e Lipjanit – pjesa qendrore e Kosovës – edhe pse nuk ka marrë pjesë në tenderin për shfrytëzimin e saj.
Komuna, në bazë të tenderit të shpallur në vitin 2009, ua ka dhënë për shfrytëzim këtë tokë kompanive “Punëtori” dhe “B-Inxhiniering”, me pronar Luan Prenkun, përkatësisht Besim Smajlin.
Toka do të shfrytëzohej për 99 vjet dhe aty do të themelohej një qendër shpërndarëse farmaceutike, si dhe një kompani për ndërtimin e serave për kultivimin e perimeve.
Por, në vend të tyre, atje janë ndërtuar spitale, një shkollë e mesme, një depo, një qendër rekreative hoteliere, ndërsa në ndërtim e sipër është edhe një objekt shumëkatësh.
Zyrtarë të Qeverisë thonë se ndërrimi i pronarëve të biznesit në prona të komunës është veprim joligjor.
Autoritetet në Lipjan thonë se rasti në fjalë u është dorëzuar tashmë organeve të hetuesisë, por REL-i, përmes kontakteve me prokurori, nuk ka mundur ta konfirmojë një gjë të tillë.
Si ka hyrë “Rezonanca”?
Me ligjin në Kosovë, Komuna ka të drejtë ta japë në shfrytëzim tokën në bazë të projektit që e hartojnë vetë kompanitë. Komuna, më pas, e përzgjedh kompaninë më të mirë garuese, duke respektuar disa kritere të caktuara.
Kur Komuna e Lipjanit i ka dhënë në shfrytëzim disa parcela në vitin 2009, përfshirë edhe parcelën e diskutueshme, kompania “Rezonanca” nuk ka marrë pjesë në tender.
Luan Prenku, përfituesi i gjysmës së parcelës prej rreth katër hektarësh, thotë se, për shkak të vështirësive financiare për realizimin e projektit të paraqitur në tender, ia ka shitur aksionet e biznesit kompanisë “Rezonanca”, pronarë të së cilës janë Ramadan Idrizaj dhe Arian Idrizaj nga Prishtina.
Aksionet e veta te kjo kompani i ka kaluar edhe përfituesi tjetër i tokës në Lipjan, Besim Smajli.
Një gjë të tillë ata e kanë bërë me autorizim te noteri Ramadan Bunjaku, në Prishtinë, në janar të vitit 2013. Në këtë dokument thuhet se “autorizojmë ‘Rezonancën’ që tek autoritetet komunale në Lipjan të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme procedurale” për zbatimin e projektit.
Bunjaku tha shkurtimisht për REL-in se autorizimi “është bërë me pëlqimin e palëve”. I pensionuar qe dy vjet, ai tha se nuk i kujtohen detajet e marrëveshjes.
Edhe pse tenderin e kanë fituar në vitin 2009, dy kompanitë nuk kanë bërë ndonjë investim në parcela.
Prenku thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk i kujtohet se me çfarë çmimi e ka bërë shitjen e aksioneve të tij te kompania “Rezonanca”, e cila në atë kohë përfaqësohej nga Ramadan Idrizaj.
“Kur është bërë [ndërrimi i pronarëve], ato aksione që kam pasur në firmë, kanë qenë simbolike… Ato i ka paguar dhe ai e ka marrë tokën përsipër për të ndërtuar depo farmaceutike. Në të kundërtën, toka do të kthehej te pronari, sepse pronar është Komuna e Lipjanit”, thotë Prenku, duke shtuar se ky është “veprim i ligjshëm”.
Radio Evropa e Lirë bëri përpjekje të bisedojë edhe me Besim Smajlin, pronar i kompanisë “B-Inxhiniering”, por ai nuk ishte i qasshëm.
Nga kompania “Rezonanca” nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it se përse nuk kanë marrë pjesë në tender dhe në çfarë mënyre e shfrytëzojnë tokën komunale.
“Këto përgjigje i merrni në Kuvendin Komunal [në Lipjan]”, tha Arian Idrizaj, njëri prej pronarëve të kompanisë “Rezonanca”, në një përgjigje elektronike dërguar Radios Evropa e Lirë.
Çka thuhet në marrëveshjet e kompanive fituese dhe Komunës?
Në tenderin e vitit 2009, përfituese të shfrytëzimit të parcelës prej 3.8 hektarësh – zona kadastrale Konjuh, Komuna e Lipjanit – kanë qenë dy kompani: “Punëtori” dhe “B-Inxhiniering”.
Marrëveshja për dhënien në shfrytëzim të kësaj toke është nënshkruar në mes të Komunës së Lipjanit dhe këtyre dy kompanive në muajin tetor të vitit 2009.
Në marrëveshjen e kompanisë “Punëtori” me pronar Luan Prenkun – të siguruar nga REL-i – thuhet se brenda një afati prej dy vjetësh, “partneri privat do ta ndërtojë objektin për zhvillimin e Qendrës Distributive Farmaceutike”.
Kurse, në marrëveshjen tjetër me pronar Besim Smajlin ofrohen 540 ditë pune për zbatimin e projektit për ndërtimin e serave për perime të hershme.
Në të dyja këto marrëveshje shkruan se partneri privat e merr paluajtshmërinë në shfrytëzim dhe se ka të drejtë ta përdorë atë vetëm për realizimin e projekteve të cekura në dokument.
Në marrëveshje, po ashtu, thuhet se autoriteti kontraktues duhet ta bëjë mbikëqyrjen e realizimit të projektit dhe “nëse partneri privat dështon në përmbushjen e detyrimeve, që dalin nga marrëveshja, Komuna do ta kthejë në shfrytëzim paluajtshmërinë”.
Marrëveshjet me pronarët fitues janë nënshkruar nga menaxheri i Zyrës së Prokurimit në Lipjan, Ragip Zejnullahu, në prani të kryetarit të atëhershëm të Komunës së Lipjanit, Shukri Buja.
Ndërrimi i pronarëve
Ndërmarrja “Punëtori” figuron në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës që nga 12 shkurti i vitit 2009 – rreth nëntë muaj para marrjes së tenderit – ndërsa “B-Inxhinierig” është regjistruar në këtë agjenci më 23 mars të vitit 2009.
Sqarim: Në dokumentet e Komunës së Lipjanit, kompania “B-ingjiniering” në disa raste shkruhet në këtë mënyrë, e në disa të tjera “B-Inxhiniering”.
Zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në Kosovë konfirmojnë për Radion Evropa e Lirë se të dyja këto biznese e kanë ndërruar pronarin më 23 shtator të vitit 2010, duke kaluar në pronësi të Arian Idrizajt dhe Atije Idrizajt, të cilët posedojnë edhe kompaninë “Rezonanca”.
Këto kompani e kanë njoftuar fillimisht Komunën e Lipjanit se kanë vështirësi financiare në realizimin e projekteve, ndërsa Komuna, në vitin 2012, sipas dokumenteve që ka siguruar REL-i, ka filluar procedurat për shkëputje të kontratës me to.
Por, një vit më vonë, përkatësisht në shkurt të vitit 2013, Zyra e Prokurimit në Lipjan ka kërkuar nga departamenti përkatës që të stopohen procedurat e shkëputjes së kontratës dhe pronari t’i vazhdojë punimet.
Kërkesa është aprovuar edhe me një aktvendim të kryetarit të atëhershëm të Komunës së Lipjanit, Shukri Buja.
Sipas këtij aktvendimi, Drejtoria për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan obligohej t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në lidhje me procedurën e regjistrimit të kompanisë “Punëtori” dhe të kompanisë “B-Ingjiniering”, tashmë me pronarë të rinj, si shfrytëzues të parcelës në Lipjan për 99 vjet. Regjistrimi është bërë në librat publikë të Komunës së Lipjanit.
Në aktvendim, po ashtu, thuhej se operatorët mund t’i fillojnë punimet për realizimin e projektit të tyre, përkatësisht spitalit të përgjithshëm dhe special për alkoolizëm dhe narkomani.
Gjatë 2013-ës, dy kompanitë kanë marrë leje nga Komuna edhe për ndërtimin e kompleksit tjetër spitalor, “Rezonanca”.
MAPL: Ligji nuk lejon që toka të bartet te pala e tretë
Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal e Kosovës (MAPL) bën monitorimin dhe zbatimin e Ligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës.
Zyrtarë të kësaj ministrie thonë për Radion Evropa e Lirë se legjislacioni në fuqi nuk lejon që prona, e cila merret në shfrytëzim me vendim të kryetarit të komunës, të bartet te pala e tretë.
Nuk mund të prononcohem, sepse ka kaluar kohë e gjatë. Nëse ka parregullsi, janë organet e hetuesisë dhe prokurorisë…”
“Nëse autoriteti mbikëqyrës [në këtë rast MAPL] konsideron se një vendim apo një akt i komunës nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet, ai mund të kërkojë që komuna ta rishqyrtojë vendimin apo aktin e tillë”, thonë nga MAPL-ja.
REL-i pyeti ish-kryetarin e Lipjanit, Shukri Buja, se me çfarë baze ligjore e ka nënshkruar aktvendimin, por ai nuk dha përgjigje.
“Nuk mund të prononcohem, sepse ka kaluar kohë e gjatë. Nëse ka parregullsi, janë organet e hetuesisë dhe prokurorisë, dhe nuk kam lidhje për këtë punë”, tha Buja.
Në nenin 22 të Ligjit për dhënien në shfrytëzim të pronës thuhet se “në rast të mosrealizimit të planit dinamik të kontratës për dhënien në shfrytëzim të pronës së Komunës, duke tejkaluar afatet e përcaktuara me kontratë, kryetari i Komunës merr vendim për shkëputjen e kontratës. Me këtë vendim njoftohet Kuvendi i Komunës”.
Ka apo s’ka lëndë tek organet e hetuesisë?
Radio Evropa e Lirë ka raportuar gati nëntë vjet më parë për këto parcela në Lipjan dhe autoritetet komunale në atë kohë kanë pohuar se atyre u është ndërruar padrejtësisht pronari dhe se rasti do të procedohet tek organet e drejtësisë.
Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, i cili ka marrë detyrën në vitin 2013, i ka thënë REL-it më 17 tetor, 2014, se ka dyshime për procedurat e dhënies në shfrytëzim të pronës së paluajtshme dhe për këtë arsye Komuna e Lipjanit ka ngritur rast tek organet hetimore në Prishtinë.
Sipas tij, bartja e pronave te pala e tretë është e padrejtë.
Më 7 shkurt të këtij viti, REL-i bisedoi sërish me Ahmetin, i cili vazhdon të jetë kryetar i Lipjanit. Ai tha se që nga ajo kohë, nuk ka asnjë vendim apo informacion për lëndën nga organet e drejtësisë.
REL-i kërkoi nga Ahmeti numrin e lëndës për të cilën pretendon se është tek organet hetimore, por ai nuk e ofroi.
Prokuroria Speciale e Kosovës i tha REL-it se “nuk ka rast” për emrat e përfshirë në këtë artikull, përkatësisht: Ramdan Idrizaj, Arian Idrizaj, Luan Prenku, Besim Smajli ose Universiteti i Shkencave Mjekësore “Rezonanca”.
Për të njëjtit emra, REL-i iu drejtua edhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila tha se “është e pamundur të identifikohet kërkesa me të dhënat e kërkuara”.
“Rezonanca” ka marrë leje për ndërtim nga Komuna e Lipjanit edhe pas vitit 2015. Gjatë kësaj periudhe, kryetar i Komunës ka qenë Imri Ahmeti.
Në pyetjen e REL-it se si është lejuar ndërtimi i objekteve kur, sipas tij, lënda është në organet e drejtësisë, Ahmeti u përgjigj:
“Në rastin konkret ka pasur vendimmarrje të mëhershme, të cilat ne i kemi gjetur të tilla dhe janë proceduar si të tilla”.
Sipas agjencive të patundshmërisë, një ari tokë në zonën industriale në Lipjan, përkatësisht magjistralja Prishtinë-Ferizaj, kushton nga 16.000 deri në 25.000 euro./REL/