Bursa Shqiptare e Energjisë ka nisur regjistrimin e anëtarëve, ku të parat janë bërë pjesë e saj kompanitë publike të sektorit.
Pas deklaratës së administratorit të ALPEX, Sokol Dishnica, gjatë një aktiviteti për energjinë javën e shkuar, ku theksoi se numri i anëtarëve kishte arritur në tre, ku përfshiheshin Operatori i Sistemit të Transmetimit, Furnizuesi i Tregut të Lirë dhe Furnizuesi i Shërbimit Universal, tashmë janë shtuar edhe dy të tjerë.
Bëhet fjalë për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare dhe Operatorin e Sistemit të Transmetimit.
Bursa e Energjisë është një nga hallkat e rëndësishme të sektorit që cilësohet si kyçe në kuadër të reformimit të përgjithshëm që ka nisur në energji.
Funksionimi i saj nënvizohet i nevojshëm në kuadër të rritjes së transparencës dhe konkurrencës teksa në fazën e liberalizmit që është vendi merr rëndësi edhe më të madhe.
Për të nisur funksionimin e plotë përfaqësues të Bursës nënvizuan pak ditë më parë se duhet të hidhen ende disa hapa por që shumica e platformave dhe elementëve të rëndësishëm janë përfunduar.
“Bursa është një institucion apo hallkë e rëndësishme brenda sektorit. Sot që flasim jemi në përfundim të back-up të gjithë platformave. Janë miratuar setet e rregullave dhe kemi nisur procesin e anëtarësimit të FTL, OSSH dhe KESH. Kemi kërkesa dhe aplikime nga kompani të huaja për bursën.
Në ditët në vazhdim do të ofrojmë ankandin e parë të bursës që do të jetë publik. Me zbatimin e bursës Shqipëria bëhet një vend që është i ngjashëm me një nga vendet e BE-së në kuptimin që çdo llogaritje e bursës do të shkojë sipas algoritmeve të bursave të Europës.
Përmes bursës do të ofrohet fillimisht tregu i energjisë i ditës në avancë dhe pas një viti edhe tregu brenda ditës. Bursa me të gjithë hapat që janë hedhur deri më tani përmbyll paketën që ofrohet sot në bursat europiane” tha administratori i ALPEX Dishnica pak ditë më parë.
Pak javë më parë edhe Enti Rregullator i Energjisë miratoi paketën e rregullave që lidhen me funksionimin dhe tregtimin në Bursë duke kaluar kështu një hap të rëndësishëm për nisjen e ankandeve.
Bursa shihet si një mundësi e mirë për palët që janë në treg të pavarur si tregues edhe prodhues teksa po kaq i rëndësishëm është edhe për furnizuesit apo konsumatorët në treg të lirë ku bëjnë pjesë bizneset në tension të lartë dhe ato 35 kilovolt apo pjesërisht të liberalizuar në tension të mesëm 20,10, 6 kv. /Monitor.al/