Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot debat parlamentar lidhur me zhvillimet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe përgjegjësinë e institucioneve qendrore në sektorin energjetik.
Seanca e jashtëzakonshme do të nisë në orën 11:00.
Një ditë më parë kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi është pezulluar nga puna.
Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga Departamenti për Marrëdhënie me Publikun në KEK.
Në njoftim bëhet e ditur se Krasniqit i është ndërprerë marrëdhënia e punës me efekt të menjëhershëm.
Gjykata Themelore në Prishtinë ndryshe ditë më parë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqit, i arrestuar nën dyshimin për korrupsion.
Krasniqi dyshohet se ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, “Ushtrim ndikimi” dhe “Konflikt interesi”.