Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ditë më parë ka bërë të ditur se mbi 740 mijë persona në vend janë ekonomisht jo-aktivë, që nuk janë në punë dhe aktualisht nuk janë të regjistruar në ndonjë nga zyrat shtetërore që kërkojnë punë.
Nga të dhënat që i përkasin periudhës së tremujorit të parë të vitit 2022, më shqetësuese mbetet numri prej 100 mijë prej tyre të moshës nga 15 deri në 24-vjeç, që përpos se janë të papunë, nuk janë as në shkollë dhe nuk ndjekin trajnime profesionale.
Të dhënat e ASK-së tregojnë se janë mbi 1.2 milionë qytetarë në moshë pune, mbi 380 mijë janë të punësuar, mbi 77 mijë janë të papunë dhe mbi 750 mijë janë ekonomikisht joaktivë.
Nga komuniteti i biznesit, thonë se qytetarët e cilësuar në masë të madhe si pasivë nuk regjistrohen për të kërkuar punë për shkak se këto institucione nuk kanë arritur që t’iu përgjigjen kërkesave të tyre, ndërsa ndryshe nga vendet e tjera, as nuk kanë ndonjë mbështetje financiare gjatë kohës së pritjes për punësim.
Duke folur për numrin prej rreth 100 mijë të rinjsh, kryeshefi i ASK-së, Ilir Berisha thotë se të njëjtit mbahen nga familja dhe nuk kanë bërë ndonjë kërkesë që të kyçen në tregun e punës.
“Personat jo-aktivë dhe ata që nuk kërkojnë punë konsiderohen në Kosovë që gjatë tremujorit të parë të vitit 2022 ishte një shifër mbi 740 mijë persona, nga këta janë 98 mijë e 271 të rinj. Të gjitha këto janë rezultate të anketës të fuqisë punëtore që bazohen me një mostër dhe kornize e mostrës janë të dhënat e regjistrimit të popullsisë të vitit 2011 me ndryshime demografike dhe ende konsiderojmë që këto rezultate në të ardhmen do të ndryshojnë pasi të bëhet regjistrimi i këtij viti, pasi konsiderojmë se popullsia rezidente aktualisht nuk është kjo shifër siç e kemi në kornize mostër aktualisht”, thekson Berisha.
Ai derisa rendit disa nga faktorët që ndikojnë që një pjesë e madhe e të rinjve janë pa punë, shkollë e trajnime, pranon se numri i personave që nuk kërkojnë punë është duke u rritur.
“Së pari jetojnë në bashkësi familjarë të cilët janë të mbajtur nga prindërit apo familja ka burime të tjera dhe familja nuk bënë ndonjë kërkesë që ata të hyjnë në tregun e punës, si të kërkojnë punë. Mund të kryejnë edhe punë të tjera, të cilat në definicione të punësimit nuk konsiderohen, por që janë obligime familjare, ndihmojnë prindërit e tyre në bizneset e tyre apo në diçka të ngjashme. Mirëpo, numri i kontingjentit të popullsisë joaktive që nuk kërkojnë punë dhe që nuk punojnë është duke u rritur vazhdimisht”, shprehet ai.