Temperaturat ekstreme rritin konsumin e rrymës në Kosovë

Fotografi ilustruese

Për shkak të konsumit më të madh të energjisë elektrike, si rrjedhojë e përdorimit të shumtë të aparaturave ftohëse, por edhe freskuese, tani konsumi mesatar ditor ka shkuar në 850 megavatë-orë, shifër kjo që tregon se rritja e konsumit është evidente, njoftojnë zyrtarët e KESCO-s. Para disa javësh, konsumi mesatar në Kosovë nuk ka tejkaluar 650 – 700 megavatëshin. Buletini Ekonomik ka mësuar se prodhimi aktual në termocentralet e Kosovës është diku rreth 700 megavatë-orë.

Buletini Ekonomik

Temperaturat ekstreme të larta që tash e sa ditë kanë përfshirë edhe vendin tonë, sado që karaketrizohet me klimë qind për qind kontinentale, kanë ndryshuar goxha ndjeshëm “kartën’ elektroenergjetike” të vendit.

Për shkak të konsumit më të madh të energjisë elektrike, si rrjedhojë e përdorimit të shumtë të aparaturave dhe stabilimenteve ftohëse, por edhe freskuese, tani konsumi mesatar ditor ka shkuar në 850 megavatë-orë, shifër kjo që tregon se rritja e konsumit është evidente, njoftojnë zyrtarët e KESCO-s. Para disa javësh, konsumi mesatar në Kosovë nuk ka tejkaluar 650 – 700 megavatshin. Kjo rritje është e madhe, e vrullshme dhe është më shumë se prodhimi i një njësie prodhuese të Kosovës A, që sillet nga 125-130 megavtë-orë.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkohë, Buletini Ekonomik ka mësuar se prodhimi aktual në termocentralet e Kosovës është diku rreth 700 megavatë-orë.

Siç dihet, termocentralet Kosova B, ka muaj që punojnë me kapacitet të përgjysmuar, përkatësisht tani është i aktivizuar vetëm njëri bllok (B2), me kapacitet 260 megavatë, për shkak se në B1 (me të njëjtin kapacitet si të B2-shit) janë duke u kryer punë të mëdha rreth rekonstruktimit më të detajuar të turbinave.

Në gjendje të mirë teknike gjenden edhe tre blloqet e Kosovës A (A3, A4 dhe A5), nga të cilat, deri në ardhjen e temperaturave ekstreme të larta edhe në vendin tonë, në të shumtën e rasteve kanë qenë të aktivizuara vetëm dy blloqe, për shkak se sasia e prodhuar në njërin bllok të Kosovës B dhe të dy blloqeve të Kosova A, plus një sasi nga stabilimentet prodhuese ekzistuese të energjisë së rinovueshme, kanë mjaftuar për të përmbushur nevojat e konsumit të Kosovës.

Një periudhë të caktuar, kur akoma nuk ishte ngritur konsumi, gjatë natës, madje ka pasur edhe teprica të energjisë, të cilat janë huazuar në sistemin elektroenergjetik të Shqipërisë (si kthim borxhi). Ndërsa, tani, në këto ditë janë të aktivizuara të tre blloqet e Kosova A (me kapacitet 3 herë 130 megavatë) dhe B2 (260 megavatë) që bëjnë 650 megavatë dhe sasia e energjisë që vie nga impiantet e energjisë së ripërtëritshme (aktualisht rreth 50 megavatë). Sasia e munguar e energjisë elektrike, diku rreth 150 megavatë – orë po sigurohet nga importi, kanë thënë sot për Buletinin Ekonomik, zyrtarët e KESCO-s.

Ndërsa, çmimi i sotshëm i energjisë në Bursën hungareze “HUPX” ka qenë 126 euro për një kilovatë-orë gjatë ditës, ndërsa gjatë orëve të pikut një megavatë në këtë treg të energjisë kushton sot 130 euro.

Temperaturat e larta, gjithsesi, po ndikojnë edhe në ngritjen e çmimeve në tregjet ndërkombëtare të energjisë. Të dielën që shkoi (16 korrik, 2023), bie fjala në tregun hungarez një megavat i energjisë elektrike ka kushtuar rreth 53 euro, që i bie se brenda tre katër ditësh është ngritur çmimi më shumë se dyfish. /Buletini Ekonomik/