Fitimet e tre e kompanive shtetërore të energjetikes, KESH, OSHEE dhe OST arritën në 8,1 miliardë lekë rreth 80 milionë euro në tre-mujorin e parë të vitit 2023, duke përmirësuar pozicionin financiar në raport me të njëjtën periudhe të vitit 2021 kur te tre kompanitë në fjalë ishin me humbje rreth 2,9 miliardë lekë ose 29 milionë euro.
Ministria e financave raportoi se të ardhurat e tre kompanive në tremujorin e parë ishin 32 miliardë lekë rreth 320 milionë euro, ndërsa shpenzimet arritën në rreth 24 miliardë lekë (240 milionë euro).
Të dhënat tregojnë se rezultatin më të lartë të fitimeve e kishte Korporata Elektroenergjitë shqiptare (KESH ) me rreth 6,4 miliardë lekë ose 64 milionë euro. Financat e kompanisë shtetërore të prodhimit të energjisë u ndihmuan nga kushtet e favorshme klimaterike në muajt e parë të vitit, teksa KESH riktheu ankandet e shitjes së energjisë.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë realizoi 8 milionë euro fitime në tremujorin e parë teksa të ardhurat arritën në rreth 190 milionë euro dhe shpenzimet 182 milionë euro.
Me fitim ishte edhe kompania e transmetimit (OST) me rreth 8,3 milionë euro në të njëjtën periudhe.
Çmimet e energjisë në bursat ndërkombëtare janë stabilizuar pas rekordeve që arritën pas luftës në Ukrainë. Ndërsa në tregun e brendshëm sektori është ndihmuar se tepërmi nga reshjet e bollshme në gjysmën e parë të vitit, teksa rezervat energjetikë në basene janë të kënaqshme në krahasim me periudhat e verës të viteve të kaluar.
Sakaq, Këshilli i Ministrave vendosi ndryshimin e kohëzgjatjes së gjendjes së emergjencës së furnizimit me energji elektrike deri më në fund të 2023. Kjo, me qëllim vazhdimin e mbështetjes nga buxheti i shtetit së këtij sektori gjatë kësaj periudhe, duke asistuar kështu KESH Sh.a. në blerjen e energjisë elektrike në tregun e lirë për të plotësuar mangësitë në prodhim dhe përballimin e rritjes të paparashikuar eksponenciale të çmimit të energjisë në tregun e lirë.
Përmirësimi i bilanceve në kompanitë e energjisë ka reduktuar impaktin fiskal që ato kanë në buxhet.
Në terma të riskut fiskal, impakti i sektorit si kosto apo të ardhura të munguara në financat publike, për vitin 2023 vlerësohet në rreth 473 milion lekë për 3-mujorin e parë 2023, nga rreth 33 miliardë LEK për vitin 2022, duke treguar një përmirësim të gjendjes së detyrimeve, referoi Ministria e Financave.
Por ndërkohë kompanitë publike të energjisë ende i detyrohen Ministrisë së Financave (buxhetit) me një shume prej 55,6 miliardë lekësh ose 556 milionë euro, për shkak se nuk kanë përmbushur për shlyerjen e kredive që qeveria ka marrë në emër të tyre.
Kjo është një kosto e fshehur që paguhet nga qytetarët shqiptare nga taksat e tjera që derdhen në buxhet, përveç faturave të energjisë që paguajnë çdo muaj.