Si pasojë e rendimentit më të ulët, Kosova këtë vit do të jetë shumë më e varur nga importi i grurit. Kështu thonë përfaqësues bujqish e ekspertë, sipas të cilëve te një sasi e grurit edhe cilësia është më e dobët. Ndërkohë, në mungesë të sasive të nevojshme të grurit, nga janari 2022 e deri në fund të qershorit 2023, Kosova ka importuar grurë në vlerë rreth 48 milionë euro.
Fushata e korrje-shirjes së grurit tashmë ka përfunduar. Ndërkohë, nga Ministria e Bujqësisë akoma nuk kanë dalë me shifra në lidhje me rendimentet e grurit të arritura gjatë këtij viti në Kosovë.
Ekspertë të bujqësisë dhe kultivues të grurit thonë se rendimentet këtë vit ishin më të ulëta, si pasojë e kushteve klimatike që mbretëruan në pranverë dhe fillim-verë, të cilat nuk ishin në favor të grurit.
Sipas kryetarit të Federatës Sindikale të Bujqve, Tahir Tahiri, krahasuar me vitin e kaluar rendimentet e grurit janë më të ulëta.
“Ne kemi aktivistët tanë që bëjnë intervistim të bujqve në terren dhe nxjerrim një mesatare. Jemi shumë më keq se vitin e kaluar. Vitin e kaluar rendimenti është sjellë mbi 3 mijë kilogramë për hektar, por sivjet nuk besojmë se do të arrijmë mesataren prej 3 mijë kilogramë për hektar”, tha ai.
Tutje, në programin e mëngjesit në Radio Kosova Tahiri thotë se vendi edhe këtë vit do të ketë varshmëri të madhe nga importi i grurit.
“Me gjasë, sivjet do të jemi shumë më të varur nga importi i grurit se në vitet e mëparshme, pasi rendimenti është më i ulët dhe po ashtu te një pjesë e madhe e grurit edhe cilësia është e dobët”, tha ai.
Edhe profesori universitar i bujqësisë, Imer Rusinovci, thotë se Kosova edhe këtë vit do të ketë varshmëri të madhe të importit të grurit.
“Duke pasur parasysh ndikimin e motit të ftohtë që ishte, pasi patëm një vit thënë figurativisht “vit pa pranverë” prandaj, edhe këtë vit do të karakterizohemi me pamjaftueshmëri të prodhimit vendor”, tha Rusinovci.
Në mungesë të sasisë së nevojshme të grurit, Kosova prej vitesh është e varur nga importi. Sipas të dhënave të Doganës, nga 1 janari 2022 e deri më 30 qershor 2023, Kosova ka importuar rreth 150 mijë tonë grurë, në vlerë pak mbi 48 milionë euro. Gjatë periudhës së njëjtë Kosova ka importuar edhe miell gruri dhe meslini në vlerë rreth 10 milionë.