Ka dështuar fare pashpjegueshëm tani e tre vjet regjistrimi i popullsisë, i këtij procesi kaq të rëndësishëm jo vetëm statistikor për funksionimin e një shteti normal, edhe pse Kosova në të kaluarën ka mbajtur dhe ka realizuar regjistrime, madje suksesshëm, shumë regjistrime (me herët në kuadër të ih-Jugosllavisë si njësi federative e saj) dhe pas lufte, së fundi më 2011. Çka thonë analistët dhe cili është vlerësimi i zyrtarëve të ASK-së rreth këtij procesi.
Mehmet GJATA
Shteti i Kosovës, që nga paslufta, ka dështuar në realizimin dhe përmbushjen e shumë projekteve të rëndësishme për vendin, por edhe në sosh më margjinale, por, poashtu, të vlefshme, për zhvillimet e Republikës, dhe me këto huqje ka treguar para se gjithash joseriozitet, papërgjegjësi të pafundme dhe paaftësi të tejdukshme të autoriteteve dhe të zyrtarëve kompetentë dhe të profesionistëve të angazuar. Ka dështuar ndërtimi i një kapaciteti elektroenergjetik, qoftë të energjisë në bazë të qymyrit, qoftë të asaj të rinovueshme, aq i nevojshëm për kompenzimin e mungesës kronike të energjisë elektrike për vendin, ka dështuar në përmbylljen e shumë akseve të rrugëve nacionale të nisura që para shumë vjetëve (Magjistrala Prishtinë – Mitrovicë, zgjerimi i së cilës ka nisur që më 2009, ende e papërfunduar, magjistrala Prishtinë – Podujevë, e nisur që më 2016, ende e pafinalizuar, magjistrala Prishtinë, Pejë, e nisur shumë vite më parë, ende në gjysmë të rrugës, Autostrada Prishtinë – Gjilan, ende duke u ndërtuar, ka dështuar fare në ndërtimin e ndërtesës së operës dhe Baletit, e planifikuar dhe e parashikuar të ndërtohet në pothuaj në të gjitha mandatet e qeverive të deritashme, dhe askush se di se a do të ndërtohet ndonjëherë, ka dështuar qe sa vite ndërtimi i një Stadiumi Kombëtar, apo për lojrat e Kombëtares sonë të futbollit dhe të ndeshjeve të ndryshme ndërkombëtare ekipore…Ka dështuar ndërtimi i ndoonjë kapaciteti ekonomik, industrial që do të gjeneronte vende të reja pune dhe do të kontribuonte në zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit).
Duhet potencuar këto dështime dhe duhet përsëritur vazhdimisht, jo vetëm për rëndësinë e tyre që do të kishin për shtetin më të ri në Europë, por, për shkakun se të gjitha këto kapacitete e projekte të përmendura më lartë, Kosova, edhe e varfër siç ka qenë dhe vazhdon të jetë, ka mundur me potecial vetanak financiar t’i ndërtojë, t’i finalizojë veç e veç, por në ndonjë rast edhe në ndonjë përiudhë të caktuar edhe t’i nis dhe t’i ndërtojë ato, edhe më shumë se një sosh përnjëherë. Shumë para, të parapara për investime kapitale, me muaj e vite po qëndrojnë në stoqe, të paprekura dhe duke humbur jo pak vlerën nga mosangazhimin dhe mos qarkullimin e tyre. Ka dështuar fare pashpjegueshëm tani e tre vjet edhe regjistrimi i popullsisë, i këtij procesi kaq të rëndësishëm jo vetëm statistikor për funksionimin e një shteti normal, edhe pse Kosova në të kaluarën ka mbajtur dhe ka realizuar regjistrime, madje suksesshëm, shumë regjistrime (me herët në kuadër të ish-Jugosllavisë si njësi federative e saj) dhe pas lufte, së fundi më 2011.
Më 23 shtator 2023, Qeveria vendosi ta shtyjë për dy –tre muaj muaj regjistrimin e paraparë të fillojë në shtatorin e sivjetshëm (më konkretisht, në mbledhjen e fundit të Qeverisë u tha se regjistrimi i popullsisë u shty për të filluar me 1 nëntor 2023).
Ndërsa, dihet, se para kësaj shtyrjeje të fundit, kanë ndodhur edhe dy shtyrje të tjera. Në 2021-n, si arsye është përmendur pandemia, e një vit më vonë mungesa e infrastrukturës ligjore dhe e përgatitjes institucionale, ndërsa të mërkurën kryeministri Albin Kurti përmendi një arsye tjetër, e që ndërlidhet me prokurimin. “Edhe pse përgatitjet u bënë përkundër rezistencës së prodhuar edhe brenda Komisionit Qendror të Regjistrimit nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, procesin nuk mund të fillojë para datës 1 nëntor 2023, pra dy muaj më vonë, për shkak të pamundësisë së Agjencisë së Statistikave të Kosovës, që me vonesat e shkaktuara t’i planifikonte detajet e fundit”, ka thënë Kurti.
Të përkujtojmë se shtyrja e e procesit të regjistrimit më 2021, u bë fare lehtësisht me arsyetimin e ekzistimit të pandemisë, por edhe të zgjedhjeve, ndërkohë që në disa vende të rajonit (në Serbi, në Maqedoninë e Veriut), në të njëjtat kondita, kur edhe atje kishte njësojë pandemi të COVID19-shit, u realizua pa ndonjë vështirësi ky proces.
Së pari, sipas zyrtarëve të ASK-së, regjistrimi u shty, me rekomandime të asociacioneve kompetente ndërkombëtare, siç është Eurostati, për shkak të përhapjes së pandemisë edhe në vendin tonë, por edhe për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme dhe atyre lokale, të cilat ishin të parapara të mbahen po në këtë vit. Mirëpo, sado që pas shtyrjes së regjistrimit më 2021, asnjëherë nga zyrtarët dhe statisticientët e ASK-së, nuk u tha saktësisht se kur do të mbahet ky proses, në një farë mënyre , pritej që regjistrimi të bëhet më 2022.
Dhe, siç u pa , më 2022 ndodhi edhe një vit shtyrje, pra dy vjet vonesë. Për prolongimin e dytë të regjistrimit, fillimisht theksohej si shkak mungesa e Ligjit për regjistrimin, ndërsa pasi që ky ligj iu nënshtrua procedurës së miratimit (ishte miratuar në vitin e kaluar në Kuvend në lexim të parë), ndër institucionet përgjegjëse pasoi heshtja.
Ndërsa, edhe pse ndër institucionet e shtetit dihet rëndësia që ka regjistrimi i popullsisë brenda kornizave të afateve tashmë të përcaktuara në mbarë botën (kudo regjistrimi në kushte normale, bëhet në çdo 10 vjet), zyrtarët e ASK-së vlerësonin atëherë se “shtyrja për një kohë të caktuar në aspektin statistikor, nuk paraqet pengesë të madhe në aktivitetet e tjera”.
Por, sipas ekspertëve dhe demografëve, të shtyhet procesi i regjistrimit, kot më kot, pa asnjë arsye për të qenë, është e pakuptueshme, aq më parë që dihet rëndësia e këtij procesi. “Rëndom, kur ka kauza të rëndësishme, sikundër janë zgjedhjet, por edhe në rastet siç ndodhi me pandeminë, as nga ekspertë, as nga institucionet kompetente vendore, por edhe ndërkombëtare nuk preferohet të mbahet regjistrimi i popullsisë” i thanë Buletinit Ekonomik zyrtarët e ASK-së.
Në këtë mënyrë, më 2021 me një konsensus, qoftë të heshtur, qoftë edhe të bërë publik, ndërmjet Qeverisë dhe ASK-së, u shty procesi i regjistrimit dhe u mendua për t’u mbajtur më 2022.
Mirëpo, edhe më 202 u shty për vitin vijues, përkatësisht për 1 shtator 2023, dhe prapë po shtyhet nga autoritetet për dy muaj, siç u tha në mbledhjen e fundit të Qeverisë. Ndërkohë, shtyrjen e regjistrimit të popullsisë edhe më 2021 edhe më 2022, edhe tani së fundi, e kanë kontestuar ekspertët dhe njohësit e zhvillimeve demokrafike në vend.
Sipas demografëve, vonesa e regjistrimit të popullsisë ka ndikim te të gjitha planet dhe planifikimet e institucioneve shtetërore. Së pari ka ndikim te buxheti, sepse numri i popullsisë sipas komunave ndikon në përcaktimin e grantit financiar qeveritar për nevojat e komunave të Kosovës.
Në Kosovë, për shkak të tendencave të ditura për migrim të madh të popullsisë, një regjistrim i pavonuar më, do të sqaronte dhe saktësonte shumë numrin e kosovarëve që kanë ikur nga Kosova që nga viti 2011, gjegjësisht do të ishte referencë e pakonstestueshme për demografë, politikanë dhe zyrtarë kompetentë për përcjelljen e lëvizjeve të popullsisë.
Në Kosovë, sikundër në shumicën e vendeve të Ballkanit (Shqipëri, Mal të Zi, Kroaci dhe Serbi), regjistrimi i fundit i popullsisë është realizuar në vitin 2011. Sipas të dhënave të ASK-së të dala nga ky regjistrim, popullsia e përgjithshme rezidente e Kosovës në fund të vitit 2019, ka qenë 1.782,115 banorë.
Në regjistrimin e vitit 2011 nuk ishin përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovë (Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut), pasi që në atë kohë ata kishin refuzuar procesin.
Në Agjencinë e Statistikave të Kosovës pa shpjeguar shumë detaje, i patën thënë Buletinit Ekonomik se ASK-ja është fare e gatshme që me sukses të realizojë regjistrimin kudo që do të organizohet. ASK-ja, siç thonë zyrtarët e këtushëm, ka bërë përgatitjet e nevojshme dhe posa të caktohet data e mbajtjes, do të fuqizohen grupet punuese me staf tjetër nga institucioni dhe nga jashtë tij. Po kështu, sipas zyrtarëve të ASK-së, edhe në aspektin teknik janë përgatitur të gjitha instrumentet e nevojshme, sado që në përgjigjet me shkrim në interesimin e Buletinit Ekonomik, zyrtarët e ASK-së nuk kanë specifikuar konkretisht se cilat janë përgatitjet që i ka përfunduar në tërësi stafi i ASK-së dhe çka ka mbetur në kuadër të përgatitjeve për t’u bërë ende.
“ASK-ka ka bërë planet, dokumentet dhe ka përgatitur strategjinë e komunikimit është përgatitur dhe do të përdoren të gjitha instrumentet e nevojshme për një komunikim të mirëfilltë”, kishte theksuar për Buletinin Ekonomik, drejtori i Departamentit të Statistikave Sociale/Popullsisë në ASK.
Sipas zyrtarëve të ASK-së, prej të gjitha aktiviteteve statistikore, Regjistrimi i Popullsisë kërkon vëmendje të caktuar dhe duhet të vlerësohen të gjitha kushtet, me qëllim që të ketë pjesëmarrje të plotë dhe kualitet. Rreth risive eventuale që do ta karakterizonin regjistrimin e pritshëm dhe që do ta veçonin nga regjistrimi paraprak, ose ndryshimit eventual të metodologjisë tradicionale, statisticientët e Kosovës, kanë shpjeguar se “regjistrimi pritet të bëhet, duke i grumbulluar të dhënat drejtpërdrejt/direkt nga anëtarët e ekonomive familjare përmes tabletave”. Sipas tyre, regjistrimi pritet të zgjasë 1 muaj në terren, ndërsa tashmë Qeveria ka siguruar mjetet e nevojshme. Pritet të angazhohen rreth 3500 regjistrues dhe rreth 700 mbikëqyrës.
Ndërsa, për shkak të metodës së grumbullimit me tabletë, të dhënat paraprake dhe finale do të publikohen shumë më herët se ato nga viti 2011, kanë saktësuar zyrtarët e ASK-së. Risi në regjistrimin e pritshëm është thënë se do të jetë edhe përfshirja në proces edhe e rajonit të veriut të Kosovës, përkatësisht të komunave të banuara me popullsi shumicë serbe.
Siç kanë theksuar zyrtarët e ASK-së për Buletinin Ekonomik, stafi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, planifikimi i regjistrimit tashmë është i gatshëm, plani i aktiviteteve të pritshme është në proces, ndërsa është punuar edhe për ta përgatitur sa më mirë fushatën senzibilizuese. Regjistrimi i popullisisë më 2011 pati zgjatur 2 javë, hiq disa komuna që për shkak të vështirësive konkrete, kjo kohë ishte zgjatur në një muaj.
Tani, regjistrimi i radhës planifikohet të zgjasë 1 muaj, sado që ka ndryshuar goxha shumë metodologjia e regjistrimit. Edhe në regjistrimin e pritshëm, do të aplikohet metodologjia tradicionale-derë më derë.
Por, tani në vend të pyetsorëve me letër siç ishte bërë me 2011-tën, do të aplikohen pyetësorët elektronik. Secili regjistrues do ta ketë tabletin e vet për regjistrim dhe secili regjistrues do të monitorohet nga qendra monitoruese në ASK (GIS). Pos mbledhjes së të dhënave, në këtë regjistrim risi do të jenë edhe hartat digjitale të qarqeve regjistruese. Regjistrimi i radhës do të jetë i fokusuar në regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe të banesave.
Ndërsa, regjistrimi i zhvillimeve në bujqësi do të jetë më i gjithanshëm dhe më shumë detaje do të regjistrohen në regjistrimin enkas për bujqësinë e Kosovës, që planifikohet të mbahet pas publikimit të të dhënave nga regjistrimi i popullisë. Kostoja e përgjithshme e regjistrimit, sipas kalkulimeve të mëhershme, llogaritet të jetë 11.5 deri në 12 milionë euro, apo rreth 6.5 euro për person. Me metodologjinë e re, që do të aplikohet në regjistrimin e pritshëm, do të shkurtohet ndjeshëm publikimi i rezultateve paraprake dhe ato finale të regjistrimit.
Mendohet, siç theksojnë zyrtarët për informim në ASK, që rezultatet finale të bëhen publike brenda disa muajsh në vend të 1,5 vjet e më shumë sa ka zgjatur bërja publike e statistikave finale të dala nga regjistrimet e kaluara.
Analisti i politikave në Institutin për Hulumtime të Avancuara GAP, Agron Demi, në një status të tj në Facebook e ka kritikuar ekzekutivin për shtyrjen e datës së regjistrimit, nga 1 shtatori në 1 nëntor. Sipas tij, Qeveria është treguar jo-serioze në këtë proces dhe se nuk duhet t’i fajësojë të tjerët. “Regjistrimi i 2011 ka qenë i pari në Kosovën e pasluftës dhe memorandumet me organizatat ndërkombëtare edhe kanë qenë të arsyeshme. Kjo Qeveri ka pas dy vjet e gjysmë kohë për t’u përgatitur, për t’I udhëhequr vetë procedurat e prokurimit pa pasë nevojë me lidhë marrëveshje me organizatat ndërkombëtare për me ia mbulua dështimet Qeverisë. Se sa seriozisht e ka kjo qeveri regjistrimin e popullsisë tregon edhe fakti që e kanë lënë ASK-në me ushtrues detyre të kryeshefit që nga fillimi i mandatit qeverisës”, ka thënë ai.
Por edhe në ASK, në një farë mënyre e demantojnë arsyetimin e kryeministrit Kurti se procesi tani po shtyhet “për shkak të pamundësisë së Agjencisë së Statistikave të Kosovës, që me vonesat e shkaktuara t’i planifikonte detajet e fundit”. Në Agjencinë e Statistikave të Kosovës pa shpjeguar shumë detaje, i patën thënë Buletinit Ekonomik se “ASK-ja është fare e gatshme që me sukses të realizojë regjistrimin kurdo që do të organizohet. ASK-ja, siç thonë zyrtarët e këtushëm, ka bërë përgatitjet e nevojshme dhe posa të caktohët data e mbajtjës, do të fuqizohen grupet punuese me staf tjetër nga institucioni dhe nga jashtë tij”.
Sidoqoftë, sipas njohësve të këtij procesi, po të tregohej më serioz dhe më i angazhuar shteti i Kosovës për mbajtjën me kohë të regjistrimit, pa ndonjë vështirësi do të duhej tashmë të përfundonte kaherë ky proces. Tani mbetët të shihet a do të ketë më shtyrje të tjera të regjistrimit të popullsisë në Kosovë. /Buletini Ekonomik