Kultivimi i dredhëzës në Kosovë viteve të fundit ka marr hov

Dy nga kultivuesit e saj, të cilët i vizitoi Radio Kosova, shprehen të kënaqur me rendimentet dhe fitimet nga kjo kulturë pemëtore. Ata thonë se pandemia Covid-19 nuk ka pasur efekte negative te kultivuesit e dredhëzës. Sipas tyre, problem më vete mbetet importi.

Në prill dhe maj, kur shumica rrinin në shtëpi, si masë mbrojtëse kundër pandemisë Covid-19, Arbër Lohaj nga Mirashi i Ferizajt, bashkë me 3 anëtarë të familjes së tij, punonte dhe vazhdon të punojë në serrat e mbjella me dredhëz. Arbëri që prej 6 vitesh e bënë këtë punë dhe thotë se tek ai dhe kultivuesit e tjerë të dredhëzës, pandemia nuk ka pasur ndonjë ndikim.

Arbër Lohaj:

Reklama e sponzorizuar

 “Kemi rreth 40 ari dredhëza në serë. Ky vit është një nga vitet më të suksesshme për kulturën e dredhëzës, e cila ka pasur një çmim jashtëzakonisht të mirë. Përkundër që ka qenë një krizë nga pandemia, te dredhëza ka ndikuar pozitivisht, sepse kemi pasur mungesë të importit nga Shqipëria dhe Greqia. Kjo ka bërë që të rritet kërkesa e edhe çmimi të jetë më i mirë”, tha ai.   

Arbëri, që vite më parë u kthye nga migrimi, thotë se pemishtja me dredhëza, ku punojnë edhe disa punëtorë sezonalë, u sjell mjaft fitime.

“Dredhëzat nëse punohen mirë japin rendiment mjaft të lartë. Zakonisht një hektar mund të japë nga 30 deri në 50 tonë. Ne presim rendiment rreth 15 tonë. Të ardhurat në bazë çmimit të  këtij janë relativisht të larta dhe jemi të kënaqur me këtë çmim”, tha Lohaj.  

Ismail Balaj, një kultivues tjetër i dredhëzave nga Llausha e Skenderajt, thotë se çmimi i mirë që ishte deri tash po rrezikohet nga importi.  

Deri tash, në mungesë të importit çmimi ka qenë i mirë. Këtë vit i kam 25 ari me dredhëz, të mbjella në ambient të hapur. Por tash ka me qenë problem shitja, se importi e mbush tregun tonë. I kisha bërë thirrje shtetit dhe pikave grumbulluese që t’i japin përparësi prodhimeve vendore, t’i marrin nga ne e jo import”, tha ai.  

Ismail Balaj e Arbër Lohaj kanë të mbjella edhe kultura të tjera bujqësore. Balaj ka dy serra me domate e speca, ndërsa Lohaj përveç dredhëzës ka të mbjella edhe tetë hektarë me mjedër e shalqi.