PDK-ja kërkon miratimin e ligjit anti-COVID

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka bërë thirrje që të miratohet ligji anti-COVID, ndërsa ka vlerësuar situatën me COVID-19 në Kosovë si shumë të rëndë. Ai ka thënë se PDK-ja do ta përkrahë ligjin.

“Situata me Covid-19 është shumë e rëndë. Vetëm ditëve të fundit 17 raste të vdekjes. Kërkojmë që asnjë rast të mos paragjykohen dhe t’i jepet mundësi hetimeve. Nuk duhet të humbim më shumë kohë për ta miratuar ligjin anti covid, i cili do të përfshinte tri fusha, masa të rrepta. Gjobë për këdo që i thyen ato masa, siç po veprojnë vendet”, tha Haxiu në konferencë për media.

Haxhiu ka kritikuar Qeverinë Hoti për menaxhimin e pandemisë.

Reklama e sponzorizuar

“Gabimet e Qeverisë Kurti gjatë pandemisë po vazhdojnë edhe në këtë Qeveri. Nuk janë dëgjuar thirrjet e PDK-së për shtimin e testeve. Kosova ka kapacitet të bëjë deri në njëmijë teste në ditë. Është e dhimbshme të dëgjosh çdo ditë qytetarët që nuk arrijnë të bëjnë teste në Kosovë dhe detyrohen të shkojnë në vendet fqinje. Po ashtu, shumica e shteteve kanë hyrë me teste serologjike të cilat me gjithë të metat që kanë, po pasqyrojnë një ide të profilit të pacientëve të infektuar me këtë sëmundje dhe një përqindje reale që e kanë kaluar. Fatkeqësisht, Kosova as përafërsisht nuk e di dhe nuk ka një përqindje të përafërt. PDK propozon që me këto teste të përcaktohet një mostër prej 10 mijë personash në nivel të Kosovës dhe të shikohet ku qëndrojmë si popullatë në raport me këtë sëmundje. Së treti, që po ashtu lidhet me këtë që e theksova më lart ka të bëjë më mungesën e madhe të transparencës dhe informatave për këtë situatë – njëjtë sikurse edhe në ish Qeverinë Kurti dhe ish Ministrit Vitia. Pra, krejt çka mësojnë qytetarët në fund të ditës janë numri i vdekjeve, i të infektuarve dhe të shëruarve. Por, mungojnë informata të tjera bazike mbi natyrën e sëmundjes te të sëmurët, rrethanat e infektimit dhe cilat janë momentalisht vatrat më të mëdha të infektimit në Kosovë. Pra, Kosova ka hyrë në fazën e hapjes pa rritje të kapaciteteve të reja, pa planifikim të mirë të decentralizimit të trajtimit të këtyre rasteve në komuna, të përfshirjes në një plan edhe të spitaleve private dhe mbi të gjitha – të mobilizimit të kapaciteteve njerëzore dhe pajisjeve të nevojshme mjekësore. Prandaj, kjo situatë është përgjegjësi e Qeverisë dhe Kuvendit që të veprohet sa më shpejtë që të votohet Ligji Anti-COVID-19. PDK do ta mbështesë këtë iniciativë!”