Pasuria e njerëzve që bëjnë drejtësinë në Kosovë: Vetura super të shtrenjta e para të majme në banka

Sistemi i drejtësisë, prokuroria dhe gjyqësia në Kosovë edhe 20 vjet pas luftës vazhdon të çalojë ku lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar luftohet më shumë me fjalë se me vepra.

Përkundër se gjyqtarët dhe prokurorët kritikohen në vazhdimësi për (mos) punën e tyre, drejtuesit e këtyre institucioneve janë ndër shtresa më e pasur në vend, ku kuleta e tyre trashet çdo vit, shkruan Reporteri.net.

Edhe sivjet në Agjencinë Kundërkorrupsion kanë deklaruar pasuri të majme, si shtëpi, banesa, toka e gjëra tjera të vlefshme.

Reklama e sponzorizuar

Aleksandër Lumezi, kryeprokuror i shtetit – ka deklaruar dy banesa në vlerë 200 mijë euro dhe shtëpi në vlerë 220 mijë euro.

Veturë Mini Coper në vlerë 19 mijë euro në emër të fëmijëve, veturë Opel Corsa në emër të gruas në vlerë 6 mijë euro, dhe 5 piktura në vlerë 15 mijë euro.

Në emër personal ka të ruajtura në bankë mbi 58 mijë euro, në emër të gruas 12.147 euro, kurse në emër të fëmijëve mbi 22 mijë euro, shkruan Reporteri.net.

Arta Hazjrizi- Rama, kryetare e Gjykatës Kushtetuese – ka deklaruar banesë në emër personal në vlerë 90 mijë euro, tokë në vlerë rreth 150 mijë euro (të përbashkët) dhe shtëpia në vlerë 70 mijë euro të përbashkët.

Ka të kursyera në banka mbi 3 mijë euro, 2 në emër të fëmijëve mbi 5 mijë e 600 euro dhe në emër të burrit 742 euro.

Ka deklaruar kredi një në vlerë 70 mijë euro dhe një 5 mijë euro.

Skender Çoçaj, kryetar i Këshillit Gjyqësorë të Kosovës – ka deklaruar shtëpi në vlerë 70 mijë euro (të përbashkët), veturë të tipit BMW në vlerë 7.500 euro dhe para të kursyera mbi 18 mijë euro.

Ka një kredi mujore për ta shlyer në vlerë 98 euro.

Bahri Hyseni, kryetar i Këshillit Prokurorial – ka deklaruar në emër të vet një lokal në vlerë 45 mijë euro, kurse 200 mijë euro pasuri tjera të paluajtshme por si pronë e përbashkët.

Ka deklaruar veturë në pronësi të fëmijëve në vlerë 5 mijë euro.

Para të gatshme të kursyera ka deklaruar mbi 95 mijë euro.

Afërdita Bytyqi, kryetare e Gjykatës Themelore në Prishtinë – ka deklaruar banesë në emër të vet në vlerë 60 mijë euro, lokal në vlerë 68 mijë euro dhe garazh në vlerë 6 mijë euro.

Ka deklaruar edhe pasuri në emër të prindit mbi 185 mijë euro si: shtëpi, tokë, mal etj.

Para të ruajtura në bankë i ka 21 mijë e 789 euro.

Posedon veturë në vlerë 7.500 euro të cilën thotë se e ka blerë në vitin 2015.

Ka një kredi në vlerë 40 mijë euro të cilën thotë se e ka marrë për blerje të lokalit.

Ymer Hoxha, kryetari i Gjykatës Themelore në Prizren – ka deklaruar shtëpi me oborr në vlerë 150 mijë euro, arë në vlerë 150 mijë euro dhe lokal afarist në vlerë 184 mijë euro.

Para të kursyera në bankë në emër të vet i ka 32.969 euro dhe në emër të gruas 5 mijë euro euro, shkruan Reporteri.net.

Posedon veturë në emër personal të tipi Audi A6 në vlerë 15 mijë euro të cilën thotë se e ka blerë në vitin 2013, kurse gruaja e tij vozit veturë të tipit Polo në vlerë 6 mijë euro.

Armend Berisha, kryetar i Gjykatës Themelore në Pejë – ka deklaruar shtëpi në vlerë 70 mijë euro, dhe tokë e objekt bujqësorë (të përbashkët) në vlerë 55 mijë euro.

Posedon veturë Golf 5+ në vlerë 7 mijë euro (dhuratë nga vëllai).

Para të ruajtura në emër të vet i ka 1 mijë e 542 euro, kurse të babait 4 mijë euro.

Ka rreth 1 mijë euro detyrime financiare për të kryer.

Nikollë Komani, kryetar i Gjykatës Themelore Gjakovë – ka deklaruar pasuri të përbashkët rreth 80 mijë euro, si banesë, tokë e mal.

Para të kursyera ka në vlerë 15 mijë e 341 në emër të vet, kurse 998 euro në emër të gruas.

Posedon veturë Golf në vlerë 4 mijë euro.

Ka një kredi në vlerë 5 mijë euro për ta shlyer.

Bashkim Hyseni, kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj – ka deklaruar në emër të vet banesë në vlerë 45 mijë euro, pasuri në vlerë 66 mijë euro si oborr, ara në emër të prindit, kurse një mal në vlerë 6 mijë euro në emër të vet.

Posedon dy vetura, njëra e tipit Mercedes në vlerë 10 mijë euro dhe tjetra Golf V në vlerë 7 mijë euro të cilat thotë se i ka blerë në vitin 2013 nga të hyrat vetanake.

Në emër të vet i ka të kursyera 986 euro kurse në emër të fëmijëve mbi 10 mijë euro.

Ramiz Azizi, kryetar i Gjykatës Themelore në Gjilan – ka deklaruar në emër të vet shtëpi në vlerë 30 mijë euro të cilën thotë se e ka trashëguar, kurse në emër të prindit oborr dhe arë në vlerë 45 mijë euro, shkruan Reporteri.net.

para të gatshme të ruajtura në bankë në emër të fëmijëve në vlerë 25 mijë euro.

Posedon veturë të tipit Opel të cilën thotë se e ka blerë në vitin 2016.

Ka deklaruar të kursyera 1 mijë e 218 euro.

Nikolla Kabashiç, kryetar i Gjykatës Themlore në Mitrovicë – ka deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerë mbi 71 mijë euro.

Ka deklaruar para të ruajtura 24 mijë e 430 euro dhe 114 mijë e 321 dinarë.

Ndërkaq ka deklaruar se posedon veturë të tipit Renault ‘Scenic’ në vlerë 1 mijë e 350 euro dhe një tjetër të tipit Renault ‘Kadjar’ në vlerë 12 mijë e 800 euro të blerë në vitin 2019.