A DO TA ULË PROKURIMI ELEKTRONIK KORRUPSIONIN NË KOSOVË?

Që nga 1 shatori i këtij viti, të gjitha ofertat e tenderimit publik në vlera të mëdha pranohen në mënyrë elektronike dhe jo fizike, siç ka qenë deri më tash.

I filluar shumë vite më parë, prokurimi elektronik në Kosovë ende nuk ka arritur të finalizohet në tërësi, pasi që mundësia e dorëzimit të ofertës për disa tenderë publikë në shuma të vogla dhe të mesme ka ende opsionin e dorëzimit në formë fizike.

Por, sipas Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), deri në fund të këtij viti të gjitha ofertat do të mund të dorëzohen vetëm në mënyrë elektronike.

Reklama e sponzorizuar

Prokurimi publik në raportet vendore dhe ndërkombëtare, ishte konsideruar si burim i korrupsionit në Kosovë. Një vlerësim i tillë ishte dhënë vazhdimisht në raportet e progresit për Kosovën të Komisionit Evropian.

Sami Uka, anëtar i Bordit të KRPP-së, tha për Radion Evropa e Lirë se nga janari i vitit 2019 të gjitha procedurat të cilat teknikisht mund të zhvillohen përmes platformës do të jenë elektronike.

“Prokurimi elektronik në Kosovë përdoret pothuajse 100 për qind, kanë mbetur vetëm procedurat me vlera të vogla dhe të mesme ku operatorët ekonomikë e kanë opsionin e dorëzimit të ofertës edhe përmes formës fizike. Por, kjo do të jetë vetëm deri në fund të këtij viti. Pra, kjo është e vetmja pjesë e mbetur pa u funksionalizuar në prokurimin elektronik”, thotë Uka.

Dorëzimi i ofertave në formë elektronike nga operatorët ekonomikë për tenderë publikë në përqindje vazhdon të mbetet i ulët, por që nga viti në vit ka shënuar rritje.

Uka tregon se derisa në muajin maj të vitit 2017 dorëzimi i ofertave në formë elektronike ka qenë vetëm 10 për qind, kjo tani ka shënuar rritje dhe atë deri në mbi 35 për qind.

“Prokurimi elektronik ka rritur transparencën, por edhe efektivitetin dhe kursimet në shfrytëzimin e parasë publike. Ne kemi pasur disa konfirmime prej disa operatorëve ekonomikë që vet janë deklaruar se mbi 1000 euro shpenzimet mujore janë zvogëluar për shkak të mundësisë që të gjitha veprimet të kryhen përmes formës elektronike”, tha Uka.

Korrupsioni në fushën e prokurimit publik është konsideruar se përcillet me pasoja të mëdha në minimin e investimeve ekonomike, në shërbime jo të mira lokale, në qasje dhe përkujdesje efikase shëndetësore, si dhe në kualitetin e arsimit.

700 milionë euro është vlera e tenderëve nga paratë publike

Isuf Zejna nga organizata Demokraci Plus thotë për Radion Evropa se edhe një ofertë e vetme nëse dorëzohet në formë fizike nuk mund të thuhet se ka garanci të plotë se gjithçka po shkon në rregull në procesin e vlerësimit të ofertave.

“Derisa nuk e kemi 100 për qind obligativ dorëzimin e ofertave në mënyrë elektronike nuk mund të vlerësojmë efektet e kësaj platforme në zbutje të korrupsionit. Mirëpo, në parim, prokurimi elektronik na garanton një transparencë më të madhe të këtij procesi dhe është një garanci se letrat nuk mund të ndryshohen pasi që janë dorëzuar. Por, për aq kohë sa kemi oferta fizike, letrat mund të ndryshohen dhe në këtë formë vendoset edhe fati i tenderëve me vlera të ndryshme”, thotë ai.

Sipas vlerësimeve të bëra nga organizatat ekonomike në Kosovë, ishte theksuar se shumica prej bizneseve kanë pasur ankesa të shumta për parregullsitë që ndodhin gjatë procesit të tenderimit publik.

Ndryshe, janë rreth 700 milionë euro në vit të buxhetit të Kosovës, të cilat shpenzohen përmes prokurimit publik.

Ligji i prokurimit publik është miratuar në vitin 2003 dhe deri më tani ky ligj ka pësuar më shumë se pesë herë ndryshime. /REL